OPINION

Letër e hapur znj. Letër Higjienike

16:30 - 20.02.22 Edmond Tupja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Po, kam nderin të të drejtohem ty publikisht, e nderuar zonjë me emrin e lavdishëm Letër Higjienike. Që në krye të herës po të pohoj, me një ndjenjë të theksuar faji, se historia të ftoi me vonesë të hyje lirisht e dendur në përdorim tek familjet shqiptare, sepse qysh nga koha e largët të fëmijërisë sime mbaj mend që shumica e familjeve në fjalë lahehin me ujë të ftohtë pasi kryenin shkarkimin fisnik të zorrës së trashë të paktën një herë në 24 orë, kurse ata që fshiheshin me letër nuk të njihnin thuajse fare ty, të pastër e të bardhë dhe sidomos të butë e të parfumuar siç je sot, ndaj fshiheshin thjesht me letër gazete! Po, po, me letër gazete, mos u çudit! Mbaj mend gjithashtu emrat e gazetave në fjalë, të cilat, natyrisht, përfundonin në nevojtore pasi ishin lexuar; mbaj mend gjithashtu se e fundit që kishte këtë fat ishte gazeta “Zëri i Popullit”, organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i së cilës ishte edhe im atë, një nga dyqind komunistët e parë, por që më 8 nëntor të vitit 1941 gjendej në burgun e Elbasanit, ngaqë fashistët italianë e kishin arrestuar gjatë një demonstrate. Mbaj mend gjithashtu se, kur isha rreth dhjetë vjeç, im atë, i shoqëruar nga një komshi, më mori një pasdite me vete për të parë një ndeshje futbolli në stadiumin “Qemal Stafa”, që sot mban emrin e shkruar thatë e thartë në anglishte “Air Albania”. Asokohe, në atë stadium, tifozët uleshin drejt e në shkallët prej betoni dhe, shpesh, vinin nën vithe ndonjë gazetë që të mos u ndoteshin pantallonat. Kështu veproi edhe komshiu ynë, i cili shpalosi një gazetë që e ndau përgjysmë me tim atë; ky e ndau pjesën e tij më dysh për vete dhe për mua, por në çastin kur unë po matesha të ulesha pikërisht mbi pjesën time të gazetës së komshiut, i panjohuri në krahun tim u hodh e tha: “Na, more djalë, mos u ul ashtu mbi fotografinë e shokut Enver!”. Im atë u drodh, ma tërhoqi pjesën time të “Zërit të Popullit” nga poshtë të ndenjurave, dhe më mori në prehër. Që nga ajo ditë, në shtëpi ose më saktë në nevojtoren tonë ato copa gazete ku figuronin fotografi të Enver Hoxhës, të anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, të Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor apo të Kryeministrit e të ministrave, nuk përdoreshin për të fshirë prapanicën, por griseshin imtësisht para se të përfundonin në koshin e plehrave.




Me ardhjen e demokracisë edhe në Shqipëri, për fat të mirë erdhe gjithashtu ti, o e bekuar zonja Letër Higjienike, që lëvduar qoftë deri në amëshim emri yt, pra, erdhe ti, pa fytyra presidentësh, kryeministrash, kryebashkiakësh, deputetësh, ministrash etj., etj., kështu që, për pasojë lumturisht të pashmangshme, askush, të paktën teorikisht, nuk e fshin, nuk e fërkon, nuk e kruan, nuk e lustron më vrimën e ullukut të prapanicës me gazeta ku fytyrat qesharakisht të shenjta e të shtrenjta e tërë pushtetarëve tanë të të gjitha niveleve – president, kryeministër, kryebashkiak, deputet, ministër, mashkull apo femër, hetero apo homo – do të rrezikonin të lyheshin, përlyheshin e stërlyheshin me lëndë fekale të të gjitha llojeve e asortimenteve, do të rrezikonin të ndesheshin me ndonjë krijesë bardhoshe si oksiuret e askaridet, do të rrezikonin të thithnin e përthithnin bakterie besnike apo viruse vigjilente të të gjitha kategorive duke u qelbur kësisoj për jetë të jetëve.

Megjithatë, zonja Letër Higjienike, ti do të ndiheshe fort e nderuar, e privilegjuar dhe e ngritur në qiellin e shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë, sikur, lejomë ta theksoj, të gjithë pushtetarëve tanë të të gjitha ngjyrave, të cilët sapo i përmenda pak më lart, ti t’u bëje një publicitet elegant në kohë fushatash zgjedhore duke u përhapur kudo kundërmimet e kutërbimet e jashtëqitjeve të tyre çudibërëse për gjithë ata zgjedhës të cilët do të shesin votat dhe shpirtin e tyre që Shqipëria të transformohet në një oturak gjigant të Ballkanit të hapur, të Europës përgjysmë të mbyllur dhe të Botës gomarisht të globalizuar.

Së fundi, por jo më së paku, lejomë që, për të mirën tënde, të të paralajmëroj të ruhesh nga veprimet e paparashikueshme të turmave të të varfërve, të të pakënaqurve, të të papunëve, të të pastrehëve, të të dëshpëruarve që ndoshta një ditë mund të bashkohen për t’i detyruar pushtetarët tanë të pangopur e të panginjur, lakmitarë e gopçarë, makutë e të babëzitur, të hanë të pëgërat e tyre pa të lënë më t’ua fshish, fërkosh, kruash e lustrosh vrimën në ullukun e prapanicës së dënuar me kapsllëk të përjetshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.