DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: “Ju rrëfej lidhjet e Shamkut me trafikantin”. Në hetim edhe shefi i Komisaritit të Pogradecit

07:00 - 12.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

12 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë.




 Flet zyrtarja e lartë e Shërbimeve Qeveritare

“Ju rrëfej lidhjet e Shamkut me trafikantin”

Në hetim edhe shefi i Komisaritit të Pogradecit

 Marrëdhëniet e Adi Shamkut me shoferin e tij Shkëlqim Konçi, tenderat e pazaret e tjera të bëra në kohën kur sekretari i përgjithshëm i FRESH punonte si drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, tregohen për Gazetën Shqiptare” nga ish-kryetarja e Degës së Tregtisë dhe Shërbimeve në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Teuta Pilika.

Kur e keni njohur Adi Shamkun?

Adi Shamku më ka emëruar në korrik të vitit 2000 si kryetare të degës së tregtisë dhe shërbimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Qeveritare, vend i cili ishte vakant. Pra 1 javë pasi Shamku u emërua në këtë detyrë”.

Po Shkëlqim Konçi kur erdhi në këtë punë?

Kur Shamku u emërua drejtor, bashkë me të erdhi dhe Shkëlqim Konçi.

Si filluan përplasjet tuaja me drejtorin e ri?

Në fillim marrëdhëniet ishin të mira, punoja pothuaj të gjithë ditën, madje në raste të veçanta edhe 18-19 orë në ditë. Në shkurt unë isha 1 javë në Kosovë për punë dhe, kur u ktheva prej andej, ndjeva një lloj distance. Drejtori nuk më thërriste më në zyrë për shpjegime, gjë që e kishte të detyrueshme ta bënte. Në shkurt filloi dhe rikonstruksioni i Vilës 30, e cila u bë rezidencë familjare e kryeministrit. U bënë rregullime rrënjësore dhe çudia më e madhe ishte që unë nuk lejohesha të veja në këtë vilë. Kur erdhi puna për të firmosur materialet e blera për pajisjen e kësaj vile, unë refuzova”.

 

 

Pse nuk i firmosët materialet?

Nuk i firmosa sepse ishin vlera të mëdha, më shumë se 10 milionë lekë të reja”.

Pas kësaj ç‘ndodhi?

Më thërriti në zyrë në fund të muajit mars dhe më kërkoi që unë të jepja dorëheqjen, gjë që s’e pranova, pasi nuk shihja arsye ta bëja. Dhe ai shprehimisht më tha: “Ti s’je krahu im i djathtë”. E kundërshtova sërish, duke i sqaruar se unë për punën kam qenë gjithmonë krahu i djathtë, po për gjëra të tjera jo.

Si sillej drejtori Shamku në punë dhe a e kryente detyrën që i përkiste?

“Para vetes, Shamku, të gjithë punonjësit i konsideronte miza. Sa për punën në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare ai e përdori postin për qëllimet e veta”.

Ju mendoni se Shamku ka përfituar nga detyra që ka pasur?

“Po, dhe këtë e them me bindje. Gjatë kohës që ai erdhi drejtor, përdorte një makinë “Opel” metalizato të Kryeministrisë, pasi më parë punonte si drejtor administrate në Kryeministri. Më pas u bë një tender dhe u ble një “Opel” i zi nga firma “Shoshi” në vlerën 3.5 milionë lekë. Më pas u ble një “Nisan Patrol” 2 milion lekë të reja dhe të dyja këto ngiteshin nga shoferi Shkëlqim Konçi”.

Cilat janë shpërdorimet e detyrës, të bëra nga Adi Shamku?

Shamku vuri në shërbim të FRESH-it të gjitha pajisjet materiale, vlerat monetare dhe kudo që shkonin, ai i shoqëronte. Me fondet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare ai shpërbleu rreth 50 të rinj të FRESH-it me 20 mijë lekë të reja secili. Po kështu, për t’i shërbyer me devotshmëri zonjës Kryemadhi, ai kreu shërbime jashtë shtetit dhe bleu një komplet me 40 pjata, që kushtuan 390.000 lekë, që i bie 10.000 lekë të reja një pjatë, një brokë uji, 50.000 lekë të reja, si dhe një dekoracion lulesh, 30.000 lekë, të cilat u futën në inventarin e Vilës 30 dhe u blenë me fondet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

Po në tendera të tjerë morët pjesë apo bëheshin fshehtas?

Jo, Adi Shamku organizoi tendera të fshehtë për rikonstruksionin e vilave të Vlorës, Himarës, Pogradecit, për të cilat nuk dihet se sa fonde janë parashikuar dhe harxhuar konkretisht. Kur vinin klientë për të kërkuar dokumentet në bazë të lajmërimeve për tendera, këtyre nuk u jepej asnjë dokument, sepse çdo gjë ishte përcaktuar më parë në mënyrë të fshehtë dhe të kundraligjshme. Vetëm për vilën në Vlorë, në bashkëpunim me mikun e tij, Artan Aliaj, u përdorën mbi 10 milionë lekë. Për rikompletimin e apartamenteve të Vilës 20, rezidencë familjare e kryeministrit, me tender të fshehtë, në bashkëpunim me firmën “New Haws”, harxhoi rreth 12 milionë lekë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.