AKTUALITET

Skandali/ Drejtori i ARRSH-së jep tender me vlerë 175 milionë lekë kompanisë së tij! Si e shiti sipërmarrjen për të evituar konfliktin e interesit (DOKUMENTET)

21:29 - 22.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Evis Berberi u emërua Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar në qershor të 2021. Para se të merrte këtë post ai ka qenë këshilltar në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës. Si këshilltar u emërua në shkurt të 2019-s, kohë kur shet të gjitha aksionet e një kompanie private që kishte blerë në 2018-n.




Kompania me emër tregtar  “B – VAAL ENG – 10” dhe numër NIPT L72205042F rezulton, sipas të dhënave të dorëzuara në QKB e themeluar nga Valter Begaj më 4 tetor të 2017-s. Objekti i saj është fusha e ndërtimit, studimi dhe projektimi i veprave inxhinierike, si dhe supervizionimi i tyre. 11 muaj nga themelimi, më 14 shtator të 2018-s, Begaj ja shet të gjithë kompaninë Evis Berberit për 100 mijë lek.

Një muaj pasi e bleu, Berberi i ndryshon emrin dhe nga “B – VAAL ENG – 10” kompania bëhet “DAAM”. Më 18 shkurt 2019, kohë kur Evis Berberi emërohet këshilltar pranë Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës e shet kompaninë po për 100 mijë lek te shtetasja Brunilda Buli.

Vlera e njëjtë e shitjes-blerjeve të kompanisë nga Begaj te Berberi dhe më pas të Buli sugjeron se bëhet fjalë për një transferim fiktiv të kompanisë me qëllim që Evis Berberi të shmangë konfliktin e interesit. Për më tepër, lidhja me drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi me Valter Begajn nuk del vetëm te transaksioni i shitje-blerjes së kompanisë “B – VAAL ENG – 10”, që më vonë iu ndryshua emri në “DAAM”. Nga shtatori 2018-të, kur Berberi bleu kompaninë e Begajt, ai ka punuar në të njëjtën zyrë me të.

Nga të dhënat e QKB-së, veç kompanisë “B-VAAL ENG-10”, Valter Begaj rezulton themelues dhe ende pronar i kompanisë tjetër “B-VAAL ENGINEERING”. Këtë kompani ai e ka themeluar më 28 gusht të 2017-s, tre muaj para se të themelonte kompaninë që më vonë bleu Evis Berberi.

Ashtu si “B-VAAL ENG-10”, që ndryshoi emrin në “DAAM”, edhe B-VAAL ENGINEERING” e ndryshon emrin duke u bërë “NET-Group”. Objekti i të dyja kompanive mbetet i njëjtë, ai i studimit, projektimit dhe supervizimit të veprave inxhinierike.

Veç objektit, dy kompanitë rezultojnë me të njëjtën adresë identike. Ato janë të regjistruara, sipas ekstrakteve përkatëse të QKB-së në Rrugën “Haxhi Dalliu, Hyrja 1, Apartamenti 0”, Tiranë.

Kompania “NET-Group” e Valter Begajt, tre muaj pasi Evis Berberi u zgjodh drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pra në gusht të 2021 fiton një tender me vlerë rreth 175 mln lek me TVSh për mbikëqyrjen e punimeve në Lotin 7 të Unazës së Madhe.

Veç kësaj, nga të dhënat e publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kompania rezulton fituese edhe për mbikëqyrjen e tre projekteve në Bashkinë e Durrësit me një vlerë totale rreth 10 mln lek./ Marrë nga VOX News


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.