DOSSIER

Ish-kryehetuesi i diktaturës rrëfen “luftën e ftohtë” mes Ramizit dhe Mehmetit: Gabimi që bëri kryeministri!

10:08 - 15.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

GJYKIMI E DËNIMI POLITIK DHE VDEKJA E MEHMET SHEHUT

Fundi i vitit 1980 dhe viti 1981 me Kongresin e 8-të të PPSH-së u pasuan me ngjarjet tronditëse të politikës së tensionuar prej kohësh që mbulohej me propagandën e unitetit të udhëheqjes e të popullit ndaj partisë, por që mori formën zyrtare të imponuar me ngritjen e Ramiz Alisë, nën kontrollin dhe mbështetjen e hapur të Enver Hoxhës, në kreun e piramidës së partisë-shtet.

Tri gabimet kryesore të kryeministrit

a) Me besimin tek Enveri nënvleftësoi rrezikun nga Ramizi

Mehmet Shehu me pushtetin real të madh që kufizohej vetëm nga prania shpirtërore e Enver Hoxhës, nuk arriti të kontrollojë e të mënjanojë ndikimin në rritje të përkrahjes dhe pushtetit të Ramiz Alisë. Nga pushteti, autoriteti dhe siguria e krijuar në vetvete dhe mbështetja e plotë që kishte kudo Mehmeti e kishte ndier pozicionin në ngritje të Ramiz Alisë.

Për arsye të mbështetjes ai që kishte, nuk mund ta pengonte. Gabimi qëndron në pozicionin pothuajse vëzhgues që mbajti dhe mosveprimin me forcën që kishte për ta penguar, me gjithë goditjet që i kishte dhënë në rastet tipike kur i kishte dalë në shteg dhe kishte qëlluar me breshëri, si në përgjegjësinë që kërkoi për liberalizmin në art dhe kulturë, sektorë të drejtuar direkt nga Alia. Ramiz Alia, i mbështetur me të gjitha mundësitë nga Nexhmije Hoxha, ishte njeriu më i vlerësuar që nga koha e luftës, iu dhanë detyra të larta shtetërore dhe u mor në kupolën e lartë të Partisë me detyrën e sekretarit të Komitetit Qendror.

Në saje të aftësive dhe mbështetjes, ai përballoi kritikat dhe iu shpëtoi masave të rënda të spastrimit për arsye se vazhdoi të mbetej i besuar dhe i dobishëm. Vetëm karrigia e Mehmet Shehut e ndante nga ajo e Enver Hoxhës. Për të realizuar ambicien e tij për të marrë gjithë pushtetin pas vdekjes natyrale të udhëheqësit që kishte arritur të drejtonte për afro dyzet vjet, ai e dinte se pengesa ishte vetëm kryeministri, të cilin do ta eliminonte po me ndihmën që kishte pasur përherë në jetën e tij.

Kongresi i 8-të mbetej objektivi politik me rëndësi për të ardhmen e Enver Hoxhës. Ai i kushtoi gjithë vëmendjen e nevojshme. Në ndihmë të qëllimeve të tij bëri edhe gjestet e mbështetjes zyrtare ndaj Mehmetit, për të ulur shqetësimet që ai kishte ndaj rivalit në rritje, Ramizit. Mehmeti e kishte kuptuar se pozicioni i tij faktikisht në krye të piramidës po minohej në heshtje nga ndryshimi i vendimit të Enverit për pasardhësin dhe fillimin e shfaqjes së idesë për vlerësimin e Ramizit si më i dobishëm. Mehmeti kishte humbur rolin e tij. Tashmë ishte vonë. Ai, pa shpresë, po bëhej më aktiv me mbledhje dhe aktivitete politike e shtetërore.

Mehmeti përpiqej të ishte i pranishëm kudo. Enveri e ndiqte me qetësi këtë skenë. Ai lejoi që emri i Mehmetit me parullat standarde që vlerësonin udhëheqësin të vendoseshin kudo. U realizua edhe botimi luksoz në tri vëllime i kujtimeve të Mehmet Shehut. Mehmeti dhe Ramizi ishin në garën e ashpër për jetë a vdekje. Secili kishte vënë në zbatim gjithë pushtetin dhe aftësitë vetjake. Pritej çdo moment i volitshëm dhe gabimi më i parë për goditjen vdekjeprurëse. Në këto rrethana, Ramizit i erdhi nga lart muza e fatit të marrjes së pushtetit. Drama mori formën e mirëpritur me fejesën e djalit të Mehmetit, që do të bëhej preteksti për ta eliminuar përfundimisht dhe tragjikisht, pasi normalisht ishte e pamundur.

b) Nënvleftësimi i Kadri Hazbiut
Enveri largoi me qëllim Kadriun nga Ministria e Punëve të Brendshme për t‘i hequr pushtetin e fshehtë të drejtimit të Sigurimit të Shtetit. Zyrtarisht u la të kuptohej vlerësimi që Kadriu të emërohej në vend të Mehmetit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Kështu, Kadriu do të ishte i përkëdhelur në ambiciet e tij për pushtet më të madh, duke zëvendësuar në atë detyrë kryeministrin. Kadriu e dinte pozicionin dhe rolin që i kishte caktuar Enveri. Ushtruesi zyrtar i dhunës së hapur shtetërore, i shtrirjes me përmasa të gjera të agjenturës së fshehtë dhe personifikimi i frikës së përditshme në qëndrimet konkrete të njerëzve dhe në mendimet e fshehura në thellësi të botëkuptimit të secilit.

Kadriu ishte i bindur për përçmimin në rritje të Enverit dhe ndiente edhe përbuzjen e krenarisë që demonstronte Mehmeti ndaj tij. Ai e kishte pasur gjithmonë nën hijen e pushtetit të tij, kërkonte që të mbetej vartës i bindur dhe tregohej i revoltuar për kontrollin agjenturor që Kadriu kishte organizuar me porosi të Enverit, ashtu siç bënte rëndom edhe për të tjerët që t‘i kishte të gjithë nën vëzhdim dhe nën tutelën e komandimit e të pushtetit absolut.

c) Nënvleftësimi i qëndrimeve të njëjta të Ramizit dhe Kadriut kundër tij Mehmeti, me përvojën dhe zgjuarsinë e tij, i njihte edhe në detajet më të thella qëndrimet e mbajtura dhe mendimet që fshihnin në mendje Ramizi e Kadriu, dy persona me karrierë të gjatë politike. Si bashkëpunëtor kryesor dhe zbatues i bindur i urdhrave të Enverit, si ministër i Punëve të Brendshme dhe si kryeministër Mehmeti kishte pasur edhe pushtet e dominim personal ndaj Ramizit e Kadriut.

Mehmeti i njihte ambiciet për pushtet të tyre dhe interesat e përbashkët që kushtëzonin qëndrimet e tyre sektare ose oportune në situatat e turbullta politike. Ramizi dhe Kadriu nuk kishin ndjenja simpatie ndaj njëri-tjetrit. Ata i ndanin qëllimet dhe ambiciet karrieriste, por i afronte nevoja e koordinimit në heshtje të veprimeve kundër Mehmetit, që ishte pengesa në garën për marrjen e majës së piramidës së pushtetit absolut. Ata njihnin mirë edhe dobësitë, edhe fajet e mbetura tabu të së kaluarës së tyre.

Këto kishin ndikuar edhe në qëndrimet e ashpra dhe tolerancën e treguar në vendimet e rëndësishme të marra në udhëheqjen e lartë të partisë. Forca e pushtetit zyrtar dhe dobësia për përgjegjësitë për të kaluarën i detyronte të ishin të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit. Qëndrimet e njëjta të Ramizit dhe Kadriut u dalluan në inskenimin e bërë me paramendim për gjyqin politik ndaj Mehmetit, për tradhtinë politike, për fejesën e djalit të tij në kundërshtim me normat e partisë.

Dokumentet arkivore, procesverbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike, incizimet dhe filmimet e bëra vërtetojnë qëndrimet e tyre të rrepta. Ramizi propozoi i pari masën “vërejtje me shkrim”, pa u nënvleftësuar edhe reagimi i tij në emër të Enverit për të lehtësuar pozicionin e tij dhe krijuar precedentin për vendimin përfunditar, pasi nuk mendohej se mund të jepte mendim pa e diskutuar më parë me të. Nga oportunist i bindur, Ramizi mori pozicionin e akuzatorit të lartë partiak.

Në mbledhjen e fshehtë të Byrosë Politike, në mbrëmje, më 16 dhjetor 1981, pa praninë e Mehmetit, dhe të nesërmen në mëngjes, në prani të Mehmetit, më 17 dhjetor 1981, u thye miti i pushtetit dhe karakterit të Mehmetit. Ramizi dhe pas tij Kadriu dhe gjithë anëtarët e tjerë të udhëheqjes folën me ashpërsi kundër Mehmetit. Ramizi i rikujtoi gabimet e vjetra, brutalitetin e ekzekutimit të 20 fshatarëve në kohën e luftës Nacionalçlirimtare dhe ashpërsimin e luftës së klasave në kushtet e zhvillimit të socializmit.

Qëndrimi i rreptë, i pazakontë i Ramizit duket se është arsye që ka ndikuar në vëmendjen që Mehmeti ka treguar në letrën e shkruar për Enverin. Këto reflektime përbëjnë edhe objektin e diskutueshëm për origjinalitetin e letrës së Mehmetit. Në këtë drejtim ndikon edhe qëndrimi i mbajtur për publikimin e bërë pas shumë vjetësh, kur u krijuan mundësitë e shfrytëzimit të arkivit të shtetit. Nuk mund të jetë e rastit edhe lënia jashtë publikimit nga botuesit e saj. Në publikimin në medie të letrës ka munguar pjesa që i përkiste Ramizit. Vetë Ramizi e bën publike në kujtimet e tij të botuara në muajin gusht të vitit 1992.140 Deklarimet e vonuara të Ramizit pretendohet se përkojnë me letrën e gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.