DOSSIER

Nga internimi i 600 patriotëve elitar vlonjat e deri te misteri i vrasjes së kreut nacionalist Skënder Muço….

06:00 - 18.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Anila Ahmataj – Qyteti ishte pothuaj i gjithi nacionalist, por të ndarë mes tyre. Shumë intelektualë, si dhe nga pjesmarrësit e Luftës së Vlorës 1920 ishin me pikpamje liberale të majta dhe qëndrim proaleatë, që do të thosh se misionet i shihnin si shpëtimtarë, në një kohë kur pjesa tjetër ishte antikomuniste, dhe për këtë kërkonte të shfrytëzonte nëpërmjet regjencës dhe qeverisë, ushtrinë gjermane për likuidimin e forcave partizane. Por brenda nacionalistëve të Ballit Kombëtar çfarë kish ndodhur, ku kontradiktat u kthyen në konflikt të përgjakshëm, në shpinë të qytetit?
Misionet aleate angleze kishin zbarkuar në Karaburun, afër Dukatit dhe tashmë armët deri tani të hedhura nga ajri, i shkarkonin nga anijet e tyre në shtabin dhe ndërlidhësit e tyre për të pajisur forcat partizane, në të cilat ishin atashuar misionet ushtarake. Madje anglezët bombardojnë në ditët e kapitullimit edhe rrethinat e qytetit; “Englezët sapo kishin bombarduar aerodromin Italjan qëndror por këtë e kishin bërë dhe në Vlorë. Këtu e kishin llogaritur më aq saktësi nga misjonet Englese të Karabrunit aerodromin Italjan të Vlorës, sa e qëlluan më artilerinë e flotës që nga Mezo Kanali. Predhat e zjarrta vinin katër e katër nga deti si nga tjetër botë, dhe nga aerodromi kaçiatorët italjanë ngriheshin menjëherë nga toka me një spirale tërë mundim, të paktën të dilnin nga zjarri. Dorën e fundit ja dhanë pilotët polakë të flotës Engleze, po kjo u ndërpre dhe menjëherë, se u mor vesh që po depërtonin Gjermanët”, shkruan komandanti nacionalist.
Përsa i përket anglezëve ai shprehet shumë i ashpër ndaj ndihmuesëve nacionalistë të fshatit Dukat. “S’është se Balli i Vlorës do të ndikonte tek misjonet Aleate, që kanë bazat e Kuartjerin në Karabrun, se thonë që Balli gjithë fshatin Dukat e ka me vete. Kush është në Ball, Dukatasit? Asnjë herë jo? Ata janë me Englezët dhe për këtë paguan kosto me njerës e të gjitha. Po kush i vuri partizanët të sulmojnë Dukatin? Englezët, po ata s’kanë sy, se j’Ua kanë zënë stërlinat e floririt! Që të mos paguanin më Englezët u thanë Komunistëve, merreni atë fshat, që të kemi kollaj ndihmat, jo të paguajmë doganë për ju! E kuptoni ç’po flas? Si mund të ndihmohen misjonet Engleze me ndër lidhësa, karvane me kafshë e armatime, që të venë tek Shtabi i Përgjithshëm Nasjonal Çlirimtar? Këta të bëjnë terror dhe të vrasin ne po me këto armë. Kjo nuk është vëlla vrasje, kjo është vet vrasje!
Ju thoni se n’a duhet Dukati si zonë Nacionaliste! E përse? Ma shpjegoni këtë se nuk e kuptoj dot! Ata mezi presin kur vijnë ngarkesat dhe furnizimet, dhe ju u thoni nacionalistë! Detin e kemi ne, bazat e tyre ne, ndër lidhësat ne, bukë tek ne, armët Komunistët! Kështu qënka kjo punë? Misjonet të iknin fare! Të bëjnë provë një herë të zhvendosen lart në zonat e Bazit! Do e shikonim, bënin dot gjë që atje për të vajtur tek Shtabi Komunist!Po ata e kanë këtu Jugun afër, tek Komunistët janë mirë, çdo gjë me flori e blejnë, çfarë u mungon? Shkarko tonellata armë nga deti, karvanet këta shegertët dhe tek brigada komuniste!”
Këto pohime vërtetohen nga vetë oficerët anglezë të misioneve aleate; Forin Ofisit, 5/123, Nëntor, 1944, Sejmur; “Në mendimin tim, partizanët si grup politik dhe ushtarak, bënin sikur luftonin ndaj gjermanëve, në mënyrë që vazhdonim t’i armatosnim. Kam llogaritur se vetëm 10 përqind e armëve që u dhamë atyre, i përdorën, ndërsa pjesa tjetër e mbetur, prej 90 përqind u ruajt për t’i përdorur në luftën për t’i eliminuar kundërshtarët politikë dhe për të imponuar vullnetin e tyre politik në Shqipëri.”




Por në të vërtetë shfaqet shumë komplekse lufta ndaj fshatit të Dukatit, për arsye se ai ishte i lidhur skajshmërisht me misionet aleate, të cilat furnizonin dhe instruktonin pothuaj vetëm forcat Nacional Çlirimtare. Kjo vërehet nga numri i forcave, përdorimi i armëve ndaj fshatit, por dhe këmbënguljen e emisarëve sllavë për arritjen e fitores së kësaj lufte; “..duhet të mendohet për një sulm tjetër, duke e kordinue luftën me Besnikun (Hysni Kapo) si edhe me forca të tjera të brigadës, tue përdor zjarrin më të tmerrshëm, duke qënë të pamëshirshëm.. Shiko se sa forca të Brigadës të nevojiten për me shkelë Dukatin dhe kërkoi menjëherë.” Arkivi Qëndror, Faqja.177, Viti.1943, Dosja.8, Letër e Dushan Mugoshës
Në tetor 1943 një avion amerikan transporti me 35 mjekë e infermiere së bashku me ekuipazhin humbet orientimin nëpër natë dhe bën ulje të detyruar në një terren afër fshatit Belsh Elbasan. Duke mos qënë të mësuara me luftë frontale, por në prapavijë, tre infermiere nuk mundën të iknin dhe u strehuan në qytet, i cili komandohej nga nacionalistët. Presidenti Rusvelt, kërkonte çdo tre orë informacion, dhe me që oficerët anglezë në Vlorë, Smith dhe Palmer u justifikuan se ndodhen në Berat, ai dërgoi në Karaburun vetë drejtorin e Zyrës së Shërbimeve Strategjike, (CIA sot) i cili nis me mision kreun nacionalist të Vlorës, avokat Skënder Muço në Berat për mundësimin e kalimit të tyre në Vlorë. Aty kreu nacionalist i Vlorës Muço, pas pamundësisë së dorëzimit të infermiereve amerikane; “Shëtitëm pazarit, pastaj e kalova tek mëhalla dhe i tregova shëpinë Karaj ku i mbaja fshehur me kokë. –I merr dot me vete, se 5 metro i ke larg që aty ku je! Mos do t’i takosh? Ai ngriu dhe nuk lëvizi sikur kish shkelur në minë. -Rri urtë se do t’a gjej kohën unë që t’i bije! Se ata oficerët englezë të misjoneve i kanë parë Gjermanët me dylbi nga larg. Unë i kam këtu”.
Kreu nacionalist i Vlorës u shokua me vendimin krejt i rrallë në histori të komandantit të përgjithshëm nacionalist të Shqipërisë, Kadri Cakrani; Prandaj të kam thirrur, po e kam kategorike ruajtjen e sekretit! Qartë Avokat? Ai po dëgjonte. -Plani, që duhet zbatuar sa më shpejt, është që bataljonet e Beratit, Fierit, Mallakastrës e Lushnjes, të transportohen me shpejtësi me kambjonë. Ai vazhdonte të rregullohej në karrige. -Ato do të godasin në befasi Dukatin! Ai befas ngriu, hapi jashtë mase sytë dhe u djersit në kohë dimri. –Operacionin do ta udhëheq vetë dhe fillimisht do kërkoj një mbledhje me të gjithë komandantët e çetave të tyre. Kështu u mënjanojmë udhëheqjen luftarake. Në delegacion urdhërohesh të jesh dhe ti, për të qënë sa më e besueshme çështja. Po qe se fillon rezistenca, do të futen në luftë bataljonet tona. Por këtë do t’a vendosi, marrëveshja me Dukatasit, dhe befasia! Nuk duhet që ata të shkojnë dhe të lajmërojnë misjonet në Karaburun! Ç’do njeri që niset për andej, do të goditet pa para lajmërim!
Faza tjetër, punë orësh kjo! Pasi nuk duhet lënë asnjë të shkojë tek shpellat e tyrej, dhe të qetësohen Dukatasit ndonjë orë, marr dhe ty me gjithë këta komandantët, dhe u bëjmë një vizitë në Karaburun. I kalojmë befas në të gjithë shpellat njëkohësisht, të mos transmetojnë, pastaj i mbledhim bashkë. Shqiptarët që gjënden aty, të mënjanohen, dhe në se duan të arratisen, të pushkatohen në vënd! Çetat do mbajnë fshatin të rrethuar pa lëvizur.
Faza e tretë, më delikatja është ultimatumi! Ata duhet të njoftojnë, pasi ne do kemi një që flet gjuhën engleze me vete, me një herë vetëm Qëndrën e Mesdheut, Kajron, duke u thënë se kanë rënë rob të gjithë ndërlidhësit dhe misjonet, tek nacionalistët. Po të kapim ndonjë anije që sjell armë për Shtabin Komunist, shumë më mirë! Edhe atë peng! Konditat i vendosim ne në këtë moment! Ata do të hyjnë në marrëveshje, pasi ne j’U kemi ndër lidhjen në dorë dhe furnizimet, që do të bllokohen në çast. Afatin e vendosim vetë, brënda dy ditësh, jo më tepër, oficerët të largohen nga Shtabi Komunist, po të duan gjithmonë. sikur do të ndërrohen, apo do të shkojnë tek misjonet e tjera, tepër sekret dhe kjo,! Dy gjëra janë pas kësaj; Ose ata të trëmbur do të zbarkojnë, pjesërisht në Dukat, ku i kemi në dorë për pengjet, ose ajo që është objektivi; të kalojnë të gjithë oficerët tek ne, po ashtu edhe furnizimet! Në rast të kundërt, domethënë, në se nuk heqin dorë nga Komunistët për t’i prurë në pushtet, ne nuk tolerojmë më! Pasi piu një gotë ujë, donte të thosh diçka, por po mendonte.–Sikur t’a bëj takimin dhe të këmbëngul fort për Komandën e Mesdheut, dhe të shikojmë reagimin?–Jo Skënder Muçua, jo! Ti do të rrish peng tek mua që sot, se e di që do tu thuash Dukatasve dhe gjithë Qarkorit, se s’të rri goja! Llafi i parë që të thashë, konspirasjoni! Po s’u bë punë ditësh kjo gjë, ne humbëm! –Unë kam në mëndje disa kërkesa, sikur ata të pranojnë të vete? Dhe ashtu ndodhi”.
Plani dhe strategjia sekrete, krejt e panjohur më parë e Shtabit Ushtarak të BK, dhe personalisht autorit, nuk do të gjenin mbështetje, duke u quajtur veprime ekstreme, dhe që përfundon në një konvertim kërkesash, të cilat nuk u morën kurrë parasysh; “Tepër Secret, Lord Killern, 5/74, Kairo, Londrës, 26 Shkurt 1944; ..Propozimi i Skënder Muços u bë oficerit britanik të ndërlidhjes Anthoni Kuajël, në emër të Ballit Kombëtar, ai kërkoi që të udhëtojë drejt Kajros për të kërkuar siguri në lidhje me pikat e mëposhtme:1-Pavarësinë e Shqipërisë pas luftës. 2- Marrjen e ishullit të Sazanit. 3-Pagesat e dëmeve të luftës nga italianët. 4-Përjashtimin e trupave italiane dhe greke nga operacionet në Shqipëri. 5-Ndihmë për Shqipërinë pas luftës. Ndërkaq asnjë qëllim nuk do t’i shërbehet nëse Skënder Muço vjen në Kajro, kjo sepse qëndrimet e qeverisë britanike ndaj Shqipërisë në luftë janë të shpallura publikisht”
Por në Kongres, si një ide atdhetare bashkuese, që nuk ish arritur as në Mukje, pranohen të marrin pjesë dhe komunistët antisllavë të Vlorës; “Sikleti i dytë ishte si gjithmonë, po nga Vlora. Ishin Koministët me Sadik Premten nga Gjormi, që kishin ikur nga Partia Komuniste si fraksion, po tani luftoheshin prej saj. Nuk mund ta fusnim Komunizmën e kujtdo lloji qoftë mes Nacionalistëve, po u mendua dhe u la një lloj grupi më vete. Kjo ndryshe nga Partia Komuniste që donte t’i vriste, këtu mund të luftonin këta si Komunistë Shqipëtarë ata Sërbë, Bullgarë, Grekë”, vazhdon ai. Për këtë pala jugosllave pohon; “Fraksioni Anastas.Lula, Sadik Premte, janë ata të cilët kanë kërkuar të mos varen nga Partia Komuniste Jugosllave”. (Mardhëniet jugosllavo-shqiptare, Beograd, 1949) Ndërsa Enver Hoxha urdhëron; “Për këtë duhet kësisoj: Xhepi (Sadik Premte) dhe Pal Terova duhet të pushkatohen përnjiherësh si tradhëtarë e fraksionistë të partisë e të popullit..”
Por në këtë luftë civile totalisht jashtë kontrollit, qyteti po paguante një kosto të pahasur ndonjëherë, atë të zhdukjen e elitës intelektuale të tij, në muajin tetor-nëntor 1943 ngjarje kjo pllakosi befas në qytet.Ato internohen befas në Kampet e përqëndrimit të Mathauzenit, Bukenvald, por edhe në Aushvic. Me të hyrë në Vlorë, njeriu ndjen diçka që i kujton të kaluarën. Po vajtimi i grave dhe ligjërimi i pa prerë i plakave të sjell në kohët e sotme. Sa nuk u kthyen nga kampet e vdekjes? Gjashtëqind vlonjatë u dorëzuan nga tradhëtarët në kasapët e Hitlerit e sa u kthyen? Njëzet, tridhjetë, dyzetë, sa?..Atë që pësoi Vlora, nuk e pësoi asnjë vend tjetër: Gjashtëqind martirë dhanë jetën e tyre në kampet e vdekjes duke mallkuar ata vlonjatë tradhëtarë e të poshtër që kujtuan se me të tilla krime do të shuanin flakët e patriotizmës që ndizet për jetë në tokën e bekuar të Vlorës, shkruan Petro Marko në gazetën Bashkimi 7 gusht 1945 me titull “Vlora në kuje” Kjo ngjarje natyrisht i është veshur prefektit të Vlorës Vizhdan Risilia dhe të afërmve të tij me këtë mbiemër, fakt që rezulton pjesërisht i vërtetë. Për këtë gjejmë shpjegim dhe zbardhje të ngjarjes në buletitin special Balli Kombëtar, mars 1966, Nju Jork, ku nga argumenti historik i deritashëm, prefekti i Vlorës njihet si fajtori i qindra internimeve të nacionalistëve patriotë në Vlorë. Por hedhja dritë mbi fakte të reja të panjohura, rrëzojnë kështu përfundimisht edhe versionin zyrtar të vrasjes së Skënder Muços, atë nga trupat gjermane; por nacionalistët e Vlorës plot paqartësi e dasi mes llojit pasi kanë plotëisht dorë në internimët, Ai pafuqishëm përballë anarkisë, ka thirrur fillimisht komitetin qëndror të Ballit Kombëtar në qytetin e Vlorës, si Mithat Frashërin, Ali Këlcyrën, Vasil Andonin, Kadri Cakranin; “Vizhdan Risilia tue marrë vesh ardhjen e Qëndrorit në Vlorë dhe që ndodhesh në shtëpi të Sadik Shaskës u bëri një vizitë befasie; si me dashtë të hiqte nga vedi një përgjegjësi të rëndë thuhet në buletin. Nga argumenti historik i deritashëm, prefekti i Vlorës njihet si fajtori i qindra internimeve të nacionalistëve patriotë në Vlorë. Por hedhja dritë mbi fakte të reja të panjohura aty, rrëzojnë kështu përfundimisht madje dhe versionin zyrtar të vrasjes së avokat Skënder Muços, që deri tani dihet e kryer nga trupat gjermane;
Por komandanti i pergjithshëm nacionalist i Ballit Kombëtar Kadri Cakrani, zbardh totalisht në detaje ngjarjen, pasi ndodh dhe vetë dëshmitar i zgjidhjes së kësaj enigme filluar qysh në fund të 1943 deri në gusht 1944. Në kujtimet e tij “Të vërtetat e luftës sime” 1948-1972, pikërisht në kreun më titull “Vrasja e Skënder Muços” faqe.493 në takimin me prefektin Vizhdan Risilia, përshkruan hollësisht rrethanat dhe rrjedhojat e ngjarjes që e ngarkonte atë; “Kur po vinin Gjermanët nga udha e Peshkëpisë, Kapiteni i tyrej kish lënë një triçikël nja njëzet minuta para, si e lënë ata me nja tri ushtarë. Njëri ish me mitroloz të lehtë, si rrinë ata, për ndonjë pritë. Kishin dalë nga udha e Qishbardhës, dhe punë minuta vije në Vlorë, ndaj e kishin marrë më nge, kur bien në pusi nga ana e sipërme tek vështi. Goditja kish qënë e beftë. Me të arritur Kapiteni me dy kambiona me ushtarë pas të shtënave, i gjeti ushtarët në mes të rrugës, mbytur në gjak.
Kur erdhi në Vlorë Majori më kërkoji mua dhe më parashtroji situatën. -Herr Risilia, përgjegjësia është tuaja, për tre ushtarët e vrarë dua 200 ose 300 banditë komunistë të gjallë këtu, të përgjigjen për masakrën! Garnizonin e ke gati, dhe bëri shënjë që të ndiznin motorrët. Por në qoftë se nuk i gjejmë, sipas udhërit të Komandës së Trupave të Vermahtit, do të pushkatoj nga qyteti 300 vetë atëhere, për të cilin përgjigjeni ju!
Nga t’ja mbaja? Ku do t’i gjeja Komunistët që donte Majori? –Partizanët do t’i gjej unë, i thashë, nuk ka nevojë për operacion e as për ushtri.
–Shkoni dhe merrni të gjithë evgjitërit hamenj dhe i sillni këtu, se kanë ca punë Gjermanët u thashw njerwzve tw mij. Paratë do t’ua paguaj unë, po kur të mbarojnë punë! Ti rri me mua, i thashë evgjitit, se më duhesh këtu! Ku i dihet, u ngrinte mëndjen evgjitërve dhe nuk më vinin. Hamenjtë evgjitër erdhën dhe u vunë në radhë si me porosi dhe po shtyheshin për vënd të parë. –Gjermanët kanë ca punë me ju, dhe kur të vini, hajdeni të merrni paratë këtu tek unë, u thashë. Majori më pa me habi duke u afruar –Partizanen? –Partizanen, ju përgjegja. Ja shikoji! Atëhere u urdhëruan ushtarët Gjermanë ku i hipën nëpër kambiona dhe ikën. Në internim i çuan, se ku, nuk e di! Po nuk i pushkatuan aty!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.