DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Gjyqi Hajdari/ Enigma e kasetës dhe zyrtarit të policisë

07:00 - 21.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

21 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Gjyqi Hajdari/ Enigma e kasetës dhe zyrtarit të policisë

 Prapaskena e dëshmisë se Petrit Çakrrit

 Çfarë prisnin avokatët e të akuzuarit dhe çfarë ndodhi dje në sallën e procesit “Hajdari”. Njeriu misterioz nën kostumin e një zyrtari të lartë të policisë shqiptare që ka parë gjithçka bashkë me dëshmitarin. Cilat ishin detajet më të rëndësishme të rrëfimit të Çakrrit dhe pse për herë të parë Astrit Muldaka vendosej në makinën e krimit. Momentet më të nxehta të seancës së djeshme.

 Tiranë – Prapaskenat e një kompromisi të dështuar apo e vërteta e thjeshtë e 12 shtatorit 1998, është rrëfyer dje nga Petrit Çakrri. Mistere prapa të dukshmes, fshehin ardhjen e tropojanit 32-vjeçar dje në sallën e gjyqit.

Avokatët që këmbëngulin të thërrasin dëshmitarin e burgosur, të pandehur, që kërcënojnë dhe fyejnë trupin gjykues dhe prokurorë që kundërshtojnë me çdo kusht dëshminë e petrit Çakrrit në gjykatë. Pse gjithë ky konflikt për një dëshmi? Kjo është skena që ka mbizotëruar për më shumë se 11 muaj rresht seancat gjyqësore të procesit “Hajdari” dhe që u dha fund tre ditë më parë. Me një vendim, të papritur për të pandehurit, kryetari i trupit gjykues, Arben Micko, urdhëron ardhjen në gjykatë të njeriut, i cili pretendon se ka parë atentatin e deputetit demokrat Azem Hajdari nga veranda e lokalit “Hanover”.

 

 

Pse këmbëngulje kaq e madhe

Petrit Çakrri dëshmitari i vetëm i cili akuzon Ismet Haxhinë si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit demokrat dhe truprojës së tij përpara selisë së Partisë Demokratike. Për vëllain më të madh të Haxhiajve, dëshmia e Çakrrit deri në momentin e përballjes me të, dje në sallë nuk ishte asgjë tjetër veçse një sajesë e kreut të grupit të prokurorëve “Hajdari” Haxhi Giu. Ismet Haxhia vinte në dyshim nënshkrimin e sigurimit të përvojës së Çakrrit në prokurori, e cila sipas tij, nuk është e 32-vjeçarit, por është falsifikuar. Dikush duhej ta kishte sinjalizuar se në sallën e gjyqit, Çakrri nuk do ta pranonte nënshkrimin e procesverbalit, ose të paktën do të mohonte thëniet e tij pranë organit të akuzës. Kjo duhej ta kishte nxitur edhe më shumë që të insistonte në kërkesën e tij për thirrjen në gjykatë të dëshmitarit. Insistimi arriti deri më aty sa disa javë më parë vëllezërit Haxhia vendosin të largohen vullnetarisht nga gjyqi. Për 4 të pandehurit, Çakrri nuk ishte asgjë tjetër veçse një “kriminel” (thënie e tyre), i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë. Në këmbim të deponimit kundra Haxhiajve, Fatmir Metës, dhe Jaho Mulosmanit, sipas tyre, prokuroria i kishte premtuar ndihmë juridike. Ja disa nga arsyet përse Çakrri duhej të vinte me çdo kusht në gjykatë dhe të zbulonte disa nga të vërtetat dhe paktet e fshehta që mund të kishte nënshkruar në këmbim të lirisë. Ndërsa në anën tjetër, prokuroria vazhdonte të këmbëngulte në kërkesën e saj kryeneçe, që Çakrri të mos vinte në sallën e gjyqit. Një këmbëngulje që linte të dyshoje “të vërtetat” e 4 të akuzuarve për vrasjen e deputetit. Më pas vjen papritur vendimi. “Petrit Çakrri do të dëshmojë në gjykatë”.

Çfarë ndodhi dje

I burgosuri tropojan vë me “shpatulla në mur” Ismet Haxhinë, Jaho Mulosmanin dhe Fatmir Metën. “-Po, keni qenë në vendngjajre”- pohon të njëjtën gjë që kishte thënë në fazën e sigurimin e provës Petrit Çakrri. Disa herë dhe me bindje të plotë, Çakrri ka deklaruar se ish-shefi i qarkullimit të komisariatit të Tropojës, ka qenë në vendngjarje disa minuta para vrasjes me makinën e tij, “Tipo” të policisë. Megjithatë, për mbrojtjen seanca e djeshme ka qenë një sukses, pasi me dëshminë e Çakrrit kishte vërtetuar pabesueshmërinë e tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.