Kryesore

Basha kërkon falje këtë “8 Dhjetor” dhe zotohet para shqiptarëve: Do e bëjmë Shqipërinë si Evropa

13:25 - 08.12.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këtë “8 Dhjetor”, 31 vite nga Lëvizja Studentore që rrëzoi regjimin komunist, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi falje në emër të PD dhe gjithë demokratëve për faktin që sipas tij “do të ishte një mëkat i pafalshëm ndaj të rinjve të sotëm, që të mbyllim sytë e të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona, faktin që shkulëm komunizmin, por jo mentalitetin komunist”.




Në fjalën e tij në aktivitetin zhvilluar në përkujtim të kësaj dite, kryedemokrati Basha u zotua para gjithë shqiptarëve se “PD në këmbë, PD është e fortë, PD ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë në këmbë, e fortë, e bashkuar, sepse ne kemi një mision, lirinë, demokracinë, Shqipërinë si gjithë Evropa. E kemi marrë nga dhjetoristët dhe nuk e dorëzojmë, derisa ta bëjmë realitet”.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Zgjuarsia, mençuria për të mos e kthyer përmbysjen e regjimit në një banjo gjaku, erdhi me një çmim, kamatën e të cilit vazhdojmë ta paguajmë, në formën e një mentaliteti që akoma nuk e kemi shkulur. Vazhdojmë ta paguajmë, sepse ne e dimë se ndryshe nga cdo vend tjetër komunist, zgjedhjet e 1991 komunizmi arriti t’i merrte, me dhunë.

Të mos harrojmë se në krahun e PD në mënyrë unike të vinin SHBA, që të mundnin komunizmin shqiptar në marsin e 1992 dhe të fillonim rrugën e ndryshimit. Kjo rrugë ka njohur arritje të patjetërsueshme, dhe nuk ka forcë t’i tjetërsojë ato. Carja e izolimit, kthimi i Shqipërisë në një vend që nuk ngryset me frikën nëse kufijtë do t’i ketë të dhunuara, futja në NATO, e shumë e shumë të tjera, mbajnë vulën e PD. Për këto duhet të jemi krenarë.

Por, ndërkohë që 8 dhjetori na thërret të përkulemi para veprës së dhjetoristëve, rrallëherë kemi kërkuar falje. Sot është dhe dita për të kërkuar falje. Është dita për të kërkuar falje, sepse 31 vjet më vonë ndodhemi përsëri në kushtet e një regjimi që shumë ka të përbashkëta me diktaturën dhe produktet e diktaturës. Me diktaturën ka të përbashkët kryesisht ADN. Por le të merrem me pasojat e diktaturës, që i kemi të përbashkëta sot.

Kjo pasojë e asaj diktature sot është më e tmerrshme se kurrë, është pasojë e një regjimi të ri, që me forma shumë më të sofistikuara njësoj i shtyp liritë, lirinë ekonomike, të shprehjes, të mendimit, barazinë para ligjit. Është pasojë e këtij regjimi që Shqipëria po zbrazet si asnjëherë, me ritmet ndoshta të vitit 1990. Është regjimi që ka vrarë zgjedhjet, votën e lirë, duke çuar në vdekje klinike demokracinë. Ne e dimë se detyra jonë kryesore është të përballemi me këtë regjim. E vërtetë është që zgjedhjet e ’91-shit i manipuloi regjimi komunist.

31 vite më vonë nuk ka më kohë për mua, për brezin tim, sepse do të ishte një mëkat i pafalshëm ndaj të rinjve të sotëm, që të mbyllim sytë e të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona, faktin që shkulëm komunizmin, por jo mentalitetin komunist. Të kërkojmë falje dhe e kërkoj sot faljen si kryetar i PD, në emër të PD, në emër të demokratëve, për të gjitha ato përgjegjësitë tona, gabimet tona, pse jo dhe fajet tona, që i kanë mundësuar këtij regjimi ta kthejë Shqipërinë në dimensionin e vuajtjes aty ku ishte 31 vite më parë dhe bashkë me këtë të zotohem para jush e cdo shqiptari se PD në këmbë, PD është e fortë, PD ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë në këmbë, e fortë, e bashkuar, sepse ne kemi një mision, lirinë, demokracinë, Shqipërinë si gjithë Evropa. E kemi marrë nga dhjetoristët dhe nuk e dorëzojmë, derisa ta bëjmë realitet.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.