SHËNDET

Intervista/ Teuta Nunaj: Nuk ka pasur kompensim për pensionistët pas rritjes së çmimeve

12:00 - 01.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kategoria e pensionistëve është një ndër më të prekurat nga rritja e çmimeve, e pavarësisht kësaj, deri më tani nuk ka asnjë kompensim për ta. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Teuta Nunaj Kortoçi, eksperte ekonomie, tregon se nga ana e qeverisë nuk kemi pasur asnjë reagim, as për të monitoruar e vlerësuar këtë rritje çmimi, por as për të kompensuar pensionistët apo shtresat në nevojë për rritjen e çmimeve për produktet e shportës, duke mos kryer në këtë rast detyrën e saj. Ajo shton se deri tani nuk ka pasur rritje reale të masës së pensionit por vetëm indeksim të tij.




Si e vlerësoni skemën aktuale të pensioneve në Shqipëri dhe sa i ndihmon kjo skemë të moshuarit?

Skema aktuale e pensioneve në Shqipëri financohet nga 2 burime kryesore të ardhurash: 1. Fondi i Sigurimeve Shoqërore që mblidhet nga pagesat që kryejnë aktualisht të gjithë të punësuarit aktual, që në literaturë njihet si kontribute direkte; dhe 2.fonde nga buxheti i shtetit, që njihet si kontribute nga buxheti. Përgjatë 30 viteve tranzicion ka funksionuar kjo skemë pensioni dhe buxheti i shtetit ka subvencionuar në mënyrë të vazhdueshme deficitin që krijohet në fondin e pensioneve. Zbatimi i kësaj skeme krijon një problematikë të thellë për financimin e saj, pasi kontributet direkte në tranzicion nuk kanë mbuluar asnjëherë totalin e fondit të pensioneve. Problematika që ka kjo skemë lidhet me mungesën e kolonës së dytë, që është pensioni privat, gjë e cila do të mundësonte rritjen e të ardhurave për pension. Ndihma që ofron kjo skemë për të moshuarit është vetëm dhënia e pensionit. Reforma e vitit 2014 përcaktoi të drejtën e përfitimit të pensionit të pleqërisë për individët që kanë minimalisht 15 vite dhe kur arrijnë moshën e përcaktuar nga ligji për pension. Ndërsa për individët me më pak se 15 vite pune që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar pension, ligji parashikon dhënien e pensionit social personave që kanë mbushur moshën e pensionit, por që nuk kanë derdhur kontribute ose kanë derdhur pjesërisht dhe nuk mund të përfitojnë pension të pjesshëm apo të plotë.

Cilat janë kriteret që duhet të përmbushin të moshuarit për të përfituar pension pleqërie?

Mbështetur në ligjin për pensionet, në Republikën e Shqipërisë paguhen këto kategori pensionesh: (I) pension pleqërie; (II) pension pleqërie i reduktuar; (III) pension invaliditeti; (IV) pension invaliditeti i pjesshëm; (v) pension invaliditeti i reduktuar; (VI) të ardhura shtesë për kujdesje; VII) të ardhura shtesë për fëmijën në ngarkim; (VII) pensione familjare; (VIII) pagesë për vdekje. Për të përfituar pension pleqërie, dy janë kriteret bazë: (i) mosha për pension; dhe (II) vitet e derdhjesh së sigurimeve shoqërore. Çdo individ që ka qenë i siguruar për jo më pak se 15 vite, fiton të drejtën për pension pleqërie në kohën kur mbush moshën për pension, sipas parashikimeve ligjore.

Sa është mosha e daljes në pension për vitin 2021 dhe si pritet të ndryshojë në vitet në vijim?

Në respektim të Ligjit nr. 7703/1993, në Shqipëri, mosha e daljes në pension ndryshon mbi bazë gjinie dhe kategorie. Për burrin, në vitin 2021 mosha e daljes në pension të plotë pleqërie për kategorinë e parë është 64 vjeç dhe për kategorinë e dytë e të tretë është 65 vjeç. Për gruan, në vitin 2021 mosha e daljes në pension të plotë pleqërie për kategorinë e parë është 59 vjeç dhe për kategorinë e dytë e të tretë është 61 vjeç dhe 2 muaj. Në vitet në vijim, për të dy gjinitë, mosha e daljes në pension do të rritet gradualisht çdo vit. Për burrin mosha e daljes në pension do të rritet deri 67 vjeç, që arrihet në vitin 2056 dhe për gruan do të rritet po deri 67 vjeç, që arrihet deri në vitin 2056. Në këtë mënyrë, në vitin 2056 kemi si unifikimin e moshës së daljes në pension për të dyja gjinitë dhe për të tria kategoritë, por edhe unifikimin e vjetërsisë në punë, që do të bëhet 40 vjeç.

Sa ka rënduar pandemia në xhepat e pensionistëve dhe a kanë marrë përkrahje nga shteti?

Pandemia krijoi krizën më të madhe botërore të këtij shekulli dhe përfshiu të gjithë sektorët. Pensionistët ishin një nga shtresat më vulnerabël që u prekën drejtpërdrejtë nga kjo krizë, pasi jetesa e tyre u vështirësua edhe më shumë e solli disa problematika: (I) izolimi në ambiente të mbyllura rriti vetminë, pasi një numër i konsideruar të moshuarish jetojnë vetëm; (II) u rritën shpenzimet shëndetësore, pasi covid-19 preku ndjeshëm dhe më shumë këtë grupmoshë; (III) u rritën shpenzimet mujore, për të përballuar situatën e pandemisë; si dhe (IV) u rrit kostoja e jetesës në përgjithësi, si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe jo vetëm. Kjo situatë rëndoi akoma më shumë buxhetet e tyre.  Ndihmat e ofruara nga qeveria për pensionistët për periudhën pandemike kanë qenë në indeksimin e pensioneve në masën 2.3% , dhënien e kompensimit për pensionet e ulta dhe ofrimin e ushqimit për të moshuarit që jetonin vetëm. Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve marrin pensione minimale dhe jetojnë vetëm, pa mbështetje financiare, me rritjen e shpenzimeve për shëndetin dhe rritjen e çmimeve, pensionistët e kanë të vështirë që të mbajnë një jetesë normale, ndaj pandemia e rëndoi edhe më shumë jetesën e tyre.

Me rritjen e çmimit të bukës dhe ushqimeve të shportës, a është alokuar një buxhet nga qeveria për kompensimin e pensionistëve?

Rritja e fundit e çmimit të bukës ndodhi në shtatorit 2021, me argumentin e rritjes së çmimit të lëndës së parë, miellit. Kjo rritje është vazhdimësi e rritjeve të produkteve të tjera bazë për jetesën e qytetarëve si vaji, qumështi, kosi, zarzavatet etj. Nga ana e qeverisë nuk kemi pasur asnjë reagim, as për të monitoruar e vlerësuar këtë rritje çmimi, por as për të kompensuar pensionistët apo shtresat në nevojë për rritjen e çmimeve për produktet e shportës, duke mos kryer në këtë rast detyrën e saj.

Shpeshherë flitet për rritje pensionesh, kur faktikisht është indeksim. Mund te shpjegoni për të moshuarit diferencën mes tyre? 

Është e vërtetë që në terminologjinë që përdoret çdo ditë, e cila pasqyrohet gjerësisht edhe në media, kemi njëjtësim të terminologjisë së “rritjes së pensioneve” dhe “indeksimit të pensioneve”. Rritje e pensioneve do të thotë shtimi i vlerës së pensionit në një shkallë më të lartë. Ndërsa indeksim i pensioneve do të thotë ndryshimi i vlerës së pensionit mbi bazën e rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të shportës së pensionistëve. Në vetvete indeksimi i pensioneve është rritje e pensioneve, por kjo rritje është e detyruar dhe e kushtëzuar nga rritja e inflacionit. E thënë më thjeshtë, kur rritet inflacioni dhe kur rriten çmimet, qytetari, në rastin tonë pensionisti, me të njëjtën sasi parash, blen më pak mallra. Ndaj, për të kompensuar këtë rritje çmimesh, qeveritë indeksojnë pensionet. Do të ishte korrekt që të gjitha këto rritje pensionesh, që janë bërë ndër vite, të deklarohen saktë si indeksim pensionesh. Në bazë të Ligjit nr. 7703/1993 i ndryshuar, pensionet indeksohen çdo vit, mbi bazë të indeksimit të disa mallrave të zgjedhur. Indeksimi i fundit i pensioneve nga qeveria është bërë më dt. 1 prill 2021. Ndaj, qeveria nuk ka bazë ligjore të indeksojë pensionet sërish për këtë vit kalendarik. Po kështu, për sa analizuam më lartë skemën e pensioneve, duke qenë se për çdo vit qeveria subvencionon pensionet me fonde nga buxheti i shtetit dhe ekonomia jonë vijon të jetë në tranzicion dhe e paqëndrueshme, rrjedhimisht mbërrijmë në përfundimin se qeveritë nuk do të realizojnë rritje të pensioneve, por vetëm indeksim të tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.