DOSSIER

Raporti i CIA-s, 1953: Kur Shqipëria e Enver Hoxhës u mashtrua nga jugosllavët dhe si u zbeh progresi i bashkimit me Kosovën

13:06 - 19.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në këtë pjesë të tretë të raportit të CIA-s për shqiptarët në Jugosllavi, tregohet se si shqiptarët e Kosovës u lanë në dorë të fatit dhe u braktisën nga Shqipëria, në kohën kur fituan komunistët pas Luftës së Dytë Botërore. I gjithë progresi nga 1941 deri në vitin 1944, kur Shqipëria e Kosova u bashkuan, do zbehej. Serbët i eliminuan mësuesit shqiptarë në forma të ndryshme dhe të gjitha bëheshin “në harmoni të plotë me Enver Hoxhën” thotë raporti sekret i vitit 1953. Një pjesë flet edhe për torturat dhe maltretimet që pësuan ata që donin linjën kombëtare dhe jo atë komuniste.




Fundi i Luftës së Dytë Botërore i gjeti komunistët triumfatorë, prandaj edhe bashkimi kombëtar që ndodhi gjatë tri viteve (1941-1944) nga qeveria shqiptare që bashkëpunoi me gjermanët e italianët, u zhbë.

Nga viti 1941 deri në 1944 shqiptarët e Kosovës u furnizuan me mësues nga Shqipëria dhe u hapën shumë shkolla shqipe, por gjithçka do ndryshonte me marrjen e pushtetit nga komunistët.

Një raport sekret i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, e njohur si CIA, i vitit 1953 dhe i deklasifikuar pjesërisht në vitin 2011, të cilin e ka siguruar Albanian Post, në një pjesë të konsiderueshme flet për këtë periudhë kohore dhe ndryshimet që pasuan.

Raporti shpjegon se si edhe pas ardhjes së komunistëve u tha se gjuha shqipe do mbetej një nga gjuhet zyrtare në Kosovë, por më pas krijoheshin qëllimshëm pengesa që të bëhej pothuajse i pamundur përdorimi i shqipes – sidomos si gjuhë e administratës.

“Serbët u përpoqën t’i bindnin shqiptarët se ekzistimi i gjuhës shqipe krahas serbishtes ishte i kotë, meqë kosovarët e kuptonin dhe e flisnin serbishten”, thuhet në një nga paragrafët e raportit të CIA-s të cilin e ka siguruar AP.

“Gradualisht, gjuha serbe zëvendësoi shqipen si në zyrat civile ashtu edhe në ato ushtarake, megjithëse disa gjurmë të gjuhës shqipe mund të gjendeshin ende në zyrat publike deri në fund të vitit 1945”.

Sipas dokumentit, një nga manovrat që përdoronin komunistët ishte edhe ajo që formalisht u thuhej popullatës që mund t’u adreson institucioneve në gjuhën shqipe, “mirëpo, duke qenë se anëtarët e administratave ishin serbë, ata gjithmonë mund të pretendonin se nuk e dinin gjuhën”, prandaj nuk u kryenin punë.

Kështu përgjigjet për kërkesat ose kryerja e ndonjë pune administrative vononte tepër shumë, ose nuk bëhej fare.

“Prandaj, përkundër statutit që autorizonte përdorimin e gjuhës shqipe, serbishtja mbeti gjuhë administrative”.

Në 33 faqe tekst me kodin “50X1-HUM”, i cili përdoret për dokumente që kanë informacione nga burime njerëzore konfidenciale dhe që de-klasifikimi i emrave nuk guxon të ndodhë para 75 vitesh, tregohet se si “mësuesit e stafit të dërguar fillimisht nga Ministria e Arsimit nga Qeveria e Tiranës, për në Kosovë në vitet 1941 dhe 1942, u liruan gradualisht në fund të vitit 1945”.

Përjashtim bënin “tre-katër veta që u miqësuan me autoritetet”.

“Shumica e mësuesve u akuzuan për anëtarësim në ndonjë organizatë të fshehtë nacionaliste. Në mesin e të dënuarve me vdekje ishte Bedri Gjinaj, profesor në shkollën normale dhe drejtor i shkollës fillore të Gjakovës; Dr. Sylejman Lleshi, profesor i shkollës normale të Gjakovës; dhe Skender Curri e Myrteza Kryeziu, të cilët të dy ishin mësues në Gjakovë”.

“Profesor Gjon Sereqi, me origjinë nga Ferizaj, u arratis në mal, por më vonë u kap nga OZNA (shërbimi sekret që më u riemërua si UDB-a”.

“Profesori Kil Margjini ishte dënuar sepse kishte qenë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit; vdiq në Pozharevc. Studentët që kishin ndjekur kurse pedagogjike u akuzuan për bashkëpunim me profesorët e mësipërm, dhe u dënuan me kushte të ndryshme dënimi në vitin 1945. Trajtim të ngjashëm morën edhe instruktorët shqiptarë në Maqedoninë Perëndimore”.

Një nga gjërat më interesante që shpalosë kjo pjesë e raportit të CIA-s ishte informacioni se si vrasja e mësuesve shqiptarë nuk bëhej pa dijeninë e regjimit komunist të Tiranës.

“Eliminimi i profesorëve nacionalistë në Kosovë në vitin 1945 u bë në harmoni të plotë me Enver Hoxhën”, thekson raporti.

Por, nuk përfundonte gjithçka me eliminimin. Plani ishte shumë më malicioz dhe përsëri bëhej me dijeninë, por edhe mbështetjen, e regjimit të Hoxhës.

“Nga Shqipëria u dërgua një personel i ri arsimor, i rekrutuar me nxitim nga studentë gjysmë-injorantë, të cilët nuk kishin formim të veçantë në pedagogji”.

“Ata u dërguan në dy grupe, njëri në vitin 1945 dhe tjetri në 1947, dhe numërojnë rreth dyzet deri në pesëdhjetë persona”.

Në Kosovë shkolla të reja do hapeshin, por në ato shkolla “gjuha e përdorur ishte serbishtja”.

Komunistët i detyronin shqiptarët që të mësonin për “historinë e luftës kombëtare jugosllave për çlirim, strukturat e Partisë Komuniste dhe biografitë e udhëheqësve komunistë”.

“Historia shqiptare nuk mësohej ende në shkolla. Çdo student që dinte ndonjë fakt të historisë shqiptare, i kishte mësuar ato me vullnetin e tij patriotik. Serbët guxuan edhe të kundërshtojnë origjinën e Skënderbeut. Sa herë që historia e Skënderbeut diskutohej, zyrtarët e Partisë deklaronin se kjo çështje është ende e paqartë në histori”.

Ishin krijuar edhe disa shkolla me konvikte ku shkonin nxënësit shqiptarë si në Prizren, Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë e Gjilan në vitin 1946, por “ushqimi nuk ishte i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e të rinjve”.

“Në vitin 1947 racioni ditor i bukës përbënte një sasi prej vetëm 350 gramë. Në vitin 1948 racioni ditor i bukës u rrit në 500 gramë. Megjithatë, në pranverë të po atij viti nxënësit u dërguan të punonin në ndërtimtari”.

“Puna ishte planifikuar nga Partia dhe, ‘vullnetarët’ u zgjodhën nga listat e përpiluara për këtë qëllim nga organizatat rinore”.

Derisa, “kur nxënësit shqiptarë dëshirojnë të prezantojnë një shfaqje në gjuhën e tyre, sajohen të gjitha llojet e justifikimeve për t’i penguar që të marrin me qira teatrin”.

“Në përgjigje të kërkesave, Partia do të deklaronte se parimi dhe dëshira ishin legjitime, por kishte vështirësi të ndryshme si mungesa e kostumeve shqiptare, mungesa e orendive të përshtatshme, dekorimet, skenarët, etj”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.