KULTURË

Rënia e Perëndimit prej krizës së kulturës

10:32 - 02.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ndriçim Kulla – Mbi librin e shumë   debatuar “Rënia e Perëndimit” të Oswald Spenglerit




Oswald Spengler, një filozof dhe historian Gjerman, ndoshta është më mirë i njohur si autori i librit ‘Rënia e Perëndimit’, një vepër e shkruar përpara Luftës I Botërore por që nuk u botua deri në vitin 1917. Vepra u bë e mirënjohur menjëherë pas shpartallimit ushtarak Gjerman dhe në veçanti pas Traktatit të Versajës, të nënshkruar në vitin 1919. Kur ky libër u botua pati shumë kritika, pro dhe kundër, nga studiuesit dhe këto kritika vijuan përgjatë dekadash. Megjithatë, në Gjermani ky libër pati sukses në popull dhe në vitin 1926 ishin shitur 100. 000 kopje. Tashmë kemi edhe emërtimin Spenglerizëm, pra filozofia e filozofit Gjerman Osëald Spengler. Spengler-i në librin e tij ‘Rënia e Perëndimit’ argumentonte se Qytetërimet kalojnë nëpër një cikël sezonal prej njëmijë vitesh dhe se janë subjekt i lartësimit (apo rritjes) dhe i rrënimit, ashtu siç ndodh në mënyrë analoge te specia biologjike. Diskutimi intelektual Europian shumë shpejt u bë një diskutim ‘i mbushur plot’ me Spengler-in. Spenglerizmi shpërtheu nga penat e dishepujve të panumërt. Ishte e domodoshme të lexoje Spengler-in, të simpatizoje ose të revoltoheshe. Dhe kështu ka mbetur ende.

Vepra e Spengler-it nuk ishte ajo e Marksit, i cili përpiqej të fillonte një lëvizje revolucionare, por vepra e Spengler-it më saktë ishte një tekst që nxirrte lakuriq të vërtetën e historisë, ngritjen dhe rënien e Kulturave. Spengler-i shkruajti në një kohë kur progresi, demokracia dhe shkakësia (lidhja shkak-pasojë) nuk viheshin në pikëpyetje. Perëndimi ishte Qytetërimi. Të pranoje se Perëndimi kishte arritur fundin e tij, se ai kishte përfunduar jetën-histori të shpirtit të tij, kjo ishte një deklaratë radikale.

Modeli i Kulturave (sipas nocionit të Spengler-it, Kultura është një fazë pararendëse e Qytetërimit dhe në libër ai i ka shpjeguar dhe shtjelluar gjerësisht këto nocione të krijuara prej tij, pra jo sipas kuptimit të përgjithshëm për këto dy fjalë), historia e tyre dhe shpirti i tyre mund të kapeshin me intuitë nga një historian ne nuhatje. Njëri nga konceptimet e Spengler-it për Kulturën është se ‘Kulturat janë organizma dhe se historia botërore është biografia kolektive e tyre’. Për Kulturën ekziston ‘adoloshenca, pjekuria dhe kalbëzimi’ dhe për çdonjerin nga stadet dhe periudhat e saj të nevojshme në thelb, ka një kohëzgjatje të përcaktuar, gjithmonë të njejtë, gjithmonë periodike. Spengler-i, i frymëzuar nga Goethe nxorri problemin kyç të shekullit XX, atë të eksplorimit “të strukturës së brendshme të njësive organike nëpërmjet të cilave dhe brenda të cilave historia botërore përmbush vetveten, për të ndarë nga ana morfologjike të nevojshmen nga e rastësishmja dhe nëpërmjet kapjes së qëllimit të ngjarjeve të përcaktohet gjuha në të cilën ato flasin”. Ashtu si ndodh me makrohistorianët e tjerë, Spengleri dëshironte të gjente shkaqet e ndryshimit historik, të pandryshueshmen që mund t`i jepte kuptim të ndryshueshmes : pra a ekziston një llogjikë e historisë ?

 

 

Për më tepër të shpreheshe se Kulturat e ndryshme ishin njësoj në historinë e tyre dhe se ndiqnin një model të njejtë, kjo gjë kundërshtonte drejtprdrejt pikëpamjen tejet Euro-centriste të kohës. Në atë kohë kur Perëndimi ishte suprem në mënyrë të padiskutueshme, Spengler-i ishte një relativist kulturor (këtu kemi parasysh se një relativist kulturor beson se e vërteta, e drejta dhe e gabuara mund gjykohen vetëm në raport me gjërat e tjera dhe se asgjë nuk mund të jetë e vërtetë in situ, pra ngjarja mund të ndodhë dhe se përdoret në shumë kontekste të ndryshme). Në atë kohë nuk kishte një lëvizje të tretë botërore, nuk kishte një dekonstruksion të realitetit dhe as fizikë kuantike. Gjithsesi, në të njejtën kohë, në qarqet akademike Gjermane dhe ato borgjeze kishte një ndjenjë të dëshpërimit kulturor, një ndjenjë se diçka ishte gabim në lidhje me industrializimin dhe racionalitetin, se pjesa më fisnike e të kaluarës kishte humbur nëpër modernitetin..

Nga ky mjedis kontradiktor Spengler-i krijoi një teori të re të historisë që zhvilloi një shkencë të historisë, duke argumentuar njëkohësisht se historia ishte art, ishte interpretim dhe poezi. Kontributi i Spengler-it ishte një perspektivë e re në histori, përdorimi i një njësie të re të analizimit dhe vendosja e kësaj njësie si një cikël jete (duke përsëritur sërish shpirtin “evolucionar” të kohës). Për Spengler-in ekzistonin stadet : sapo lindte një Kulturë, ajo kalonte nga faza e Kulturës në fazën e Qytetërimit, nga qyteti i zakontë në megalopolis, nga feudalizmi në borgjezi, nga populli te popullsia si turmë dhe pastaj te ngritja e Cezarëve (drejtuesve të shtetit).

Shpalosja e  Kulturës ishte e ngjashme në formë me shpalosjen e individit. “Nga ana morfologjike, historia e stërmadhe e një Kulture është e barazvlershmja e historisë së vogël të një individi, të një kafshe, të një peme apo një luleje. Në fatet e disa Kulturave që pasojnë njera-tjetrën është e ngjeshur e tërë përmbajtja e historisë njerëzore. Dhe sipas Spengler-it, secila nga Kulturat e mëdha të botës, pra Kultura Egjiptiane, Kineze, Semitike, Indiane, Magjike (me Kulturë Magjike kuptohej kryesisht Kultura Arabe) dhe ajo Perëndimore kalonin nëpër një cikël të njejtë jete dhe mund të kuptoheshin nëpërmjet ciklit të jetës së botës natyrore. Dhe ky është një nga konceptet bazë të Spenglerit në këtë libër, përpos koncepteve të tjerë të rinj që ai parashtron.

Pra, ashtu si makrohistorianët e tjerë, Spengler-i kërkonte një shkencë të shoqërisë, por jo një shkencë ashtu si do ta përkufizonte Augustine Comte, sepse burimi i  Kulturës do të mbetej një mister metafizik. Kuptimi i vërtetë i Kulturës mund të kuptohej nga shpirti mistik korrespondues i saj. Ndërsa Augustine Comte do të refuzonte hulumtimin për një interpretim metafizik të historisë, Spengler-i në mënyrë të veçantë hedh poshtë nocionin positivist (vetë Comte ishte formuluesi i positivismit) të shkencës së historisë të bazuar mbi empiricismin. Për Spengler-in shkenca duhet të jetë e lirë ndaj ndikimit sistematik dhe shkakësor (shkak-pasojë) Darvinian.

Më saktë, ashtu si do të shkruante më vonë filozofi Gjerman Eric Voegelin, Spengler-i lartëson veprën e murgut Joachim of Floris të shekullit XII dhe e paraqet me përzemërsi depërtimin mistik të historisë nga ana e Joachim of Floris. Dhe ashtu si Voegelin, ai i vendos problemet e të tashme së Perëndimit te keqleximi i veprave mistike të Joachim von Floris, te riartikulimi i ndarjes transhistorike të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë në gjuhën historike të arsyetimit shkencor të Gnostikëve dhe të ndarjes së vetë historisë në histori – të Lashtë, Mesjetare, Moderne – duke e paraqitur Europën Perëndimore si moderne dhe të tjerat që janë në marrëdhënie me atë të paraqiturav si të një niveli më të ulët kundrejt saj.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.