Kryesore

“Kemi parë dy botë të ndryshme”, Rama në 30-vjetorin e PNUD: Programi ka qenë i pranishëm në momentet më kritike

18:26 - 20.10.21 gsh

Në ceremoninë e 30-vjetorit të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (PNUD), kryeministri Edi Rama deklaroi se ky program ka qenë i pranishëm në etapat më të rëndësishme dhe më kritike të vendit.



Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në këto 30 vite janë realizuar shumë projekte nga ky bashkëpunim, duke shtuar se ky program ka qenë mbështetës për Shqipërinë në aspektin demokratik, atë human si edhe social.

“Më kanë bërë një fjalim shumë të gjatë do të mundohem të flas në një mënyrë të përmbledhur. Shqipëria hyri në Kombet e Bashkuara në dhjetor të 1955, por u deshën 36 vjet që të hynte në një marrëdhënie domethënëse të organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në atë kohë qëllimi i vetëm ishte t’i jepte sa të mundej oksigjen vendit në një moment ndryshimi dramatik që bashkë me lirinë kishte sjellë edhe një mal me sfida. Është vërtetë e paimagjinueshme që në harkun e një jete kemi pasur fatin të shohim dy botë kaq të ndryshme me njëra-tjetrën. Ne po në harkun e një jete jemi anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në këto 30 vite janë bërë shumë gjëra nga ky bashkëpunim. Ajo që bën përshtypje është fakti se programi ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet më kritike të këtij procesi të transformimit të vendit nga një diktaturë totalisht e mbyllur në një demokraci në ndërtim e sipër. Programi ka qenë i pranishëm me hapjen e shkollës së parë publike të administratës, apo edhe në momentin e trazirave të mëdha të 1997. Falë programit kemi pasur mundësinë të ndërveprojmë me një organizatë e cila më shumë se sa paratë ka si vlerë dijen dhe aftësinë për të transferuar dijen në funksion të organizimit. Një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në kurs të vërtetë kundër analfabetizmit, dhe këtu besoj që programi ka një dorë që është e paharrueshme. Ka qenë i pranishëm në periudhën e kthesës historike të Tiranës, ku pas 11-vjeçari kaosi dhe deformimi urban të paimagjinushëm, dhe i mungesës së ligjit e rregullit, u futëm në një rrugë të re duke u përpjekur të rikthejmë qytetin te njerëzit, tu japim sensin e hapësirës publike si një hapësirë e ndërmjetme mes pronave private të njerëzve. Kemi pasur mundësinë të punojmë me një organizatë që më shumë se paratë ka dijen dhe transferimin e dijeve. Na është dashur që këto gjëra ti mësojmë si fëmijët abetaren, rast pas rasti” , tha Rama.

I ndalur tek sfidat me të cilët është përballur vendi si tërmeti apo pandemia Rama, tha se programi ka qenë i pranishëm në çdo sfidë duke theksuar se prezenca e tij do të vijojë të jetë edhe në ardhmen.

“Besoj që programi mbetet një faktor me rëndësi të veçantë në jetën e vendit tonë, të shoqërisë,  politikës në rrugën e jetësimit të vendimit të tyre. Nuk kam pasur asnjë histori dashurie me PNUD, por në këtë rast nuk është pa vend që të numërohen gjërat e bëra edhe pse përmenda shumë pak. Kur po kaloja listën e punëve të bëra, pata ndjesinë e një milingone, programi është një milingonë në raport me elefantët që për herë të parë nuk janë këtu për të marrë fjalën. Besoj që programi meriton respekt dhe mirënjohje”, tha më tej Rama.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.