Kosova

Fëmijëria e Luftës për herë të parë ekspozitë në Kosovë

14:37 - 18.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të shtunën, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës, është hapur Ekspozita e Muzeut të fëmijërisë së Luftës, të kuruar nga Amina Krvavac




Bluza e Edonit e varur në hapësirën e Galerisë Kombëtare na kthen mbrapsht në vitet e luftës, në vitet 1998-1999, në luftën e fëmijëve të Kosovës. Edoni ishte tre vjet e gjysmë kur u vra. Bashkë me Edonin atë ditë u vranë Fisniku (9 vjeç), Burimi e Osmani (13 vjeç) dhe Valdeti (15 vjeç). Bashkë me këta fëmijë u vranë shpresat e nënave të tyre atë ditë, bashkë me këta fëmijë u vra pafajësia. Atë ditë dikush ua vrau fëmijërinë e tyre për të mos ua kthyer më kurrë.

Historia e Edonit u përshkrua nga Blinori (djali i axhës se tij), i cili atë ditë kishte parë secilin prej këtyre fëmijëve të vdiste nga një mjet shpërthyes.

“I pashë miqtë e mi të shtrirë përtokë, me fytyra të nxira dhe të mbuluar me gjak. Më kujtohet frika dhe një ndjenjë ç’orientimi. Nuk dija si të kthehesha në shtëpi”.

Në këtë ekspozitë mund të shihen e dëgjohen rrëfimet e 40 fëmijëve, të cilët e kanë përjetuar luftën në vendin e tyre, në Kosovë dhe në vende të tjera.

Në këtë përkujtim të llojit të vetë shihen ëndrrat e këtyre fëmijëve që i kanë vendosur në letër për të mbetur si vizatime të tyre, si dëshmi të tyre; shihen rroba, pantallona, bluza, këpucë e lodra, të cilat rrëfejnë ndryshe për një periudhë të jetës që do të duhej të ishte më e lumtura për ta, por që në fakt rezultoi e kundërta.

Drejtoresha e Muzeut të Fëmijërisë, Amina Krvavac, u shpreh:

“Ju falënderoj për prezencën tuaj sot këtu, në Ekspozitën që është për herë të parë në Kosovë. Jemi ndier shumë të mirëpritur në Kosovë, duke marrë parasysh shumë sfida që ne kemi pasur prej fillimit.”

Në qendër: Amina Krvavac, drejoreshë e Muzeut të Fëmijërisë së Luftë

Amina po ashtu tregoi për sfidat dhe idenë e formimit të kësaj ekspozite.

“Me ndihmën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Ministrisë se Kulturës, kemi arritur ta realizojmë këtë ekspozitë edhe në Kosovë. Ajo çka përmban muzeu janë gjëra personale të fëmijëve të cilët e kanë përjetuar kohën e luftës, me një mbishkrim anash. Muzeu nuk përmban vetëm gjëra personale të fëmijëve të luftës se Kosovës dhe Bosnjës, por edhe gjëra personale të fëmijëve që kanë përjetuar luftën në Palestinë, Ukrainë, Serbi dhe shumë regjione të tjera.”

Ekspozita e parë e përhershme e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës u hap në Sarajevë në vitin 2017. Tani mbledhja e vazhdueshme e zgjerimit të muzeut përfshin mbi 5 mijë gjëra personale dhe tregime dhe qindra orë dëshmi audio dhe video në lidhje me 15 luftëra të ndryshme./Express


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.