Mbrëmjen e sotme në fillimin e Samitit të NATO-s në Madrid është arritur një marrëveshje për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në thelb, Turqia hoqi veton për anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO, pas një takimi katërpalësh ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja suedeze Magdalena Anderson.
Ministria e Jashtme turke njoftoi të mërkurën takime të zyrtarëve turq dhe suedez. Samiti katërpalësh kishte për qëllim frenimin e kundërshtimeve të presidentit turk për anëtarësimin e vendeve nordike në NATO dhe duket se presioni, kryesisht nga pala amerikane, ka dhënë fryte.
Ankaraja, Helsinki dhe Stokholmi do të përgatisin një memorandum të përbashkët për të adresuar shqetësimet e Turqisë lidhur me anëtarësimin e dy vendeve skandinave në NATO, njoftuan më parë media finlandeze.