Bajram Begaj është betuar si president në republikën e Shqipërisë në seancën e mbajtur ditën e sotme.
Ai përsëriti pas kryeparlamentares Lindita Nikolla betimin e tij se do i shërbejë kushtetutës.
Më pas salla shpërtheu në duartrokitje ndërsa deputetët u çuan në këmbë për të nderuar himnin kombëtar.
Më herët, Begaj mbërriti në ambientet e Kuvendit, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe fëmijët ndërsa është pritur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
Seanca nisi në orën 18:00 në parlament ndërkohë që të pranishëm janë përfaqësuesit e maxhorancës, ata të grupit të PD të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësues të selive diplomatike në vendin tonë.
Nga ana tjetër shumica e deputetëve demokratë, pjesë e Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha kanë vendosur ta bojkotojnë këtë seancë.
Pas betimit në Kuvend, Begaj do të drejtohet drejt presidencës ku do të mbahet edhe ceremonia shtetërore.