DOSSIER

“Një kulak, një bajraktar”/ Zbulohet ditari personal i Enver Hoxhës për gjeneralët: Beqir Balluku më ka kërkuar tri herë dorëheqjen!

14:18 - 07.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Petrit Dumja duhet të jetë edhe ai një shok i Beqir Ballukut, një kulak, një bajraktar intrigant”! Ka qenë kjo kryefjala e takimeve të përditshme që ka pasur Enver Hoxha, në cilësinë e sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë dhe Komandantit të Përgjithshëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1974.




Në ditarin personal që ka zbuluar gazeta “Panorama”, kreu i regjimit ka të dokumentuar bisedat me të rëndësishme që ka konsumuar gjatë kësaj periudhe jo vetëm me bashkëpunëtorët e afërt si Mehmet Shehu e Hysni Kapo, por edhe me gjeneralët e lartë të ushtrisë Beqir Balluku, asokohe ministër i Mbrojtjes; Petrit Dume ish-shef i shtabit të Përgjithshëm; Hito Çako, ish-drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë Politike e të tjerë. Nga fillimi në fund preokupimi i diktatorit duket vëmendja e shtuar për zbuluar jo thjesht zullume të rastit, por një aktivitet agjenturor e antiparti të krerëve të ushtrisë.

Ndër të tjera, në pjesën e ditarit që po publikojmë sot, bie në sy një bisedë e Hoxhës në shtëpinë e tij me Hysni Kapon e Mehmet Shehun, të cilët janë gjendur aty për t’i raportuar për takimin e tejzgjatur që kanë pasur pak orë më parë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon për disa “qëndrime jo marksiste, jo shoqërore dhe në dëm të punës ushtarake” që kanë demonstruar këta të fundit kohë pas kohe. Më shumë se sa i dëgjon të thirrurit në takim, Hoxha u parashtron atyre konkluzionet e veta mbi aktivitetin armiqësor të gjeneralëve madhorë, që e ka zbuluar më herët.

Ajo çka mbetet të dakordësohet me ta, siç del nga shënimet e tij, është zgjedhja e momentit të volitshëm për të bërë goditjen e tyre. “Tash është koha ta zbulojmë këtë llum,- shprehet në fund shefi i regjimit,- natyrisht me gjakftohtësi, në rrugë partie, me shumë vigjilencë dhe, në bazë të fakteve dhe të dhënave, fajtorëve t’u biem kokës pa mëshirë”.

DITARI I ENVER HOXHËS

E mërkurë, 13 shkurt 1974

Takim me Beqir Ballukun. Ai më raportoi mbi gjendjen moralo-politike të ushtrisë si dhe mbi përgatitjen e stërvitjes dhe punimet xheniere E pyeta si shkojnë punimet në Porto-Palermo dhe në aerodromin e Lezhës. Çdo gjë shkon sipas planit, m’u përgjigj. I thashë pastaj të rishikojë artilerinë bregdetare në drejtim të mbrojtjes nga perëndimi nga një eventualitet i papritur nga Kotorri ose ndonjë postë tjetër jugosllave që pas vdekjes së Titos mund të hidhen në dorën e revizionistëve sovjetikë.

E diel 17 shkurt 1974

Pas sëmundjes së gjatë shkova në këmbë në shtëpinë e Partisë, ku u poqa me shokët. Pastaj bëra një shëtitje në qytet me automobil. Vërejta serat e reja të Mëzezit. Një gjë e bukur.

E diel 19 maj 1974

Mehmeti shkon në Elbasan të asistojë në një lojë batalioni. Këto loja i ka rekomanduar shokut Beqir që të bëhen se janë të domosdoshme. U kam thënë shokëve të ushtrisë, ia përsërita dhe Mehmetit sot në mëngjes, që të ketë parasysh se kalimi nga gjendja e qetësisë në atë të luftës është një moment shumë delikat dhe trazicioni nuk bëhet aq lehtë nga njëra te tjetra. Kjo kthesë duhet të përgatitet nga ana moralo-politike dhe psikologjike dhe kërkon gjithashtu një përgatitje të lartë ushtarake. Këtu duhet të provohet teoria me praktikën, këtu duhet të provohet efekti i edukimit, i zbatimit, këtu vërtetohet shkath, zgjuarsia, vetëveprimi, iniciativa, raportet e kuadrove të larta me ato të ulëta etj. I thashë Mehmetit që në këtë loje të vërë oficerë të veçantë që t’i vërejnë të gjitha këto fenomene.

E premte 31 maj 1974

Shoku Manush erdhi më raportoi mbi Konferencën e Partisë që zhvilloi punimet dje dhe pardje. Atë e ndoqa edhe vetë me transmetim. Kishte gjëra që nuk shkonin. Aty Mehmeti bëri një diskutim të mirë.

Po unë i bëra vërejtje se, po të isha unë për të vënë në dukje heroizmin e popullit tonë, nuk do të përdorja ato figura që përdori ai në këtë fjalim, si “ne sulmojmë qiejt”, ose “ne jemi vendi i shqiponjave dhe luanëve” etj. Ajo figurë që ka përdorur Marksi për komunarët e Parisit është historike. Mehmeti e përdor këtë si variant të një mburrjeje tjetër pa vend. Unë e kam pas këshilluar që ta hiqte dhe ai e hoqi atë figurë nga një fjalim i mëparshëm.

Ky variant ishte “Po të lindte Marksi, do të thosh për ne kështu e kështu’ (nuk më kujtohen lëvdatat ekzakte). Kjo i ngjan elozhit pa vend të Mao Ce Dunit për Hrushovin e të tjerë në Konferencën e Moskës të vitit 1957 para se të prisheshim me revizionistët sovjetikë. Të kalojmë në figura të tilla, më duket se kalojmë në ekzaltim dhe vetëmburrje. Po ashtu, Mehmeti, duke bërë vlerësimin e armës, të njeriut dhe të ideologjisë M_L, armën atomike dhe armët e tjera moderne, nuk duhej t’i nënvlerësonte me aq lehtësi. Arma të vret dhe me të do të vrasësh armikun.

Petrit Dume
Petrit Dume

Atë duhet ta vlerësojmë aq sa duhet, por nuk duhet ët krijojmë opinionin se “arma atomike nuk vlen dhe nuk ka ç’na bën”. Nënvlerësimi krijon fodullëk, krijon kënaqësinë me pak, pra, ul hovin revolucionar. Pra, për shokun Mehmet doja të thosha që të mos përdorë “mburrje të fryra”.

E enjte 13 qershor 1974

Më erdhën në shtëpi sot pasdreke shokët Mehmet dhe Hysni dhe më raportuan mbi bisedimet që ata patën (katër orë e gjysmë) me Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon. Vazhdojnë qëndrimet jo marksiste, jo shoqërore dhe në dëm të punës ushtarake mes Beqirit dhe Petritit. Është e treta herë që si udhëheqje e trajtojmë këtë problem. Çdo herë kanë dalë gjoja me autokritikë, por mjerisht çdo gjë ka qenë pa rezultat.

Sipas raportit të shokëve del se fajtori më i madh është Beqiri. Edhe tash ai i ka fajet më të rënda dhe ka vepruar me qëllim për të eliminuar Petritin nga detyrat e tij. Përveç kësaj, në sy të shokëve, Beqiri po e denigron Petritin. Beqiri kërkon të krijojë në komandë një situatë të pamundur për Petritin. Këtë e bën në mënyrë të dënueshme, kurse në sytë tanë përpiqet që ta fshehë dhe ta mohojë.

Më e rënda është ajo që duke krijuar grupe pune, këta i kanë përgatitur teza të tilla të reja që vënë në kundërshtim tezat tona për mbrojtjen. Përpara kundërshtimit të këtyre tezave nga ana e Petritit dhe e Hitos, Beqiri jo vetëm nuk ka shfaqur mendim të vendosur kundër këtyre tezave, jo vetëm nuk i ka dënuar duke i kritikuar, por i ka shpërndarë dhe për diskutim në oficerë të tjerë madhorë.

Të gjitha këto në mbledhjen që bënë shokët, Beqiri i mohonte, nuk i pranonte dhe, siç më thanë shokët, me një ton “anfatigë” dhe pa qenë as rasti dhe as nevoja, filloi të mbrohej, duke thënë “Unë jam besnik i Partisë”. Pse duheshin këto? Çështja e Beqirit na shqetëson. Tri herë ka kërkuar ai të shkarkohet si ministër i Mbrojtjes, tri herë unë ua kam refuzuar kërkesën dhe e kam këshilluar shoqërisht. Por, fakt është që çështja e tij vjen prapë mbi tryezë.

E diel 16 qershor 1974

Shoku Beqir kërkoi të piqej me mua dhe e prita dje në mëngjes, më 15 qershor. Ishte në takim edhe Hysniu. Haxhi Kroi mbante shënime. Beqir më vuri në korent për mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis shokëve të Komandës. Ai, si duket, deshi t’i minimizonte çështjet, pse, në të kundërtën e herëve të tjera që zgjatet edhe për vogëlsira, foli shkurt dhe me pak fjalë.

Qëllimi i tij ishte se nuk i kuptonte thëniet e Petritit, i cili në mbledhjen që bënë me Mehmetin dhe Hysninë kish thënë se “ishte në kundërshtim parimor me Beqirin për strategjinë e mbrojtjes së vendit”.

Në përgjithësi, Beqiri u mbrojt dhe nuk sulmoi. Çështja e kundërshtimeve të këtyre shokëve qëndron në “pikëpamjet mbi një studim që me udhëzimet e veçanta të Beqirit dhe pa dijeninë e Petritit, të Hitos e të shokëve të tjerë ushtarakë, kishin hartuar Spiro Shalësi dhe Ernest Jakova”. Ky material ekziston dhe do ta studiojmë, kurse direktivat që u ka dhënë këtyre Beqiri nuk ekzistojnë. Pse e pyeta Beqirin? Ai më tha dy fjalë se “udhëzimet e mia kanë qenë udhëzimi juaj në plenumin e ushtrisë”, “se fushat duhet të bëhen të forta si malet”.

Natyrisht, kjo është një përgjigje shumë e thatë dhe mendoj se s’mund të jetë vetëm kjo. Të dy shokët që bënë studimin thonë se nuk i kanë ruajtur këto udhëzime. Natyrisht, kjo praktikë nuk është në rregull dhe sidomos për direktiva ushtarake.

Më vonë, pasi u bë studimi, gjithë procedura që u përdor për ta parë këtë material ka qenë e gabuar edhe për fajin e Beqirit, i cili këtë e premtoi para meje. Petriti, Hitoja dhe të tjerë kur e morën këtë material “nuk ishin fare dakord me të, dhe, ca me shkrim, ca me gojë, i shfaqën këto mendime”.

E pyeta Beqirin nëse ishte dakord me këtë material? Ai m’u përgjigj se “jo” dhe “fakt është,-tha,- se kur Petriti më tha që ka kundërshtime, atëherë unë (tregoi Beqiri) i thashë Petritit po e lëmë këtë material, se nuk bën dhe përgatisim një variant tjetër. Këtë variant ne e kemi në dorë dhe po e studiojmë, kur ta mbarojmë, do t’jua paraqitim”.

Këto tha Beqiri, kur e pyeta, por mendoj se nga procedura që ka ndjekur ai për këtë problem, dalin shumë gjëra:

E para, Beqiri ka dhënë udhëzime për një studim të tillë, pa u këshilluar me shokët dhe në radhë të parë me Petritin, i cili është zëvendësi i tij dhe shef i Shtatmadhorisë. Përveç kësaj, oficerët që u ngarkuan me këtë studim, janë nën drejtimin e Petritit. Pse e bëri këtë gjë Beqiri? S’ka dyshim që nuk dëshiron të bashkëpunojë me Petritin, por këtë nuk e pohon.

Ai do t’u tregojë Petritit dhe shokëve të tjerë se është ministri dhe eprori i tyre; se ka mendime dhe preokupohet për “studime të thella ushtarake”; se për këto probleme vë njerëz që i studiojnë dhe mbasandaj nga “Olimpi” ua jep të tjerëve t’i lexojnë dhe të shfaqin mendim”.

E dyta: Beqiri kur e mori e studioi këtë material kishte me siguri dhe mendime, por, sipas procedurës që ndoqi, pavarësisht se pohon të kundërtën, duhet të ishte dakord. Ndryshe jo vetëm nuk duhej ta shpërndante, jo vetëm se duhesh t’u bënte kritikën shokëve, por të sinjalizonte çështjen dhe kritikat e tij për materialin përpara Petritit etj. para se këtë t’ia bënin atij. E treta: Me të thënë Petriti etj., se “nuk ishin dakord me këtë material”, përnjëherë Beqiri u “shfaq dakord me ta” Siç po duket e gjithë kjo nuk është në rregull, po e sajuar.

Fajtor kryesor këtu është Beqiri, po edhe të tjerët kanë të metat dhe fajet e tyre. I thashë Beqirit dhe një herë: Nga rrjedh kjo? Nga mendjemadhësia, nga prirja për t’u imponuar jo në rrugë partie.

Mungesa e bashkëpunimit shoqëror dhe të sinqertë, përpjekjet për të gjetur raste denigrimi për njëritjetrin, krijimi i një atmosfere shumë të dëmshme dhe të pamundur në punë, krijim konfuzioni dhe përçarjeje te kuadrot, të gjitha këto çojnë më në fund edhe në teza të gabuara, në studime pa vend që preokupojnë Komandën dhe e ndajnë e përçajnë atë për “mustaqet e Çelos” ose për gjëra që janë vënë drejt, por që “tentohet të ndryshohen”, jo pse janë keq, por për “ambicie personale’, “për t’u ngritur në grada”, natyrisht pa i pohuar haptazi dhe duke i mbuluar, duke thënë “për të mirën e punës” etj.

Beqiri këto m’i aprovoi. Kështu ka bërë ai çdo herë, po, për fat të keq, të njëjtat gabime po përsëriten! I thashë se meqë ky problem është serioz dhe ka arritur deri në atë shkallë që prek vijën e mbrojtjes, ne duhet të studiojmë të dhënat, materialet dhe të bëjmë mbledhje për t’i shoshitur, për të goditur gabimet dhe të sqarojmë situatën, e cila duhet të forcohet. Ndryshe nuk mund të lejojmë të ecë. Beqiri ishte dakord. Beqiri dukej shumë i frikësuar nga rrjedhimi i ngjarjeve. Unë mendoj se ai ka pasur qëllime armiqësore dhe antiparti, po nuk u prononcova dhe nuk e zgjerova bisedën në këtë drejtim.

Duhet të studioj materialet e famshme që ai përpunonte në mënyrë sekrete nga të gjithë ne. Beqiri e ka të qartë se e zumë me presh në dorë, por kërkon të mbrohet. Edhe ardhja tek unë ishte formale, për t’u mbrojtur, mbasi mosardhja do ta rëndonte më shumë. Djallëzore është taktika e punës së tij armiqësore.

Në fshehtësi ai përgatit materiale për të shkatërruar sistemin teorik dhe praktik të mbrojtjes së vendit. Kur këto materiale orvatet t’i nxjerrë në dritë dhe gjen kundërshtim, sado që të çalë nga shokët e ministrisë, bën një material të dytë me disa nuanca të tjera, një të tretë gjoja të korrigjuar e kështu me radhë. Dhe shokët që e kundërshtonin mbanin si edhe Beqiri fshehtësi ndaj nesh. Jemi para një pune armiqësore të Beqir Ballukut.

Çdo gjë do ta sqarojë. Po sot mora disa materiale, të cilat ishin shoqëruar me një letër të shkurtër të shokut Petrit Dume. Në këto materiale ishin nxjerrë fare shkurtër disa mendime të nja pesë a gjashtë vetave dhe të Beqirit në lidhje me materialet e fshehta që përgatiste ky i fundit. Nuk merrja vesh kush m’i dërgonte këto materiale dhe pyeta shokët Mehmet e Hysni mos m’i kishin dërguar ata. Të dy m’u përgjigjën se jo dhe më thanë se duhesh të m’i kishte dërguar Petriti dhe ashtu ishte.

Ç’kuptim kishin këto materiale lakonike, kur unë isha në dijeni të çështjes që u zbulua dhe që kisha ngarkuar shokët e mësipërm ta hetonin? Unë mendoj se shoku Petrit Dume ndihej fajtor i madh që nuk na kish vënë në korrent dhe, duke marrë vesh se Beqiri u prit një ditë më parë nga unë, ai u shpejtua se mos mbetej pas dhe në fakt mbeti pas për të më thënë dhe ai që kështu e ashtu ngjau.

“Të lashë mutin me shurrë”, siç thotë populli. Akoma më shumë e ngarkon me faj ky komunikim, që vjen si “kofini pas të vjelave”. Po le që ky material nuk është serioz dhe më lë përshtypje se Petriti nuk e kupton thellë tradhtinë e Beqirit, i vjen rrotull me disa fraza që lëkundet. Si duket ai nuk di mendimet tona, timin, të Mehmetit dhe të Hysniut. Një gjë është interesante në këtë material: Petriti më afirmon se “Mendimet e gabuara të Beqirit nuk paskan ndikuar në ushtri, dmth, sëmundja, sipas tij, është vetëm te Beqiri. E poshtër është në çka më referojnë këto materiale, se në diskutimin e tij Beqiri “këto i ka dënuar”, se “mendimet e shprehura në to nuk janë të tijat”.

Paturpësisht fajin ua hedh Ernest Jakovës dhe Spiro Shalësit. Shumë njeri i lig, armik, i ka hipur frika në bark dhe do që fajin ta shkarkojë mbi të tjerët. Kjo veprimtari e tij do të na nxjerrë qelbësira që ai duhet të ketë bërë në ushtri dhe na i ka fshehur me kujdes.

Po kapet me “presh në duar” dhe thotë se “nuk i kam bërë unë”. Këtë gjë bëri edhe kur erdhi tek unë në pjekje. Edhe çështja e Petritit, që na i mbante të fshehta këto veprime antiparti të Beqirit, nuk duhet të jetë e pastër. Do të shohim rezultatet e studimeve që po i bëjmë çështjes.

Petrit Dumja duhet të jetë edhe ai një shok i Beqir Ballukut, një kulak, një bajraktar intrigant. Lodra e tij djallëzore duhet zbuluar. Mendoj, por duhet provuar, se që të tre këta, Beqiri, Petriti dhe Hitoja, janë për mua njerëz të dyshimtë. Ata siç po e gjykoj unë, përpiqen të fshehin fajet e tyre, përpiqen të na gënjejnë. Ata mendojnë se “po i ha ato që më thonë”.

Po le ta kenë këtë përshtypje, deri sa t’ua zbulojmë qelbësirën. Kjo punë, mendoj unë, është e qelbur, është e vjetër, na kanë pas vënë në gjumë dhe ne po flinim. Këtu qëndron gabimi ynë. Po tash erdhi koha që ta zbulojmë këtë llum, natyrisht me gjakftohtësi, në rrugë partie, me shumë vigjilencë dhe, në bazë të fakteve dhe të dhënave, fajtorëve t’u biem kokës pa mëshirë. Këta duhen me durim dhe me taktika të drejta t’i zbulojmë. (panorama.al)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.