OPINION

Le të thyhet heshtja! Historia ka nevojë për ju

18:00 - 21.02.22 Përparim Kabo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(Pjesa e dytë)




…Shpesh gjykimi për fiset do të duhet të mbajë në vëmendje zhvendosjen e tyre, lëvizjet e detyruara, zgjerimet territoriale dhe përzierjet. Nëse në mënyrë të ngurtë dhe nisur vetëm nga burimet dokumentare apo shënimet e udhëtarëve përpiqemi që të pranojmë si më të saktë gjithçka është shkruar dhe që figuron si burim dokumentar i pranuar nga shumë studiues, me gjithë rëndësinë që ka kjo metodologji, sërish nuk mjafton. Është e domosdoshme që pa i mënjanuar si referime këto të dhëna, në një punim që rreket të nxjerrë përfundime, lypset edhe analiza gjithëfaktoriale. Ky qëndrim i bën nder dijetarit serioz që nuk shpërfaqet thjesht si një dokumentues dhe përcjellës skrupuloz i informacioneve që gjen falë gërmimeve që ka bërë. Mbledhja e mirëmenduar dhe sistematike e të dhënave, analiza dhe interpretimi i tyre i lejojnë ato të zhvillohen si dëshmi që mbështesin idetë ndihmojnë argumentet dhe hipotezat shkencore. Interpretimi është thelbësor, për arsyen e thjeshtë se dobia dhe përdorimi i gjetjeve të kërkimit shkencor qëndrojnë në interpretimin e duhur të të dhënave. Hulumtuesi mund të vlerësojë më mirë vetëm përmes interpretimit, pse gjetjet e tij janë ato që janë dhe mund t’i bëjë të tjerët të kuptojnë rëndësinë e vërtetë të gjetjeve të tij kërkimore. Në punimin që kemi në dorë tashmë si botim të plotë, i kemi të mishëruara këto parime metodologjike. Nga autorë seriozë që bëjnë analiza të tilla është evidentuar se popujt apo fiset që lëvizin zgjerohen në territore apo edhe zhvendosen bashkë me mjetet materiale të jetesës, bartin edhe kujtesën, ritualin dhe emërtimin. Emri i mban të lidhur dhe të bashkuar është identiteti në një hapësirë jetike, që para mbërritjes nuk ka qenë e tyre. Ka një lloj “incesti” antropologjik, siç e përdor këtë term Erich Fromm (të kuptohemi drejt, incesti seksual është gjë tjetër, është një devijim që ka të bëjë me raporte seksuale brenda gjakut, pra, është një lloj patologjie). Incesti antropologjik është mbajtja e lidhjes si komunitet njerëzor që i takon një lidhjeje natyrore si familje, farefisni dhe fis. Nëse kjo bashkësi do të ndërronte emrin, ose do të shpërfaqej e paemër në hapësirat e reja natyrore dhe jetësore, atëherë do të rrezikonte lidhjet, bashkëveprimin dhe mbijetesën. Autori në studimin e tij punon si një qëndistar i arsyetimit për këtë proces që mund të përmblidhet në fiszhvendosje dhe emërtim. Nëse nuk pranon mobilitetin, atëherë gabimi është i pranishëm se ku ka qenë ky fis, këtu apo atje, në këto koordinata gjeografike natyrore dhe toponomistike apo diku tjetër, aq sa mund që të ngërthehesh pa gjetur zgjidhjen duke rënë në dyshimin dhe këtu dhe atje. Ky mjegullim vjen sa kohë kur harrohet se popujt kanë lëvizur edhe me ikje-kthim, por edhe me largime pa kthim, ndaj nëse do ta analizosh atë popullatë, qoftë edhe një fis konkret, duhet të njohësh teorikisht shtresat e pastra antropologjike e më tej të ribësh udhëtimin historik të atyre njerëzve dhe bashkësive dhe të evidentosh ku ecën ata. Ku shkuan dhe ku u ndalën? Kë takuan, me kë dhanë e morën? Çfarë shkëmbyen, çfarë humbën nga identiteti fillestar dhe çfarë morën nga popuj të tjerë apo përftuan nga kushtet e reja rrethanore ku u vendosën për të vijuar jetën? Ja ta shohim këtë parashtrim shpjegues me një citim nga punimi për fiset ilire; e citoj: “Thukididi shkruan se kaonët nuk u qeverisën nga mbretër, por nga një qeveri aristokrate me dy prijës ushtarakë, që ndërroheshin çdo vit dhe që zgjidheshin nga familje të vjetra fisnike. Po ai më tej shkruan se kaonët konsideroheshin si më trimat e fiseve epirote. Plini tregon përgatitjen e kripës së gjellës: “in Chaonia excocunt aquam es fonte refrandrandoque salem faciunt inertem nec candidum”. Në vitin 281 para Krishtit, ata u vunë nën sundimin e Pirros. Në vitin 170 para Krishtit, disa prijës kaonë bënë aleancë me Perseun dhe pas disfatës së Perseut, u bënë pjesë e Perandorisë Romake. Kelidonët: Emri i këtij fisi ilir vjen nga Hekataios-i. Sipas tij, ata banonin në veri të sesaretëve (shih Dasaretia). Zippel-i i zhvendos ata në pjesën e sipërme të Matit dhe më tej në veri; Kiepert-i shkruan se ata jetonin në veri të Dasaretias dhe madje në luginën e një lumi në afërsi të Eordaikos-it, i cili quhej Kelizon (Kelison), në emrin e të cilit Müller-i do të njohë sërish emrin e vjetër të fisit. Krahe shkruan se emri vjen nga fjala greke: = dallëndyshe. Dexaroi: Hekataios: Një fis kaon, që jeton në rrëzë të malit Ameron dhe pranë fisit të enkelejve. Bursian-i mendon se ai është i vendosur në veri të Keraunias. Kiepert-i e vendos në rrëzë të Malit Brataj (në juglindje të Vlorës), të cilin ai e konsideron si malin Ameron. Ne mendojmë se deksaroi-ët jetonin në Kaoninë e Vjetër, e cila duhet të ketë përfshirë të gjithë zonën e Beratit dhe Apolonisë. Ne gjejmë një dëshmi në të dhënat e Hekataios-it se deksaroi-ët ishin fqinjë të enkelejve, por duke pranuar se ata ishin paraardhësit e dasaretëve, natyrisht që kuptohet se mbretëria e enkelejve mbërrinte deri në malin e Tomorrit, domethënë, që nga shekulli VII deri në shekullin VI para Krishtit, në periudhën kur fillon rënia e saj. Meqenëse vetë Hekataios-i jetoi në shekullin VI para Krishtit, duhet thënë se pohimi i tij përkon jo vetëm me periudhën kur ka jetuar, por madje mund të na çojë në një periudhë edhe më të hershme dhe prandaj ne mund ta vendosim me siguri të plotë fisin e deksaroi-ve në rrëzë të malit të Tomorrit, të cilin duhet ta konsiderojmë si malin e Ameron-it, sepse është i vetmi mal, i cili meriton të përmendet për shkak të madhësisë dhe lartësisë së tij. Më vonë, të dëbuar nga kolonët grekë dhe ilirët, kaonët u desh të largoheshin nga ajo zonë dhe të vendoseshin në jug, ku më pas formuan Kaonian, e cila njihet nga librat shkollorë dhe atlaset. Një çështje tjetër që të bën përshtypje është kujdesi që tregon autori Tahsin Jonusi për të lidhur popujt-fise me historinë. Kjo qasje ndihmon të kuptohen kontributet, fatet, tragjeditë dhe ringritjet e fiseve. Bazuar në referenca të autorëve antikë, autori jep përfundimet e tyre se si mitet e antikitetit, mitologjia kozmogonike dhe kozmologjia janë të lidhura me fise që nuk janë helene. Ja një rast interesant; e citoj: “Me enkelejtë është e lidhur edhe legjenda e Kadmosit me Harmoninë. Nga Herodoti mësojmë se pas pushtimit të Tebës nga epigonët, kadmejtë shkuan tek enkelejtë. Straboni shkruan se mbretërit e enkelejve rrjedhin nga Kadmosi dhe Harmonia. Për monumentet e gurta të tyre shkruan Skylaxi, si edhe Stefan Byzantinus-i (për detaje të mëtejshme për të shih Zippel, krh. edhe Roscher). Tek Kadmi shohim përfaqësuesin e influencës fenikase në Greqi deri në Adriatikun e sipërm. Këtu ka luajtur një rol të madh tregtia që ata bënin dhe ne e gjejmë përmendoren e tij në shumë vende, të cilat ishin shumë të rëndësishme për transportin detar. Sipas mendimit tim, ne duhet t’i konsiderojmë enkelejtë si një fis ilir; ata ishin të lidhur me Kadmin dhe kadmejtë, sepse enkelejtë ishin në Tebë në fushatat e tyre plaçkitëse dhe më pas gjurmët e kulturës fenikase, që u panë në Iliri, u lanë nga Kadmi dhe pasardhësit e tij ishin të lidhur me enkelejtë”. Referimet nga autori shpesh lidhen me luftërat e kohës, me lëvizjen e trupave ushtarake, me taktikat e ndjekura në funksion të planit të betejës, e cila koordinohej me terrenin, me pikat e referimit, me kështjellat, me vendgrumbullimet dhe bazat e furnizimit. Kështu ndërtoheshin manovrat luftarake dhe këtu studiuesi Tahsin Jonusi gjen shpesh pasaktësi te disa autorë, pasi përcaktimet e tyre bien ndesh me logjikën formale të lëvizjes së forcave ushtarake në marshim dhe në beteja. Është e drejtë kjo mënyrë të argumentuari, ndaj duhet mbajtur në qendërvështrim, sepse vendi i punës në ato kohë ishte lufta dhe punësimi bëhej në ushtri, nga ku sigurohej plaçka dhe prona. Orientimi dhe lëvizjet në terren para, gjatë dhe pas betejave janë të dhëna me shumë rëndësi. Pra, kemi të bëjmë nëse përdorim një nocion modern, me “tregun” dhe dinamikat e tij. Atje ku sigurohen interesat ekonomike dhe materiale, do të duhet të ndalemi me një logjikë të ftohtë, sikur jemi duke parë mbi një hartë ku jepen me shigjeta dhe diagrame lëvizjet e trupave dhe referimi bëhet mbi arsyetimet që orientohen nga objekte të toponimisë natyrore dhe asaj urbane apo etno-toponimistike, të cilat ndihmojnë veprimet luftarake. Ka rëndësi që në analizën historike dhe shtrirjen gjeografike të një fisi të mbahet parasysh dhe struktura fisnore, gjë që do të thotë se brenda një fisi të njohur dhe me kontribute gjenden, si të thuash (sigurisht nëse lejohet të përdoret kjo fjalë), nënfise ose, më saktë, fise që përfshihen tek fisi i njohur dhe kontributiv. Një strukturë e tillë është e pranueshme, sepse edhe sot, nëse thua që jam shkodran apo korçar, në çdo rast përcaktohet edhe zona konkrete, si psh., brenda nga qyteti ose nga x zonë, fjala vjen, nga Dajçi në Shkodër apo nga Plasa në Korçë. Kështu në hulumtimin për fiset ilire autori hyn në damarët strukturorë të popullatës dhe vendos një lidhje të detajuar të banorëve të fiseve, territorit, aktivitetit dhe historisë së tyre. Ja psh., kur flet për taulantët, bazuar në disa burime referimi të hershme dhe të mëvonshme, ai shkruan; e citoj: “Taulantët janë një fis ilir. Ata janë përcaktuar si të tillë nga Thukydidi, Skylax-i, Plini, Arrian, Stefan Byzantinus-i. Duhet pranuar ndarja e taulantëve në shumë fise, gjë për të cilën Schütt-i mendon se më parë kelidonët dhe parthinët kanë qenë pjesë e sundimtarëve të atyre fiseve. Edhe abroi-të konsiderohen si një fis taulantësh. Sipas Thalloczy-it, emri i tyre do të thotë ‘dallëndyshe’ e që duhet të lidhet medoemos me këtë fjalë shqipe. I pari që i përmend fiset është Hekataios-I”. Kur shprehen për fiset, burimet historike janë më tolerante dhe të papenguara, ndaj dhe tregojnë që shtrirja e tyre i tejkalon ata kufij shtetëror apo kombëtarë që lidhen me krijimin e shteteve kombe shumë kohë më vonë. Kur e lexojmë këtë mënyrë, argumentimi në kohët tona nuk duhet (siç bëjnë disa studiues të sotëm) të mbetemi peng të nacionalizmave dhe përjashtimit apo urrejtjes. Nuk është argument se meqenëse sot nuk je i zhvilluar, nuk ke pse të flasësh për zhvillimin tënd të dikurshëm. Në historinë e popujve, në të gjitha periudhat historike njihen si ngritjet, zhvillimi dhe përparimi, ashtu edhe rëniet, dëmtimet, shkatërrimet dhe në jo pak raste, edhe zhdukje popujsh dhe vendesh. Është për t’u respektuar dhe marrë si shembull fakti që sa më thellë të hyjmë në burimet historike të referimit, aq më shumë gjejmë një liri shprehjeje dhe një mungesë të përjashtimit apo denigrimit të popullatave apo fiseve, që nuk janë të njëjta me ato ku bën pjesë apo nga e ka origjinën autori që shkruan për këtë problematikë. Kjo tolerancë dhe liri e shprehjes së të vërtetës është për t’u konsideruar dhe për t’u marrë si shembull nga studiuesit bashkëkohorë. Kur mendimi nuk përzihet me interesa dhe nuk e shet raportin e domosdoshëm me të vërtetën, edhe nëse nuk është tërësisht bindës apo i argumentuar, ai mbetet një kontribut ku ia vlen të referohesh. Në të kundërtën, kur çka shkruhet dhe parashtrohet si argument apo kumt, niset nga interesa jo njohëse dhe jo shkencore, pra, përzihet me elemente turbulluese ekstrashkencore dhe kështu, si një amalgam spekulativ shërbehet në debate, ligjërime, botime dhe mediume, kjo sjellje është në dëm të të vërtetave historike. Të bie në sy në punimin në fjalë se si me argumente dijësore, ashtu edhe me etikën e një studiuesi objektiv, mëse një herë doktor Jonusi shprehet se përfundimi i këtij autori apo atij tjetri në këtë rast është jo i saktë apo se nuk përkon me të dhëna të tjera direkte dhe indirekte për çështjen në fjalë.

Të vërtetat historike dhe ato shkencore

Malet dhe emrat e tyre kanë pasur një rëndësi shumë të madhe në orientimin e shoqërisë njerëzore që nga kohët e mugëtirave. Oronimet (emrat e maleve) shpesh janë më të pandryshueshmet. Fjalën “mal”, që është një fjalë e gjuhës shqipe, e gjejmë të bashkëlidhur edhe me fjalë të gjuhëve të tjera, kur duan ta tregojnë këtë objekt natyror ose procesin e ngjitjes në lartësi. Për gjeografët, qëkur mendimi nisi të merrej me studimin e natyrës, pra, edhe me ndërtimet e larta natyrore, studimi i maleve ka pasur një rëndësi të dorës së parë. Me emrat e tyre dhe kushtet klimatike që ato krijojnë, me rolin që kanë luajtur në zhvillimin e ngjarjeve historike, përfshirë këtu betejat luftarake, me strehimin natyror të njerëzve në raste të rrezikut, cilido qoftë ai, atmosferik, natyror apo betejë me armë, janë marrë emrat më të shquar të mendimit dhe dëshmimit në shekuj. Meqenëse gjeografia ndërton hartat dhe atlaset, përcakton distancat dhe rrugët e kalimit, për të gjitha këto arsye malet e larta janë pika orientimi dhe si të tilla, për ta ka pasur një interes të shtuar studimor në të gjitha kohërat. Nëse një mal është në brendësi të hapësirës territoriale jetësore, ai ka rëndësi për rrugët e brendshme, kalimet dhe lëvizjen. Nëse është buzë detit, ai shërben si pikë referimi për rrugët dhe kufijtë detarë, por edhe për ndarje detesh. Është me shumë vlerë ky interesim që autori paraqet në studimin e tij doktoral, duke e rrokur guximshëm këtë materie studimore. Ai ka ditur ku të qëmtojë dhe ku të referohet. Parapëlqej një përcaktim të tij për një nga malet e larta të vendit tonë, e citoj nga punimi këtë pasazh: “Keraunia: Ato janë malet Keraune, vargmali që shkon nga Onkesmos-i gjatë detit Jon për në veriperëndim dhe përfundon në Akrokeraunia. Ky vargmal përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë dhe maja e Çikës, maja e tij më e lartë, është 2025 m e lartë. Ajo ngrihet thikë mbi det dhe është pika më e afërt për bregdetin italian. Për gjeografët e vjetër Strabonin, Skylax-in, Skymnos-in dhe Polybius-in, vargmali u konsiderua si një pikë referimi për ndërtimin e hartave dhe përcaktimin e distancave, si edhe si kufiri midis deteve Jon dhe Adriatik. Plini shkruan për të: “Në atë vend fillon Epiri me malet e Vetëtimës, të cilat përcaktojnë kufirin e Gjirit të Europës”. Për lexuesin e sotëm është me rëndësi të ndalemi te ky personalitet, sepse autori i është referuar shpeshherë dhe në gjykimin tim, mirë ka bërë. Kush ishte Plini? Gaius Plinius Secundus (AD 23/24 – 79), i quajtur Plini Plaku, ishte autor romak, një natyralist dhe filozof natyror, komandant detar dhe ushtrie i Perandorisë së hershme Romake dhe një mik i perandorit Vespasian. Ai shkroi enciklopedinë “Naturalis Historia” (Historia Natyrore), e cila u bë një model redaktues dhe libër referimi për enciklopeditë. Plini e kaloi pjesën më të madhe të kohës së lirë duke studiuar, shkruar dhe hetuar fenomenet natyrore dhe gjeografike në këtë fushë. Nipi i tij, Plini i Riu, shkroi për të në një letër drejtuar historianit Tacitus: “Nga ana ime, unë i konsideroj të bekuarit të cilëve, në favor të perëndive, u është dhënë ose të bëjnë atë që vlen të shkruhet, ose të shkruajnë atë që ia vlen të lexohet; mbi masën e bekuar janë ata, të cilëve u janë dhënë të dyja dhuratat. Në numrin e fundit do të jetë xhaxhai im, për shkak të kompozimeve të tij dhe të tua”. U ndala këtu jo pa qëllim në këto rreshta. Termi Epir dhe territori me emrin Epir janë edhe sot një nyje debatesh, ngatërresash, pështjellimesh, ndeshjesh, urrejtjesh dhe shpagimesh. Me fjalë të shkoqura, Epiri në gjenezën e tij, ku i kishte kufijtë dhe shtrirjen dhe me cilat fise dhe etni ishte i populluar? Sigurisht, gjendja dhe realiteti etnokulturor është në ditët tona jo ai i asaj kohe. Gjatë rrjedhave historike ka pasur ndryshime në raportet gjeografike dhe ato gjeoantropologjike deri në hapësirat gjeopolitike; për më tepër, kur lindën shtetet moderne, shtetet kombe që janë edhe sot. Veçse identitetet historike janë si ujërat e nëndheshme; edhe pse kanë ndodhur ndryshime mbi sipërfaqe, rrjedhat nëntokësore mbeten po ato. Kështu, edhe identiteti i zonës në fjalë, sipas Plinit, është siç e thotë ai, “Këtu, në këto male nis Epiri” dhe jo (gabimisht) si bëjnë pseudostudiuesit, të cilët për interesa të mbrapshta, ndërkallin në lojën e arsyetimit elemente politike apo gjeopolitike, me qëllim që Epirin ta identifikojnë me Greqinë. Ka dy alternativa për ta: ose të pranonin se aty ku nis Epiri, sipas Plinit, ka qenë Greqia, gjë të cilën ai nuk e pohon, ose nëse atje kanë qenë pellazgo-ilirët, ajo hapësirë nuk mund të quhet Epiri grek. Toponimi bëhet dhe më debatprurës dhe më ngatërrestar, kur nga emër toponimistik në rrethana të caktuara, përdoret edhe si emër territori administrativ. Në rast se ky përdorim është një sjellje normale administrative e popullatës vendëse, situata është më e kthjellët, por jo pas dritëhijesh të prodhuara enkas në skutat e errëta të vendimmarrjes politike, gjeopolitiko-ushtarake. Nëse heroi ynë kombëtar e deklaronte veten Princi i Epirit dhe e lidh këtë me rrënjët historike, ndërsa studiuesi korrekt e argumenton me provat historike që jepen në studimet serioze, të besueshme dhe jo spekulative, një qëndrim i tillë është si një shtyllë mbajtëse në godinën e historisë sonë. Nëse dikush apo disa, të vjetër dhe të rinj, të ndershëm që gabojnë dhe të pandershëm që paguhen për pandershmërinë e tyre si falsifikatorë të historisë, me çdo mjet (jo) shkencor dhe propagandistik duan të mjegullojnë të vërtetat historike dhe ta nxjerrin Epirin grek, ai ose ata, në radhën e deformimit historik nuk ndalen që edhe heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, ta nxjerrin me origjinë greke dhe pse jo, si një hero të popullit grek. Ky lloj deformimi nuk është thjesht një lajthitje apo keqkuptim, është më shumë dhe më shtrembër, shkakton provokim me historinë dhe me faktologjinë historike. Është tek e fundit një fyerje që i bëhet një populli tjetër në historinë e tij. Ja përse mendimi shkencor që lidhet në rastin tonë me një mal dhe me vendndodhjen e tij, si edhe me vlerësimin që kanë dhënë gjeografët e hershëm, ka një rëndësi kaq të madhe dhe një vlerë kaq universale si shtrirje në kohë. Përballë emrave të shumtë të spekulatorëve, pavarësisht se nga cila “kuzhinë ata dalin” dhe me cilat motive shtrembërojnë historinë dhe godasin autorët që kanë vënë themelet e dijes njerëzore, larg çdo qëndrimi të ngushtë me motive të etnocitetit (siç është edhe rasti i Plinit), studiuesi serioz dhe me parime shkencore e metodologjike zgjedh të referohet edhe sot tek Plini. Një qëndrim i tillë është njëherësh skrupulozitet dhe kurajë qytetare. Ata që duan të shtrembërojnë historinë, nuk ndalen në veprimet e tyre vetëm me atë që shkruajnë. Kohët dhe ngjarjet kanë provuar se e vërteta është paguar shtrenjtë. Vetëm dëshmorët e së vërtetës kanë ndriçuar rrugët e njerëzimit për të udhëtuar drejt ndryshimit, ardhmërisë dhe zhvillimit, në kuptimin më të përgjithësues të këtij termi, si formulim dhe si proces real në jetën njerëzore. Autori vijon më tej. “Nga poetët romakë përshkruhet gjithashtu frika e detarëve përpara këtij shkëmbi të thiktë pa një port, siç vihet re edhe nga fakti që ky mal është pikënisje për udhëtimin për në Itali. Verg. Georg shkruan: Alta Ceraunia; Aen: “Mbërritëm nga deti në malet fqinje të Vetëtimës, nga ku rruga detare është shumë e shkurtër për në Itali”. Ovidi: “Violenta Ceraunia”. Lucan: “Në re u zhdukën malet e Vetëtimës. (Dita) i çoi malet e Vetëtimës drejt lundërtarëve. Lundërtarët u druhen më shumë maleve shkëmbore të Vetëtimës”. Për të dhënat nga burimet e tjera, khs. Oberhummer-in. Vargmali e ka marrë emrin nga stuhitë, që ndodhin shumë shpesh atje dhe që shkaktohen nga forca tërheqëse e vargmalit, i cili del fuqishëm në largësi dhe lartësi mbi det”. Kur lexon këta poetë të vjen në mendje që nëse do të falsifikosh apo përmbysësh thëniet e tyre, nuk është thjesht një sulm aventuresk, është më shumë se kaq, kemi të bëjmë me veprime që nën shtjellat e historiografisë apo mendimit akademik, duan të saldojnë me keqdashje të shkuarën e deformuar me një të sotme jo organike me të; kështu të kenë mundësi të propagandojnë një të ardhme jo normale për brezat që vijnë. Shitja e historive të gënjeshtërta është një akt i shëmtuar me pasoja të rënda dhe të tejkohshme. “Lajmet e rreme për të kaluarën janë një krim kundër historisë”, e titullon një punim të tij për këtë problematikë të vjetër e të stërvjetër, por edhe të re dhe krejt të freskët, Antoon De Baets, profesor i Historisë, Etikës dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Groningen-it, Holandë. Ja si shprehet ai në punimin e tij: “Historianët që vëzhgojnë debatin aktual mbi lajmet e rreme janë të tunduar të bëjnë komente nga një perspektivë afatgjatë. Së pari, lajmet e rreme, si një lloj gënjeshtre që përbën dezinformim, kanë një origjinë të lashtë. Në të vërtetë, midis bollëkut të burimeve parësore të përdorura nga historianët për të studiuar të kaluarën, disa janë të falsifikuara, shumë të shtrembëruara dhe të gjitha janë të njëanshme. Për të filtruar të vërtetën nga burime të tilla, historianët kanë zhvilluar një metodë të ashpër të kritikës së burimit gjatë kohëve, së pari në Azinë Lindore dhe Europë. Edhe pse një fenomen i vjetër, lajmet e rreme nën maskat e tyre të fundit, gjithashtu kanë disa veçori të habitshme të reja, sepse në ditët e sotme ato përhapen në internet, kryesisht përmes platformave të mediave sociale. Këto veçori të reja janë: të gjithë mund të publikojnë dhe shpërndajnë përmbajtje; kjo mund të bëhet me dëshmi që është e lehtë të shtrembërohen, në një shkallë të paparë dhe me shpejtësi të paparë dhe njerëzit kanë kapacitet për mikro-target auditorë. Edhe pse shumë vëzhgues janë të impresionuar nga efikasiteti i lajmeve të rreme në internet, opinionet mbeten të ndara në lidhje me ndikimin e tij të vërtetë. Së dyti, për t’iu kundërvënë lajmeve të rreme, mediat kryesore kanë rizbuluar një mjet të fortë nga çanta e kritikës së burimit: kontrollimin e fakteve. Ky mjet është pothuajse aq i vjetër sa shkenca, por vetëm kohët e fundit u bë e qartë se një prej efekteve të tij të njohura psikologjike mund të jetë nënvlerësuar për shekuj: rreziku i shpërthimit të tij. Duket se shumë njerëz nguliten më shumë në besimet e tyre, kur këto sfidohen nga prova të forta, një fenomen ky i njohur si disonancë njohëse. Përveç kësaj, në çmontimin e lajmeve të rreme, shërbimet e verifikimit të fakteve janë të dënuara të përsërisin pretendimet kryesore të këtyre artikujve, duke rrezikuar kështu të nxisin qarkullimin e tyre.” Ka ndeshje që zhvillohen në fushëbetejë. Ka luftëra që zhvillohen me armët e kohës dhe që shkaktojnë viktima, por ka edhe luftëra që bëhen në faqet e librave, në aulat akademike dhe në forume deri te publiciteti përditësor që, në kushtet e teknologjisë së informacionit, shpërndahen me një shpejtësi marramendëse. Nëse duam të përfshihemi në betejat për të vërtetën, duhen dije, argumente bindëse shkencore, burime të begata, analizë dhe logjikë, kundërargumente dhe mendime alternative, bindje dhe qëndrueshmëri, kurajë dhe mospërkulje. Autori i studimit, doktor Tahsin Jonusi, ka qenë i mbrujtur me këto vlera, cilësi dhe atribute. Ai është dëshmor edhe i të vërtetave të mëdha historike të popullit tonë. Nazizmi i mori jetën në dhomat e gazit, komunizmi i përndoqi familjen dhe i bllokoi veprën duke e konsideruar armik, ndërsa tranzicioni i pasviteve ‘90 e braktisi përmes komplotit të heshtjes. Ai ka sakrifikuar, prandaj edhe botimi i punimit të tij më së fundmi është fitore shkencore, por edhe njerëzore mbi të tria këta sisteme. E vërteta është si drita, ajo nuk mund të burgoset përjetësisht. Nuk është as çudi dhe as keqkuptim nëse prania e territorit tënd apo vendndodhja e tij nuk del nga përshkrime direkte të autorëve vendës, por takohet në përshkrime dhe studime të autorëve të huaj, të cilët në periudha të caktuara historike kanë qenë zërat kryesorë të mendimit dhe botimeve diturake.

Vijon

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.