Kryesore

Vlera Lekaj: Rreziku i përdorimit të holluesve të gjakut te pacientët me COVID

10:00 - 15.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Vlera Lekaj – Situata pandemike në të cilën po jetojmë, dhe kemi tashmë 2 vite që përballemi me të gjithë pasigurinë dhe dyshimet që na shoqërojnë, duhet thënë që shpesh mund të na ketë drejtuar drejt vendimeve për të cilat mund të mos jemi në dijeni për pasojat që mund të kenë më pas në një moment të dytë. Për trajtimin e kovidit është folur dhe aluduar shumë nga ekspertë mjekësorë të fushës, por pa një informacion për një skemë përfundimtare të trajtimit, së cilës i është vërtetuar efektiviteti absolut. Duke u nisur nga ky fakt duhet të kujtojmë që Covid-19 është një virus dhe si i tillë sjellja e tij mund të jetë e ndryshueshme, dhe, kështu edhe infektimet rriten, por edhe trajtimi mund të jetë i vështirë. Në këtë artikull dëshiroj të ndalem në veçanti në një nga terapitë e përdorura nga mjekët në skemën e trajtimit të kovidit, dhe është pikërisht përdorimi i holluesve të gjakut. Sigurisht që fillimisht duhet të jetë deri diku e kuptueshme dhe duhet t’i sqarohet individëve se pse përdoret holluesi i gjakut në kovid, dhe çfarë ndodh me organizmin e njeriut kur kalon një gjendje infektive. Në gjendjet infektive, inflamatore sidomos kur ato paraqiten me njëfarë severiteti, është e pritshme të kemi fenomene trombotike në organizëm si përgjigje imunitare ndaj agjentit patogjen. E thënë ndryshe formohen trombe në qarkullimin e gjakut, të cilët nuk dihet se ku dhe kur mund të krijohen duke shkaktuar shpeshherë dhe fatalitete. Trombet e formuara qarkullojnë nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut dhe mund të godasin trurin ose zemrën, duke rrezikuar kështu jetën e personit të prekur.




Pikërisht për të njehsuar këtë rrezik në organizmin e një njeriu të prekur nga gjendje inflamatore, matet në gjak parametri i D-dimerit, një term me të cilin popullata është e njohur tashmë që prej periudhës së kovidit. D-dimeri është një produkt i degradimit të fibrinës, një enzimë pararendëse e masës trombotike e cila formohet më pas. Nëse nivelet e D-dimer paraqiten të larta, janë kështu dëshmi e një procesi të shprehur trombotik, i cili ndodh në rastet e infeksioneve të rënda e të komplikuara, sigurisht sa më e lartë vlera e këtij parametri aq më i rëndë inflamacioni.
Në pacientët e prekur nga Covid-19, dhe sidomos tek ata të cilët kanë kaluar një formë të rëndë të këtij infeksioni të shoqëruar me temperaturë të lartë, kollë të zgjatur dhe vështirësi në frymëmarrje, pra praktikisht përfshirje të traktit respirator, kanë qenë më të predispozuar për të pasur vlera të larta të D dimer, dhe rrezikun e trombozës shoqërues. Kështu që me të drejtë janë trajtuar nga mjekët me hollues gjaku, të cilat në kushtet e një severiteti dhe të vlerave të larta të D-dimer, mund të kenë nisur trajtimin me hollues në trajtën e injeksioneve dhe më pas kanë vazhduar shpesh herë dhe me trajtim nga goja me hollues tablet.

Duke ndikuar pozitivisht në uljen e riskut për të zhvilluar trombozë dhe sigurisht në një gjendje, e cila vjen duke u përmirësuar, holluesit e gjakut mund të quhen dhe medikamente jetëshpëtuese në ato momente për nga rëndësia. Por sigurisht që si çdo medikament mund të kenë efekte anësore, të cilat mund të jenë të rënda.
Nëse një pacient vuan nga sëmundje të stomakut, si: ulcera apo gastriti që janë gjendje të inflamimit dhe irritimit të mukozës së stomakut, apo nëse ndjen here pas here shqetësime si djegie në gjoks, dhimbje, siklet dhe trazim në ushqyerje, dhe sigurisht me këto shqetësime ka përjashtuar problemet e zemrës, atëherë duhet patjetër të ketë në konsideratë faktin që mund të ketë probleme të stomakut.
Këto probleme i duhen referuar mjekut kurues, sidomos nëse duhet të nisni një terapi me hollues gjaku. Kjo sepse holluesit e gjakut kanë efektin anësor madhor dhe të rrezikshëm të hemorragjisë nga stomaku, sidomos në pacientë me sëmundje preekzistuese të tij.
Sigurisht më pas në varësi të riskut apo rëndësisë së marrjes së tyre, gjykohet nga mjeku për vazhdimësinë e marrjes së holluesit dhe të llojit të tij. Hemorragjitë më të shpeshta që paraqiten si komplikacion i përdorimit të holluesve janë, hemorragjitë gastrointestinale, në formën e të vjellave me gjak, jashtëqitjes me ngjyrë të zezë, ose gjakut të kuq të pastër nga zorra e trashë, kjo e fundit e njohur ndryshe si rektoragji.
Kështu që, nëse keni qenë duke përdorur hollues gjaku kohët e fundit dhe më pas keni vënë re këto shqetësime duhet të paraqiteni patjetër në urgjencat mjekësore.
Në praktikën klinike, tek pacientët që përdorin hollues për arsye të ndryshme të problemeve shëndetësore kronike, por edhe tek ata pacientë të cilët e kanë përdorur vetëm për Covid-19 duhet ndjekur me vigjilencë përdorimi i tyre dhe raportimi i ndonjë problemi që mund të ketë shkaktuar në mënyrë të menjëhershme.
Moshat tek të cilat kemi vënë re një rritje të rasteve të këtyre komplikacioneve të holluesve, janë moshat e treta, me sëmundje bashkëshoqëruese.
Duke ju këshilluar që tek mjeku të raportoni çdo problem shëndetësor që mund të ndjeni para se të filloni të përdorni një hollues, dhe duke shoqëruar përherë përdorimin e holluesit me mbrojtës të stomakut, do të ishte mënyra e duhur për të ulur rrezikun e këtyre komplikacioneve të rrezikshme dhe sigurisht duke ju ndihmuar që të keni një informacion më tepër para se të nisni përdorimin e një medikamenti duke vlerësuar benefitet dhe rreziqet e tij në bashkëpunim me mjekun tuaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.