DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Vajza e plagosur e Divjakës flet nga Spitali Ushtarak Angjelina: Ju rrëfej natën e masakrës

07:00 - 08.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 8 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Dëshmia e plotë

Vajza e plagosur e Divjakës flet nga Spitali Ushtarak

Angjelina: Ju rrëfej natën e masakrës

Orët para tragjedisë dhe festimi i pashkëve.

Marrëdhëniet me djaloshin 21 vjeçar që i mori jetën dy prindërve. Çfarë ishte diskutuar në shtëpi dhe përse Alfred Shane ishte rikthyer sërish në mbrëmje. Gjithë detajet e pazbuluara të ngjarjes që tronditi qytezën e vogël bregdetare të treguara nga vajza e cila nuk e di vdekjen e prindërve. Dëshmia e Arturit, njeriut që pa i pari viktimat dhe kush ishte “taksisti” që u ekzekutua i treti

 Intervistë/ Protagonistja e masakrës së Divjakës tregon bisedën e bërë në shtëpi para vrasjeve

Angjelina: Ju rrëfej masakrën

“Alfredi më ngacmonte, por unë s’e pranova
Fytyra e Linës është krejtësisht e bardhë. Duket se ka vetëm pak gjak në trup. Në pizhamet e saj të kaltra me lule të vogla janë mpiksur shenjat e gjakut. Plagët në kurriz i kanë nxjerrë gjak deri vonë. Angjelina Lala, 19 vjeçarja e mbijetuar nga masakra e Divjakës, është shtruar në repartin e Kirurgjisë në Spitalin Ushtarak.

Është e lodhur, e mpirë. Në sytë e saj të shkruar ka vetëm pak fije jete. Akoma nuk e di se çfarë gjëme ka ndodhur në shtëpinë e saj. As që dje i kanë varrosur dy prindërit nuk kanë pasur guxim t’ia thonë. Lina është në një gjendje depresioni. Pyet, ka filluar të dyshojë. Zgjuarsisë së saj nuk i shpëton mosardhja e prindërve. Në dhomën e mbushur plot me të afërm, me motrat e saj që kanë ardhur nga larg, në dukje nuk ka atmosferë vdekje. Të gjithë janë të veshur me rroba me ngjyra, mundohen që t’ia ngrenë humorin, pastaj dalin në korridor dhe ia plasin të qarit, burrat zbresin në lokalin e spitalit dhe kthejnë nga një gotë me fund. Familjen e ka dërmuar dhimbja, por dje të gjithë ruanin Linën, ajo s’duhej të kuptonte asgjë. Gjatë ditës së djeshme njerëzit e familjes Lala kishin kthyer mbrapsht me dhjetëra gazetarë. Ata ishin jo pak të irrituar me fjalët në shtyp “prostitucion”, “kishte dashur ta merrte me qëllim trafikimi” etj. Gjithsesi dje e ndihmuar ndoshta me shumë nga fati dhe nga dëshira e familjarëve për të dalë në shesh e vërteta, Lina ka pranuar që të flasë ekskluzivisht për Gazetën. Sapo është ngritur nga krevati, janë hapat e parë që bën pas plagosjes dhe kur hyjmë ne së bashku me disa familjarë habiten të gjithë që ajo është në këmbë.

 

 

Si je sot?

Jam pak më mirë. Jam shumë e lodhur. (Kushërira që rri me të, Vjollca mundohet që t’i japë një thelë portokalli që ajo refuzon).

Ke ngrënë gjë sot?

Nuk më hahet fare, kam pirë vetëm lëngje sa për të mbajtur ilaçet.

Do të më tregosh si ndodhi që u plagose?

Po ja, Alfredi erdhi me armë dhe qëlloi… (merr frymë thellë, ngrihet ngadalë dhe lag fytyrën me ujin e paktë të çezmës së dhomës).

Lina, përpara kësaj, atë ditë çka ndodhur?

Rreth orës 11.00 të së dielës Fredi është takuar me babain tim. Aty ai për herë të parë ka biseduar me babain, për t’u fejuar me mua.

Më përpara s’kish ardhur ndonjëherë në shtëpinë tuaj?

Jo, jo ai ka qenë takimi i parë. Aty isha dhe unë dhe në prezencën time babai i tha të pyesim vajzën njëherë. Pasi më pyeti në doja të fejohesha me të, unë iu përgjigja, jo.

Po më pas?

Pas kësaj Alfredi iku dhe unë nuk e kam parë më atë ditë deri kur erdhi në darkë në shtëpinë tonë me armë.

Në darkë ç’ndodhi?

Duhet të ketë qenë ora 12.00 kur ai ka ardhur dhe ka thyer xhamin e derës. Ka filluar të qëllojë me armë, kur dola unë nga dhoma ku po flija me Xhulin dhe Eraldon, pashë babin dhe mamin të shtrirë në tokë. Ata kishin dalë nga dhoma e tyre siç duket sapo kishin dëgjuar kërcitjen e xhamit. Pas meje nga dhoma ka dalë dhe Eraldi. (Këtu ndalon sërish, mbushet fort me frymë dhe me gishtat e saj të hollë, fshin sytë. Pas një pauze disa sekonda ngrihet në këmbë dhe duke u mbështetur tek hekurat e shtratit rifillon tregimin…).

Kisha hallin e Eraldit, prandaj jam hedhur sipër tij dhe e kam mbuluar me trup. Pastaj nuk kam ndjerë asgjë. Nuk mbaj mend se çka ndodhur më pas…

Po me Alfredin kishe kohë që njiheshe?

Jo, ai kishte rreth një muaj që më ngacmonte, më hidhte ndonjë fjalë si gjithë djemtë e tjerë, por sinqerisht jua them me të nuk kisha as edhe një të përshëndetur. Nuk e kuptoj dot përse e bëri një gjë të tillë, unë asnjëherë nuk i kisha dhënë asnjë motiv, asnjë shpresë, unë as që i përgjigjesha kur më ngacmonte.

Nuk e kuptoj sinqerisht. Ai njeri tani më duket i çmendur. Vetëm një i tillë mund të bëjë një gjë si kjo. Më kanë thënë se gazetat kanë shkruar se donte të më çonte si prostitutë në Itali. Fredi e ka thënë? Ai më ka thënë se nuk flet dot, atëherë kush ma thotë dot mua në sy se përse më donte?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.