DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Kandidati, flet plaku i PR: Asnjë nga socialistët s’ia del dot Godo: Unë President, jo Fatos Nano

07:00 - 04.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

5 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Kandidati

Flet plaku i PR: Asnjë nga socialistët s’ia del dot

Godo: Unë President, jo Fatos Nano

Intervistë/ Sabri Godo: Unë nuk jam pro idesë për të zgjedhur një shkencëtar që ka punuar në një laborator, një historian apo gjuhëtar. Kjo do të thotë se është njësoj si të marrësh një berber të ri dhe ta vësh të mësojë zanatin në kokën e fukarait. Zgjedhjet e reja tani nuk i bëjnë mirë vendit

 

 

Kandidati i PR-së për president, Sabri Godo, shprehet për lojën politike mbi Presidencën, komenton kandidatët ë mundshëm dhe shprehet për zgjedhjet e parakohshme. “Nano është kategorikisht i përjashtuar, ndërsa zgjedhjet duhet të bëhen në momentin e duhur”, thotë Sabri Godo.

A mendoni se duhet të bllokohet procesi i zgjedhjes së një presidenti të ri për të kaluar në zgjedhje të parakohshme?

“Në këto momente ku populli nuk po duron më, zgjidhja më e mirë dhe më e urtë për këtë vend ndoshta për herë të parë pas 1992-shit, do të ishte zhvillimi i zgjedhjeve me të vërtetë të lira dhe të pastra, pa të cilat nuk mund të pretendosh një pushtet me të vërtetë të stabilizuar, qeverisja të drejtë dhe bashkëpunim midis qytetarit me ata që qeverisin. Për sa kohë pjesa më e madhe e qytetarëve mendon se është shpërdoruar vota, ata nuk shprehen të gatshëm të bashkëpunojnë, pasi kjo maxhorancë jo vetëm që nuk përfaqëson vullnetin politik, por edhe trajtohet nga qytetarët si shpërdoruese e votës. Parlamenti dhe qeveria e dalë nga zgjedhjet e lira, janë hapi i parë i demokracisë dhe ne këtë nuk e kemi bërë akoma. Jemi akoma si ai zogu që përpiqet të dalë nga veza për vite me radhë. Për mua dita e parë e demokracisë do të jetë dita kur do të thuhet se në fuqi erdhi ajo forcë që u zgjodh nga shumica e shqiptarëve. Nëse do të ishim seriozë me këtë vend, PS-ja që ka shumë në dorë të saj dhe mendon brenda këtij shtrati të urtësisë, duhet të shtrijë dorën për të bërë kompromis. PS-ja duhet të kërkojë rrugët e marrëveshjes.

Çfarë propozoni ju atëherë?

“Hapi i parë i marrëveshjes është zgjedhja e një presidenti konsensual dhe, pasi të pastrohet rruga ligjore për një proces të rregullt ligjor, të zhvillohen zgjedhjet e reja. Kjo, sepse, sido që të ndodhë me PS-në dhe me zhvillimin e kësaj krize, zgjedhjet e parakohshme do të ishin një dëm i madh, që do t’i bëhej këtij vendi, që do të kërkonte shumë kohë për t’u riparuar, sepse do të ishte përsëritje e keqe e zgjedhjeve të kaluara që do të fitonte me një marzh të vogël nga njëra palë, por do të kontestoheshin nga pala tjetër. Ky nuk është zhvillim, por bërje prapa”.

A keni marrë ndonjë garanci nga PD-ja për kandidaturën tuaj?

“Nuk kam marrë asnjë garanci dhe nuk kam biseduar me asnjë. Për të thënë të vërtetën, vetëm mbështetja nga Partia Demokratike, megjithëse u propozova nga PR-ja dhe u gëzova për këtë, mund të realizojë zgjedhjen time si president. Po ta kisha një konfirmim të tillë, do të kisha nisur të mendoja edhe sesi mund të realizohej nga ana praktike një gjë e tillë. Por, për sa kohë nuk është konfirmuar mbështetja e PD-së dhe BF-së, unë nuk mund të bëj asnjë lëvizje. Kryesore mbetet të jetë pranimi nga PS-ja, se do të zgjidhet një president konsensual. Por mendoj se PS-ja do ta pranojë zgjedhjen e një presidenti konsensual, pasi dy grupimet kryesore ne PS, që mbështesin Nanon dhe Meidanin, mund ta bllokojnë njëri-tjetrin dhe ndoshta për të votuar anarkinë politike ose zgjedhjet e përshpejtuara, atëherë socialistët mund t’i hapin vend diskutimit për një president konsensual. Gjendja është e mjegullt, Nano mund t’i ketë bërë llogaritë e tij, por unë mendoj se askush nga kandidatët e PS-së do të mund t’ia dalë në krye”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.