DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Zjarr në mesditë / Shpëtojnë familjarët, policia: Po hetojmë shkakun. Tropojë, digjet kulla e vëllezërve Haxhia

07:00 - 27.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

27 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Zjarr në mesditë / Shpëtojnë familjarët, policia: Po hetojmë shkakun

Tropojë, digjet kulla e vëllezërve Haxhia

Flakët djegin kullën e Haxhiajve

Policia: Enigmë shkaqet e zjarrit dhe të dëmit

Tropojë

Digjet kulla e Haxhiajve në Babinë të Tropojës. Disa orë pas mesditës të së hënës shtëpia e vjetër e Ibrahim Haxhisë, (i kishte mbetur si pronë pas largimit të vëllezërve të tjerë) është mbuluar nga flakët.

 Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Ministrisë së Rendit Publik, të cilat nuk japin hollësi të tjera. Në këtë kullë kanë kaluar fëmijërinë dhe janë rritur edhe vëllezërit Isamedin, Ismet e Izet Haxhia, të cilët aktualisht kanë një kapitull të hapur me drejtësinë, të akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Dy prej tyre Ismeti e Isamedini, aktualisht janë në Burgun 313 dhe duke u gjykuar.

Zjarri

Njoftimi për shtyp i policisë thotë, se flakët e zjarrit kanë përpirë shtëpinë e Ibrahim Haxhiajt në orën 15.00 të datës 25. Deri tani askush nuk ka dhënë shkakun e ndezjes së zjarrit. Në kullë ka pasur pak njerëz që menjëherë kanë nisur betejën me flakët për t’i shuar. Por as kovat e ujit (për zjarrfikëset as që bëhet fjalë fare në atë zonë) dhe as lopatat e dheut nuk kanë mundur të shuajnë flakët që janë ulur vetëm pas disa orësh, pasi kanë shkrumbuar gjithçka kishte brenda madje edhe muret. Në ndihmë të familjes Haxhiaj kanë shkuar edhe banorët e tjerë të fshatit, por as ndihma e tyre nuk ka mundur të shpëtojë ndonjë pjesë të shtëpisë të pa shkrumbuar. Askush nuk jep shifra për dëmin ekonomik të shkaktuar (sepse në kësi rastesh shqiptarët ngushëllohem ne faktin “shyqyr që shpëtuan njerëzit”. Por burime nga qyteti verior konfirmojnë se vetëm dëmi i orendive dhe pajisjeve shtëpiake i kalon 1 milion lekët. Burime zyrtare të Ministrisë së Rendit mjaftohen me faktin, se “në vend shkoi grupi hetimor, kreu veprimet e para proceduriale dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit e vlerën e dëmit”.

 

 

Shkaqet

Policia, megjithëse pohon se ka shkuar në vendngjarje, është shumë e rezervuar për shkaqet e ndezjes së zjarrit. Nuk thotë nëse kemi të bëjmë me një tragjedi të rastësishme apo me një djegie të qëllimshme. Në fakt, duket disi e çuditshme djegia e një kulle guri në mes të ditës, kur brenda saj kishte edhe njerëz. Në Tropojë nuk kanë munguar edhe rastet e akteve terroriste, sidomos ndaj Mulosmanit, të cilit i hodhën në erë edhe lokalin e më pas edhe shtëpinë. Por në fakt rasti i kullës së vëllezërve Haxhia, ka natyrë tjetër, pasi kemi të bëjmë me një zjarr, ku mundësia e ndezjes së qëllimshme është në të njëjtin përqindje sa edhe ajo e tragjedisë rastësore. Gjithsesi në prokurorinë e qytetit verior të Tropojës është hapur edhe një dosje tjetër për hetimin e kësaj ngjarjeje dosje që sigurisht do të ketë fatin e “shoqeve” të saj, nuk do të përfundojë kurrë në identifikimin e autorëve dhe shkaqeve.

Në shtëpi ishte vetëm një nga vëllezërit

Ismeti, Izeti  e Isamedini kanë ikur prej kohësh

Deri në vitin 1997 kanë qenë gjashtë vëllezër, por në ditët e çmendura të atij viti, njëri prej tyre është vrarë në një lokal në Kamëz, ku edhe jetonte. “Trashëgimtarë” të një mësuesi, Idrizit, të nëntë fëmijët emrat e të cilëve nisin me germën “I”, janë përpjekur që të shkollohen. Djali i madh i familjes është Ibrahimi, pas tij vjen Ismeti 47-vjeçar, më pas vijnë Isamedini 41-vjeç e pas tij Izeti, Iljazi, Irlandi. Ismeti ka mbaruar për Gjeologji Miniera, por dhjetë-vjeçarin e fundit kreu edhe një kurs për oficer policie dhe u konvertua në polic. Në vitin 1998, kohë kur u vra edhe Hajdari ishte shef i policisë së qarkullimit në Tropojë, por më pas u transferua në Durrës, ku punonte si oficer i qarkullimit deri në momentin e arrestimit. Por edhe jetonte në këtë qytet. Isamedini është larguar nga fshati që në moshën 14-vjeçare. Ka ndjekur shkollën e mesme “Skënderbej” dhe më pas edhe të lartën për oficer. Ka punuar disa vjet radhazi në profesionin që ishte diplomuar. Dhe ka hequr dorë kur e emërojnë në Përmet. Ndërsa vëllai më i vogël i tyre, ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, ka mbaruar shkollën e lartë për Mjekësi. Por nuk e ka veshur asnjë ditë bluzën e bardhë. Që në fillim ka qenë përkrahës e më pas truprojë e liderit demokrat Berisha. Djali i parafundit i familjes është Iljazi. Ai e ka braktisur shkollën e lartë për Matematikë në Shkodër dhe ka emigruar në Gjermani e Zvicër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.