DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Zbulimi, Agim Bajraktari rrëfen për Gazetën. “S’e kam takuar kurrë Ismet Haxhinë”

07:00 - 17.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 17 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Zbulimi / Agim Bajraktari rrëfen për Gazetën. “S’e kam takuar kurrë Ismet Haxhinë”

Flet njeriu i cili sipas Haxhisë e ka njoftuar për planin që kishte Berisha për eliminimin e tyre. Oficeri i antikontrabandës me origjinë nga Tropojë: Jemi nga i njëjti fshat por lidhja është shumë e largët

Gazeta zbulon njeriun që përmendet në dëshminë e Ismet Haxhisë për planin e vrasjes së Sali Berishës

“S’e kam takuar kurrë Ismetin”

Agim Bajraktari hedh poshtë lidhjet me Haxhiajt

Agim Bajraktari nuk e ka takuar kurrë Ismet Haxhinë, aq më tepër pasditen e 6 majit të vitit 2000. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, 42 vjeçari që aktualisht punon si oficer i Antikontrabandës, ka deklaruar prerë se emri i tij vetëm është përdorur nga Ismet Haxhiaj dhe mes tyre nuk ka patur asnjëherë ndonjë takim.

Një javë më parë ai ishte përmendur në ligjëratën e gjatë që i akuzuari i procesit “Hajdari” bëri para gjykatës. Sipas Haxhisë, Bajraktari ishte personi që e njoftoi për rrezikun që e priste bashkë me vëllezërit e tjerë.

Haxhia – Bajraktari

Përpara gjykatës, Ismet Haxhia deklaroi këto fjalë për pozicionin e Bajraktarit: “Në datë 6 maj 2000, nga dreka vjen më takon gjatë kohës që isha me shërbim në rrugën e Sukthit, djali i tezes tim, i cili kishte gjithë ditën që më kërkonte, për të më thënë se, duhej të shkoja sa më shpejt në Tiranë, për të takuar Agim Bajraktarin, për një problem shumë serioz. Në këto kushte rreth orës 19.00 jam nisur nga Durrësi dhe jam takuar para Bankës Amerikane në Tiranë, me Agim Bajraktarin, kushëririn tim, i cili menjëherë më tha se unë dhe vëllezërit e mi ishim shumë të rrezikuar për jetën, pasi Sali Berisha po përgatiste likuidimin fizik tonin, gjë që ishte shumë e vërtetë, sepse ia kish thënë Gëzim Starova, agjent i Shërbimit Informativ që punonte në Ambasadën Italiane, në rolin e përkthyesit të Shefit të Shërbimit Sekret, të kësaj Ambasade” – deklarata që shkaktoi tension në tregun politik shqiptar ka shqetësuar edhe vetë personin e cituar në të, Agim Bajraktarin.

Kush është Bajraktari

I diplomuar në Akademinë Ushtarake, ai ka punuar fillimisht në Gardën e Republikës duke pasur gradën e Kolonelit. Por deri në vitin 1992, kohë në të cilën, me ardhjen e PD në pushtet ashtu si edhe shumë oficerë të tjerë u lirua nga detyra. Bajraktari është rikthyer sërish të veshë uniformën në vitin e nxehtë 1997. Ka nisur punë prej pesë vjetësh në strukturat e shtetit e aktualisht kryen detyrën e oficerit të Antikontrabandës. I martuar dhe me fëmijë, ai cilësohet nga shefat e tij si një nga punonjësit më të mirë të strukturës që është ngritur për të luftuar trafiqet dhe kontrabandën. Vetë Bajraktari ka qenë me shërbim në një doganë për të kryer kontrolle, kur në gjykatën e Tiranës ështw dëgjuar dëshmia e Ismet Haxhisë.

“S’kam lidhje me Ismetin”

Kur e pyet nëse e ka takuar ndonjëherë më parë Ismet Haxhinë, oficeri i Antikontrabandës të jep një përgjigje të prerë: Nuk ka ndodhur kurrë. Ai mohon edhe faktin e ndonjë lidhje fisnore mes tyre. Megjithëse janë me origjinë nga i njëjti fshat i Tropojës, mes tyre duket se është e madhe largësia. “Im at është nga Babina e Tropojës, ndërsa unë jam lindur dhe jam rritur në Tiranë”- thotë Bajraktari. Babina është fshati ku deri në fillimvitet ’90 kanë jetuar tre vëllezërit Haxhiaj. “Unë nuk di t’i kem kushërinj. Mund të jetë një lidhje e largët pasi jemi nga i njëjti fshat, por kjo është si të thuash kushëri i shtatë apo i tetë” – kështu e cilëson Bajraktari lidhjen me Ismet Haxhiajn, lidhje që ky i fundit në gjykatë e cilësoi me termin “kushëriri im”. Bajraktari thotë se asnjëherë nuk është ndeshur me Ismetin dhe e njeh vetëm nëpërmjet televizorit, ndërsa për vëllain tjetër, Isamedinin thotë se kanë qenë bashkë në të njëjtën shkollë të mesme Skënderbeg. “Mbaj mend që ka qenë Skëndërbegas, por duhet të ketë qenë nja dy vjet më poshtë”- thotë Bajraktari i cili mohon kategorikisht të njohë edhe personin tjetër me emrin Gëzim Starova.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.