LAJMI I FUNDIT

Shkarkimi i Presidentit të Republikës/ Ja provat që shkaktuan përplasje mes Metës dhe PS në Kushtetuese

08:17 - 08.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Provat e reja që depozitoi në Gjykatën Kushtetuese Kuvendi i Shqipërisë në lidhje me procedurën e ndjekur për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit u bënë objekt përplasjeje në seancën e djeshme mes kreut të shtetit dhe Kuvendit.




Në seancën e shkuar të 3 shkurtit, përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishi, akuzoi Kuvendin se në maj të vitit të kaluar Kryetari i Kuvendit të Legjislaturës së kaluar nxori urdhër për mbledhjen e Parlamentit brenda 24 orëve, ndërsa Rregullorja parashikon që njoftimi bëhet 48 orë para.

Seanca në 7 maj, përmes urdhrit të nxjerr më 6 maj, ishte thirrur për të miratuar kërkesën e 48 deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës. “

Ne do të dorëzojmë padi pasi është gjë shumë e rëndë dhe kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit, Kuvendi të dorëzojë një provë gjoja të re, që është falsifikim për të justifikuar dhunimin e procedurave në këtë proces farsë që synon kapjen e institucionit të Presidentit”, tha Presidenti Meta në një konferencë për mediat.

Çfarë ndodhi në Kushtetuese?

Në nisje të seancës së djeshme, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushe, tha se më datë 4 shkurt, Kuvendi kishte depozituar prova të reja në lidhje me çështjen.

“Më datën 4 shkurt, nga Kuvendi është përcjellë në Gjykatën Kushtetuese shkresa e po kësaj date, me të cilën përcillet urdhri nr. 19 datë 5.02.2021, për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare të datës 7 maj 2021. Rendi i ditës. Kjo praktikë u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të trupit gjykues dhe po ashtu një kopje i është përcjellë Presidentit”, tha Vitore Tushe.

Por menjëherë sapo mori fjalën përfaqësuesi i Presidencës, Bledar Dervishi, akuzoi Kuvendin se kishte falsifikuar provat që kishte depozituar në Kushtetuese.

“Më duhet të anatemoj vërtetësinë e provës së ardhur nga Kuvendi. Ka ardhur me urgjencë. Ne e kemi marr të premten, ndërsa punonim me pyetjen. E kuptoj që bëhet për të hedhur poshtë pretendimet e Presidencës, por kjo urgjencë nuk mund ta ngatërrojë Kuvendin që të ndërhyjë te provat dhe vërtetësia e saj. Më 4 shkurt Kuvendi na ka sjellë provat shtesë. Lidhet me urdhrin e datës 5.05.2021, për mbledhjen e Kuvendit në datën 7. Ka një dallim të madh. Gjithmonë ne, që prej datës 1 korrik, i jemi referuar urdhrit të Kryetarit, datë 06.05 dhe jo 05.05, siç e ka sjellë Kuvendi. Ky urdhër është i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Ky urdhër nuk është në format PDF i konvertuar, por format me nënshkrimin e kryetarit. Urdhri përmban numrin 19, por datën e ka 6.5.2021 dhe jo 5.5.2021. Por në 5 maj nuk mund të caktohej data 7, kur nuk ekzistonte raporti i Komisionit të Ligjeve, që u formësua më datën 6 maj. Dallimi midis këtij urdhri dhe urdhrit të publikuar nuk është vetëm midis formateve të publikuara, por edhe në vetë përmbajtjen mes dy akteve. Rendi i ditës që përmban formati shkresor që është sjellë gjykatës si provë thotë: në mbështetje të riurdhrit datë 6 maj. Brenda së njëjtës provë me shkresë, Kuvendi përplaset me veten e tij. Kjo vë në dyshim të fortë vërtetësinë e dokumentit të sjellë. Përpjekjet për të rrëzuar pretendimin e Presidentit tentohen përmes një ndryshimi date urdhri. Ndërkohë që raporti i Komisionit të Ligjeve nuk ishte hartuar akoma”, tha Dervishi.

Ndërsa deputetja Bushka i quajti këto pretendime retorikë çorientuese nga ana e përfaqësuesit të Presidencës.

“Çështja e retorikës së gjatë që u bë këtu për datën 6 e datën 5 sa i takon raportit të Komisionit të Ligjeve, çështjen protokollare apo çështje të rendit të ditës, ishin një ngatërresë e qëllimshme që edhe me provat që ekzistojnë, nuk janë të bazuara ashtu si i paraqiti përfaqësuesi i Presidencës”, tha Bushka.

Bushka rendit shkeljet kushtetuese të Presidentit

Në përfundim të paraqitjes së provave nga secila palë, kryetarja aktuale e Komisionit të Ligjeve parashtroi para trupës gjykuese se përse Ilir Meta duhet të përfundojë mandatin në mënyrë të parakohshme si President.

“Është shkelur neni 18, pika 3 e Kushtetutës. Presidenti ka shfaqur sjellje të hapura diskriminuese. Presidenti ka vepruar në tejkalim të kompetencave të veta, sipas nenit 82 të Kushtetutës. Në asnjë pikë nuk gjendet kompetenca e Presidentit për të mbajtur një qëndrim të pavarur në politikën e jashtme. Siç është arsyetuar në vendimin e Kuvendit për të përfaqësuar vendin në marrëdhënie me jashtë, është për të bërë të njohur vullnetin e qeverisë dhe Kuvendit. Jashtë kompetencës, Presidenti ka ndërmarrë sulme kundër përfaqësuesve të huaj në Republikën e Shqipërisë. Ka përhapur akuza të rreme. Duke ndërhyrë në kompetencat e KQZsë dhe organeve të rendit. Të gjitha sa përmendje më sipër janë shkelje kushtetuese që përbëjnë shkelje të betimit të Presidentit. Shkeljet e betimit. shkelje të rënda të Kushtetutës. Asnjë nga veprimet e Presidentit dhe sjelljet e tij që janë vlerësuar si shkelje të rënda të Kushtetutës. Asnjë nga veprimet e Presidentit, sjelljet që janë vlerësuar si shkelje të rënda nuk parashikohen si kompetencë të tijat. Për këtë sjellje Presidenti nuk gëzon mbrojtjen që parashikohen në nenin 19 i Kushtetutës. Presidenti i ka tejkaluar kompetencat e tij”, tha Bushka.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.