Kulturë

“366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” apo për ta prishur atë

11:32 - 01.12.21 Gazeta Shqiptare

(Rreth romanit të fundit të Besnik Mustafajt)



Anila Mullahi – “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” i B. Mustafaj është roman i një lloji të veçantë, larg formës klasike, i shkruar qëllimisht për të qenë ndryshe.

Romani është ndërtuar si ndërfutje mes rrëfimeve. Së pari është rrëfimi i një shkrimtari, të cilit i është porositur shkrimi i një kronike sui generis, kronika e kohës së koronavirusit. Në këtë linjë rrëfimi ndodh në disa raste që rrëfimtari të vetidentifikohet me autorin në mënyrë eksplicite. Veçanërisht kur shkrimtari kupton se kjo porosi është një kurth për lirinë e tij.

Rrëfimtarit, shkrimtarit të porositur për të shkruar kronikën, do t’ia kujtojë sa e rëndësishme ishte liria krijuese një prej personazheve, të cilin e ka krijuar ai vetë. Patoku Dindan “më kujtoi se shkëputja e domosdoshme e lidhjes mendore me lexuesin gjatë procesit të shkrimit shënonte lirinë universale, jetike për shkrimtarin gjatë krijimit. Ai e solli fjalën te pushteti i ri, që po zbuloja ditët e fundit e para të cilit e ndieja tashmë veten ashtu të vogël, plak të pafuqishëm, të pambrojtur.” Ndërsa rrëfimi tjetër, e ndërfutura është historia e patokut Dindan, maçokut Piko dhe djaloshit Kolec, që jetojnë në fermën e fermerit Kolë dhe zonjës Dumre. Ata janë “grupi i dijetarëve”, të cilët duan të shkruajnë një tekst me titull “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin”.

Romani endet si një mbivendosje e dy botëve; asaj të njerëzve ku funksionon parimi i Decartit Cogito ergo sum – Mendoj pra jam, si dhe një realitet i dytë, ai i ëndrrave Somnis ergo sum – Ëndërroj pra jam “ku tre gjallesa pa asgjë të përbashkët as në origjinë biologjike as në anatominë fiziologjike” një patok, një maçok dhe një djalosh po shkruajnë një studim të vështirë.

Në romanin e Mustafajt, ata që bëjnë pjesë në të dy këto botë komunikojnë njëri me tjetrin si të mendonin njësoj, të kishin të njëjtat halle e të flisnin të njëjtën gjuhë.

Ajo që i bashkon të dy botët është përpjekja herë e hapur e herë e fshehtë për të pasur pushtet mbi tjetrin. Ky pushtet nuk arrihet më nëpërmjet luftërave, por me mjete të tjera; herë nëpërmjet izolimit që vjen si pasojë e një virusi të padukshëm e herë si një aftësi kompjuterikë për të mbledhur informacion për këdo që më pas ta detyrojnë t’u shërbejë. Informacionet e mbledhura – që do të shkruhet në këtë roman – janë si “tunele të fshehta për të ndërhyrë drejt në mendjet e tyre për të bërë gjithfarë manipulimesh. Thënë hapur, njerëzit, pa dijeninë e tyre, do shndërroheshin në njëfarë mënyrë në kukulla në duart e tij”

Copëzimi dhe heterogjeniteti janë karakteristika të stilit, që e çojnë tekstin në rrjedhat e postmodernizmit. Romani është siç thotë Barthes “një shumëfletësh i ndërtuar mbi larmishmëri stilesh dhe imazhesh”. Karakteristikë për shkrimin postmodernist është shkrirja e kufijve mes llojeve letrare, gjë që shfaqet dukshëm te ky roman; në mënyrën sesi kombinohet elementë të përrallës, elementë të fanta-shkencës, të kronikës, të një tekstit jo letrar si procesverbali etj.

Rrëfimi fragmentarizohet edhe si pasojë e lojërave gjuhësore që bën shkrimtari duke marrë një trajtë heterogjene. Brenda meta rrëfimit që ai krijon, shpesh gjuha letrare ndërfut brenda saj dije dhe njohuri filozofike, etike dhe politike.

Rrëfimtari kalon herë në vetën e parë e herë në vetën e tretë. Në rastet kur autori identifikohet me rrëfimtarin dhe përfshihet hapur në tekst me emër dhe mbiemër bën “lojën” e besueshmërisë së drejtpërdrejtë me lexuesin, veçanërisht duke i shtuar edhe theksimin se do të shkruajë një kronikë. Atëherë kur duket se rrëfimtari ka marrë përsipër një mision të rëndësishëm, që do ta kryejë me seriozitet, rrëfimi merr nota të autoironisë, parodizon mendimet dhe frikërat e tij dhe kjo e manipulon situatën. Gjuha e romanit krijon një lloj të veçantë grotesku tragjik, ku humorit ja ka zënë vendin një frikë e brendshme.

Auroironia lidhet me humorin e zi, në mënyrën sesi lexuesi e përjeton subjektin në një formë qesharake, edhe pse mund të jetë në një kontekst shumë serioz. Ironia shihet nga shkrimtari si mjeti për të shprehur qëllimin e tij letrar.

Struktura karakterizohet nga dekonstruktivizmi, që e bën romanin një strukturë të hapur. Romani “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” i shkrimtarit B. Mustafaj është i ndërtuar si marrëdhënia e një teksti me tekste të tjera karakterizuar nga intertekstualitet i gjallërishëm.

Dekonstruktivizmi i tekstit e përgatit lexuesin jo për një tekst me subjekt të mirëfilltë në kuptimin tradicional sepse shkrimtari ka bërë parësore lojën intertekstuale, lidhjen e teksteve me tekste të tjera, në formën e citatit, paratekstit, rimarrjes së idesë etj.

Ai risjell në librin e tij rrëfimin, sipas të cilit në kohë murtaje, në Londër, Shekspiri kishte shkruar tragjedinë “Mbretit Lir”, risjell historinë e dramës së Shekspirt “Masë për masë”, tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta”, madje imagjinon se nëse nuk do të kishin qenë masat e karantinës (shtetrrethimit) letra e Fratit do të arrinte në kohë në Verona, dhe Romeo e Zhuljeta nuk do të vdisnin. Një fantazi, që do të na kishte lënë pa çiftin e përjetshëm të dashuruar, të cilët kanë fituar përjetësinë nëpërmjet kësaj vepre.

Michael Riffaterre do të flasë për “ndërtekstorsinë si shuarje, nga ana e lexuesit, të raporteve ndërmjet një vepre të dhënë dhe veprave të tjera”. Në romanin e Mustafajt rimarrja e teksteve të njohura shërben për t’i dhënë tekstit të tij nënshtresa kuptimore për lexuesin model.

Lexuesi model gjatë leximit mund të gjejë fije ndërlidhje mes romanit të Mustafajt dhe “Fermës së kafshëve” të Orwell sepse të dyja janë rrëfime parabolike të ndërtuara si distopi. Kjo ndërlidhje vjen si pasojë e mënyrës si është endur teksti i Mustafajt, për aftësinë që ka për aluzione, dhe krijimin e shumë kuptimeve dhe ndërlidhjeve.

Për shkrimtarin duket se ka qenë synim krijimi i një bote artistike kaotike, një realitet konfuz. Në një botë të tillë kaotike, individi humbet lirinë dhe ndjehet mekanizëm, ndjehet i kontrolluar. Romani tejçohet nga ideja e ringjalljes së frikës për kontroll, si dhe mënyra si ndikon frika te njeriu. Frika për kontroll ashtu si dhe dëshira për të sunduar kanë qenë ndjesi, dëshira të tejkohshme.

Koronovirusi ka nxitur dhe ka nxjerr në pah simptomat e frikërave të vjetra për izolim dhe kontroll. Frika që vjen nga izolimi Mustafaj i risjell në mendje frikërat që janë shfaqur shumë herë në historinë e njerëzimit ndaj fut në lojën e tij letrare edhe Shekspirin kur shkruan – “A ka dashur Shekspiri të na thotë se në periudhë pandemie vendi qeveriset gjithmonë vetëm mizorisht?”

Nga njëra anë pandemia, nga në anën tjetër frika nga inteligjenca artificiale e kanë bërë individin të struket brenda vetes ose në ëndrrat e tij. Duket se vetëm arti mund ta shpëtojë botën. Ndaj Mustafaj në roman do të vërë në gojën e një prej personazheve të tij fjalët – “Vetëm poezia arrinte të tërhiqte përfytyrimin e njeriut në ca hapësira, ku nuk vepronin dot algoritmet. Poezia është armikja kryesore e inteligjencës artificiale.

Rrëfimi që krijon shkrimtari nuk është më thjesht një urë komunikimi mes tij dhe lexuesit; nuk sjell thjesht ngjarjet e botës reale në sytë e lexuesit, ai përqendrohet në botën e brendshme, në psikikën, pavetëdijen e personazhit, aty ku lufta midis nevojës për liri dhe frikës nga vdekja, por edhe izolimi bëhet më e fortë. Mënyra si e realizon një gjë të tillë, si e vë në dukje këtë realitet, i cili më shumë se i jashtëm është i brendshëm, nuk ka lidhje me traditën realiste.

Ndonëse teksti përmend edhe referenca nga politika, ngjarje konkrete, ai nuk është një tekst politik, është një tekst që shkon përtej konkretësisë, është një roman imagjinar që kërkon t’u flasë kohërave.

Romani është shkruar në një mënyrë të veçantë, ku “gjuha e secilit është themeluesja e stilit vetjak” dhe tregues i asaj që përfaqëson.  Romani i ndërtuar si një tekst heterogjen, ndërthur brenda vetes elementët e një kronike, që më shumë se shkruhet flitet për të, sepse historia që rrëfehet merr shenjat e një historie fantastike.

Në roman ndërfutet edhe një përrallë, e cila shërben si paratekst i njohur. Shkrimtari na e rirrëfen këtë përrallë, e shndërron atë në një tekst autorial, duke krijuar një hipertekst.

Romani i Mustafaj është i ndërtuar në formën e një pastishi, në mënyrën sesi kombinon shumë elementë të ndryshëm që vijnë nga botë të ndryshme, reale dhe imagjinare, por edhe elementë nga dimensione të ndryshme, njerëz-kafshë-shpendë, ndonëse të gjitha të dhënat i referohen një konteksti që herë është konkret e herë shkon përtej kohës së njohshme.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.