DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: “Hajdari u vra për hakmarrje”, Ndryshon akuza për 5 të pandehurit e vrasjes së Azemit

07:00 - 30.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 30 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Dyshimi se deputeti tropojan, mund të kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, ishte konsoliduar tek Fatmir Haklaj duke marrë formën e një vendimi për eliminimin e Hajdarit

Vendimi/ Gjykata shpall verdiktin. Hedh poshtë motivin politik të ngritur nga prokuroria.

“Hajdari u vra për hakmarrje”

Ndryshon akuza për 5 të pandehurit e vrasjes së Azemit

“Hakmarrja” vrau deputetin Azem Hajdari. Kryetari i trupit gjykues zbuloi motivin e “vërtetë” të vrasjes së liderit demokrat, Azem Hajdari, dhe për pasojë të vrasjes së truprojës së tij, Besim Çera dhe plagosjes së Zenel Nezës. Hidhet kështu poshtë motivi që kishte lexuar organi i hetimit, ai i vrasjes politike.

“Gjykata çmon se kemi të bëjmë me motivin e dobët të hakmarrjes. Kjo rezulton nga natyra e krimit, e cila është lidhur pazgjidhshmërisht me viktimën pjesëmarrës në vrasje, Fatmir Haklaj, me të cilin i pandehuri Jaho Mulosmani ka realizuar dhe organizuar vrasjen e deputetit përpara selisë së PD më 12 shtator të 1998”, thuhet në vendimin e djeshëm të trupit gjykues. Për Gjykatën, vrasja e vëllait të Fatmir Haklajt, Shkëlqim Haklaj, më 5 janar të 1998, është dhe fillesa e konfliktit me Hajdarin. Dyshimi se deputeti tropojan, mund të kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, ishte konsoliduar tek Fatmir Haklaj duke marrë formën e një vendimi për eliminimin e Hajdarit. Ka qenë ky shkaku që në krah të Fatmir Haklajt për të vrarë liderin, është vënë edhe ish-shefi i rendit të Komisariatit të Tropojës.

 

 

Jaho Mulosmani është shtyrë për të vrarë deputetin, nga lidhjet e ngushta shoqërore dhe miqësore me viktimën Fatmir Haklaj për të marrë hakun e këtij të fundit dhe jo për të vrarë Azem Hajdarin për shkak të detyrës së tij”, thuhet në vendim. Edhe dëshmia e kryeplakut të fisit Haklaj, Muharrem Haklaj, dhënë përpara Gjykatës, i ka krijuar bindjen trupit gjykues për të arritur në një konkluzion të tillë. Plaku Haklaj dëshmoi se 10 ditë përpara vrasjes, më 2 shtator të 1998, kishte bërë një bisedë me Azem Hajdarin në zyrën e këtij të fundit në selinë e Partisë Demokratike, për të sqaruar disa rrethana në lidhje me vrasjen e Shkëlqim Haklajt. Por sipas dëshmitarit Haklaj, Azem Hajdari, kishte deklaruar se nuk kishte dorë në vrasjen e djalit të tij.

“Edhe sikur të pranohet se Fatmir Haklaj për vrasjen e Azem Hajdarit të jetë nisur nga fakti që më datën 25 shkurt të 1998 nga tribuna e Parlamentit deputeti e ka cilësuar Fatmir Haklajn se duhet ndjekur penalisht, motivet kanë pamje tjetër”, thuhet në vendim. Sipas gjyqtarit Micko, motivi i vërtetë i vrasjes sqarohet nëse do i referohen të gjitha provave në tërësi, por dhe vetë konkluzioneve të akuzës.

Me përcaktimin e motivit të vrasjes së deputetit, atë të “hakmarrjes”, gjykata ka vendosur të ndryshojë dhe cilësimin e kualifikimit të veprës. “Deputeti Azem Hajdari nuk është vrarë për shkak të cilësive të tij si deputet, neni 79/c i Kodit Penal, për të cilën janë ulur në bankën e të akuzuarve 5 të pandehur. Si rrjedhojë Jaho Mulosmani, Ismet dhe Izet Haxhia duhet të përgjigjen për vrasjen për shkak të motiveve të dobëta të parashikuara në nenin 78/2 të Kodit Penal.

Anëtarët e trupit gjykues flasin pas vendimit

Gjykatësi Micko: Jam i qetë

Kryetari i trupit gjykues, Arben Micko, duket se nuk ka pasur asnjë kontradiktë, dyshim në dhënien e vendimit, as brenda vetes, dhe as mes kolegëve të trupit gjykues. “Ndihem i qetë”, komenton shkurt Micko menjëherë pasi ka lexuar vendimin. Në fillim të seancës tek të pranishmit në sallën e gjyqit, Micko krijoi idenë e një situate jo shumë normale, mesa duket e krijuar nga mungesa e dy të pandehurve. Madje, pati zëra se mungesa e Haxhiajve, do të bëhej shkak për shtyrjen e leximit të vendimit. Ndërsa dy kolegët e tij, duket se kanë pasur një pozicion paksa më të favorshëm, si ndihmës. Mesa duket ky pozicion i lejon ata që këtë dosje e konsiderojnë si gjithë të tjerat. “Ishte një proces si gjithë të tjerët, barra më e rëndë i takonte kryetarit të trupit gjykues, ndërsa ne kemi vetëm detyrën të firmosim”, thotë Ilir Mustafaj.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.