Shëndet

Instruktori Erdi Larti: Ndiqni këto 15 rregulla për të humbur peshë

11:34 - 13.12.21 Gazeta Shqiptare

Nëse objektivi juaj është të dobësoheni e të tonifikoheni, atëherë është shumë e rëndësishme që të mos e konsideroni thjesht një rënie në peshë. Të humbasësh kilogramët e tepërt sigurisht të bën të ndihesh mirë, por nëse këto kg janë muskuj të çmuar, atëherë ju po dëmtoni aftësinë për të rënë në peshë. Në mënyrë që të siguroheni që pesha që po humbisni është dhjam dhe jo muskul, atëherë bëni mirë t’u kushtoni vëmendje të veçantë këtyre këshillave të dhëna për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare” nga instruktori i palestrës, Erdi Larti.
1. Mbani shënime
Vullneti që nevojitet për të mbajtur shënim atë çka konsumoni është i barabartë me dëshirën që keni për të hequr kilogramët e tepër të dhjamit. Të qenurit serioz për rënien në peshë do të thotë të mbash shënim çdo kalori që konsumon, të sigurohesh që ato kalori përmbajnë mjaftueshëm proteina dhe të dini të ndaloni kur keni arritur sasinë e rekomanduar ditore.
2. Hani mëngjes
Si një nga këshillat thelbësore të të gjitha kohërave, një mëngjes i shëndetshëm, i cili përmban një burim proteinik do të ndihmojë trupin tuaj të ketë kalori të mira për të djegur përgjatë orëve të paradites, duke ju lënë të ngopur dhe duke ju frenuar nepsin për ndonjë ‘snack’ të pashëndetshëm.
3. Evitoni qëndrimin pa ngrënë për një kohë të gjatë
Zakonisht ata që mbajnë dieta, qëndrojnë pa ngrenë me orë të tëra, deri sa vjen momenti që nuk durojnë dot më. Për fat të keq, në këto raste bëhen zgjedhje shumë të këqija, pasi kur “të ndizet llamba”, nuk di më se çfarë ha pastaj. Mbani me vete ‘snack’ të shëndetshëm (me përmbajtje të lartë proteine dhe me sasi ulët karbohidratesh) dhe pini sa më shumë ujë, për të evituar të ngrënit edhe atëherë kur keni thjesht etje.
4. Vlerësoni rutinën
Sigurisht, ju sapo mbaruat së ngrituri pesha për një orë dhe vrapuat 10 km. Por, ndoshta nuk keni djegur aq shumë kalori sa ç’mendonit. Për të evituar mbingrënien pas një seance stërvitore, hani diçka të shpejtë menjëherë pas seancës, por në sasi të vogla dhe pini sa më shumë ujë. Pastaj prisni. Truri juaj ka nevojë për kohë që t’ju thotë se kur jeni të ngopur.
5. Qëndroni në shtëpi
Ndoshta restoranti juaj i preferuar po ju “thërret”, por mos e “dëgjoni”! Duke e gatuar vetë darkën në shtëpi, ju do të mënjanoni shumë ‘gracka’, në të cilat mund të bini kur darkoni jashtë.
6. Reduktoni sasinë e alkoolit
Sigurisht pak verë të kuqe na e ka ënda të gjithëve, të ndihmon të qetësohesh e të ofron edhe disa të mira shëndetësore. Por, alkooli na serviret së bashku me një sërë kalorish të panevojshme. Për të evituar marrjen e kalorive të tepërta, mënjanoni gotën e alkoolit dhe pini ujë në vend të saj. Të jeni të sigurt që përfitimet janë shumë më të mëdha.
7. Ridrejto
T’i qëndrosh strikt një plani për rënie në peshë është e vështirë. Nëse herën tjetër ju kap paniku, merrni telefonin dhe ikni nga zona e rrezikut (kuzhina) dhe merrni një mik apo të afërm në telefon e pyeteni si i vajti dita ose planifikoni një vajtje në kinema. Dilni e bëni diçka, merruni me një punë; mjafton që ta hiqni mendjen nga tundimi që do të shkatërronte çdo përpjekje tuajën.
8. Flini gjumë
Zakonisht prindërit apo gjyshërit na thoshin shpesh “Asgjë e mirë nuk ndodh pas mesnate”. Kjo është një thënie që ka një të vërtetë brenda, sidomos nëse rënia në peshë është objektivi juaj. Bini të flini dhe evitoni tundimin për të ngrënë ‘snack’ në darkë vonë dhe ndihmoni trupin që të funksionojë sa më mirë!
9. Konsumoni perime jeshile
Ka shumë lloje ushqimesh mjaft të mira, për të cilat ju keni nevojë – mishi pa dhjam, bulmeti etj. Por, mos lejoni që këto të zënë pjesën më të madhe të dietës suaj. Fillojini vaktet tuaja me diçka të shëndetshme dhe jeshile, në mënyrë që të mund ta mbani sasinë e karbohidrateve sa më të ulët, sigurisht nuk duhet t’i eliminoni ato.
10. Bëni matjet
Juve ndoshta nuk u pëlqen ideja të peshoheni apo të bëni matjet e trupit, por nëse nuk i bëni ato, nuk do të mund të kontrolloni progresin tuaj. Ashtu siç kontrolloni kaloritë, ashtu duhet të mbani nën kontroll kilogramët e humbur dhe të bëni rregullimet e duhura në regjimin e të ngrënit dhe në rutinën stërvitore, nëse është e nevojshme.
11. Mos e lidhni dietën me jetën
Jeta vjen me uljet e ngritjet e saj. Dieta juaj nuk duhet të jetë e tillë. Kur ndiheni të stresuar, mos iu turrni ëmbëlsirave. Por, vishni atletet dhe dilni ecni.
12. Mbani djegien të vazhdueshme
Të stërviturit nuk supozohet të jetë një shëtitje në park. Për ta shtyrë trupin në potencialin e tij dhe për të djegur sa më shumë kalori, mos bëni pushime të gjata mes ushtrimeve. Mos pushoni më shumë se 30 sekonda pas një ushtrimi, në mënyrë që trupi të vazhdojë të djegë kalori dhe kilogramë.
13. U thoni lamtumirë ëmbëlsirave
Të gjithë kanë nevojë për një ëmbëlsirë të shpejtë sipas rastit, por bëni çmos që të jetë natyrale, më mirë fruta sesa diçka krejt sheqer. Sipas studimeve të vazhdueshme, është treguar që sheqeri i rafinuar luan një rol goxha të madh në shtimin në peshë, më shumë se çdo gjë tjetër.
14. Lëvizni tani!
Të pasurit të një programi stërvitor të mirëstrukturuar dhe ndjekja e tij në mënyrë të rregullt është thelbësore për rënien tuaj në peshë. Bëni çmos që gjatë ditës të programoni qoftë edhe 15 minuta ecje të shpejtë. Ju do të ndiheni shumë më energjikë dhe do të ulni kilogramët.
15. Mos hiqni dorë!
Ju mund të mendoni që të ndjekësh rregulla të tilla është e lehtë, por shumë pak njerëz e kanë forcën dhe kurajën e nevojshme që të ndjekin me vendosmëri një program stërvitor të gjatë, mjaftueshëm për të parë rezultatet e dëshiruara. Vërini detyrë vetes që do të jeni një prej këtyre njerëzve.



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.