BOTA

Presidenti Joe Biden paralajmëron Putinin: Nëse Rusia pushton Ukrainën, do heqim gazjellësin “Nord Stream 2”

23:43 - 07.02.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti Joe Biden tha të hënën “nuk do të ketë më Nord Stream 2”, një gazjellës i rëndësishëm rus që do të lidhte Rusinë me Evropën, nëse Rusia pushton më tej Ukrainën me “tanke ose trupa”.




Presidenti Biden i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët shtypi me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pasi të dy udhëheqësit u takuan për bisedime rreth krizës në kufirin Ukrainë-Rusi.

Gjermania, e cila përdor gazin natyror rus për të mbuluar gjysmën e nevojave të saj, ka shtyrë miratimin e projektit të gazsjellësit “Nord Stream 2” të paktën deri në gjysmën e dytë të vitit 2022, por ka refuzuar të anulojë projektin pothuajse të përfunduar.

Shtëpia e Bardhë ka shprehur alarmin mbi perspektivën e një konflikti ushtarak në Ukrainë. Zoti Biden po përpiqet të forcojë mbështetjen midis aleatëve evropianë për sanksione të forta ndaj Rusisë nëse ajo merr masa për një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës.

Përpjekjet ndërkombëtare për të zbutur tensionet në lidhje me Ukrainën u intensifikuan të hënën, me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili zhvilloi bisedime me homologun e tij rus në Moskë dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Uashington për të koordinuar politikat ndaj Rusisë ndërsa po rritet frika e një pushtim rus të Ukrainës.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse pranë Ukrainës ka nxitur shqetësimet mes udhëheqësve perëndimorë për një ofensivë të mundshme. Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, paralajmëroi të dielën se Rusia mund të pushtojë Ukrainën “në çdo moment”, duke shkaktuar një konflikt që do të shoqërohej me një “kosto të madhe njerëzore”.

Rusia ka mohuar se ka plane për të sulmuar fqinjin e saj, por kërkon që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të ndalojnë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike në NATO-n, të ndalojnë vendosjen e armëve atje dhe të tërheqin forcat e NATO-s nga Evropa Lindore. Uashingtoni dhe NATO i kanë hedhur poshtë këto kërkesa.

Duke folur në fillim të takimit të tij me kancelarin Scholz, presidenti i amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania “po punonin me një hap për të penguar më tej agresionin rus në Evropë”.

Kancelari Scholz shtoi: “Ne jemi aleatët më të ngushtë dhe po punojmë intensivisht së bashku, dhe kjo është e nevojshme për të bërë hapat e nevojshëm për luftimin e agresionit rus kundër Ukrainës”./ Marrë nga VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.