Nga Jorgji KOTE
Shuarja e tij e papritur dhe e parakohshme javën e kaluar, kur ishte vetëm 54 vjeç tronditi të gjithë familjarët, të afërmit, miqtë, dashamirësit dhe kolegët në Prishtinë dhe në Bruksel. Në fakt, i ndjeri Bashkim Gërlica jetoi aktivisht disa jetë të mbushura plot; të gjitha në shërbim të familjes, të afërmve, komunitetit dhe Kosovës së tij të dashur ku lindi dhe u rrit.
Në vitin 1989, kur ishte vetëm 21 vjeç dhe i sapo fejuar me shoqen e tij besnike të jetës, Fexherije Dinollin nga Ferrizaj i vunë në provë dashurinë, patriotizmin dhe besnikërinë ndaj familjes dhe Kosovës heroike. Ishte përfshirë me entusiazmin e tij karakteristik në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve; sepse Kosovës nga ajo periudhë e tutje do t’i duhej më shumë se kurrë unitet politik dhe kohezion social, se vetëm ashtu do të mund t’i bënte ballë dhunës dhe genocidit të pashëmbullt serb në vitet që do të vinin.
Bashkimi rendte sa andej e këndej, duke dhënë ndihmesën e vet të pakursyer. Derisa një ditë u pikas nga policia serbe, e cila gjatë një kontrolli të befasishëm në shtëpi i gjeti foto të ceremonive të pajtimit të gjaqeve në Kaçanik. Aq mjaftoi dhe 6 policë serbë e detyruan të gëlltiste unazën e fejesës si ndëshkim. E bëri nën tytën e pushkës policore serbe. Siç është bërë e njohur edhe kohët e fundit në rrjetet sociale, Dr. Zenel Kelmendi i Komitetit të sapokrijuar të Mbrojtjes të të Drejtave dhe Lirive iu lut mjekut specialist, dr. Samedin Haxhijaho, i cili bëri ndërhyrjen e rastit dhe ia nxorri unazën. Ndërhyrjen në fjalë e ka xhiruar një ekip i televizionit të Prishtinës dhe gazetari Zekë Sinanaj.
Mirëpo, dhuna dhe përndjekja e djaloshit nga Kaçaniku i trimave nuk mbaroi me aq. Ai dhe familja u fut në Listën e zezë me pasoja të panjohura.
Në këto kushte, jashtë dëshirës së vet për të ndërtuar familjen dhe lumturinë në Prishtinën e tij të dashur, Bashkimi u detyrua të emigronte në Bruksel me bashkëshorten. Aty nisi jeta e tij e re, por megjithë vështirësitë e integrimit, ai mendjen e kishte sërish në Prishtinë; vazhdonte të interesohej për fatet e vendit, të komunitetit të shqiptarëve të Kosovës në Bruksel, ishte aktiv në manifestimet dhe protestat kundër genocidit milosevician dhe për pavarësinë e Kosovës. Diçka jo e lehtë kjo, mbasi ndërkohë duhej të kujdesej dhe për familjen e re dhe 4 fëmijtë e vegjël në kushte të vështira ekonomike, krahas vëllezërve dhe të afërmve të tjerë, të cilët kërkonin ndihmë dhe mbështetje prej tij.
Veç kësaj, i duhej të punonte shumë për aftësimin profesional. Pas shumë vitesh pune, ia doli mbanë të bëhej dhe të njihej si përkthyes i nivelit mbretëror, i aktivizuar në procese të rëndësishme gjyqësore. Por dhe si përkthyes, asnjëherë nuk i la pas dore bashkëatdhetarët e tij që ishin në hall, një fjalë të mirë këtu, një atje, gjithmonë solidar dhe me bujari. Shtëpia e tij ishte e hapur për të gjithë. Dhe në atë kohë nuk ishte e lehtë të depërtoje në kancelaritë belge; ndaj Bashkimi u bë hapësi i dyerve për shumë e shumë shqiptarë; sot ata janë rritur dhe të gjithë kujtojnë ato momente të vështira jetike.
Megjithë ngarkesën e madhe në disa punë njëherësh, Bashkimi i mbante dhe forconte vazhdimisht lidhjet me Shqipërinë dhe Kosovën. Këtu në Bruksel dhe atje sa herë shkonte për pushime, festa dhe gëzime familjare. Duke qenë diplomat në Bruksel, e kam ndier nga afër praninë, ndihmën dhe solidaritetin e tij me familjen dhe fëmijtë. Bënte pjesë në atë aradhe shqiptarësh që japin, ofrojnë, ndihmojnë, por që nuk kërkojnë, qahen dhe ankohen. E pamundur të gjesh një rast, event apo ngjarje në të dy ambasadat tona në Bruksel në 20 vitet e fundit, ku Bashkimi të mos ishte i pranishëm dhe të kontribuonte aktivisht bashkë me familjen, fëmijtë dhe miqtë e shumtë!
Me mbështetjen e prindërve të tyre të dashur, të 4 fëmijtë kanë qenë aktivë në Shoqatën Kulturore ” Vatra”, e famshme për mësimin e gjuhës shqipe dhe grupin e valleve popullore. Bashkimi ishte mishërimi i cilësive më të mira të qytetarit të sotëm shqiptar të Kosovës, bujar, solidar, i shqetësuar për fatet e shtetit amë dhe të Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar këdo në hall dhe në nevojë. Emri i tij dhe i familjes ishte në Listën e nderit dhe të ftuarve specialë të Ambasadës sonë dhe asaj të Kosovës. Urimi i tij i fundit ishte me rastin e çeljes së negociatave.
Ai shkoi me familjen në Prishtinë, ku tri javë më parë martoi djalin e tij të madh me Diellzën, vajzën fisnike nga Deçani, me po ato tradita atdhedashurie, studente dhe aktiviste rinore brilante në Bruksel. E ndau atë gëzim të parë të madh familjar me të gjithë miqtë dhe dashamirësit, me plot nga njerëzit që i kishte ndihmuar në situata të vështira, i donte të ishin pjesë e pandarë e lumturisë së tyre. I nderoi dhe gëzoi të gjithë, pa e ditur se do të ishte ngjarja e fundit për të.
Sapo ishte kthyer nga disa ditë pushimi nga Velipoja kur mësuan lajmin e kobshëm të ndarjes së tij nga jeta. Tronditje e madhe, humbje shumë e parakohshme për familjen dhe komunitetin shqiptar në Bruksel.
Ikja e një njeriu dhe miku të tillë të rrallë dhe modest, i cili asnjëherë nuk foli për vehte, që i donte dhe nderonte njerëzit dhe miqtë aq shumë është e parikuperueshme, është plagë që nuk mbyllet asnjëherë.
Në të tilla raste pikëllimi, ngushëllimi më i mirë mbetet emri, kujtimi dhe kontributi i Bashkimit të ndjerë për familjen dhe komunitetin. Është bashkëshortja e tij besnike, Fexherija nga familje me tradita, janë të 4 fëmijtë e tij të rritur që do ta çojnë më tej emrin dhe veprën e babait të tyre të paharuar. Qëndresa Gërlica, vajza e madhe është aktiviste e njohur e PS-së në Bruksel, drejtuese e forumeve rinore belge dhe këshilltare e Ministres së Arsimit. Në këtë rrugë po ecin dhe Qëndrimi, Blerina dhe Besniku, që ai e donte shumë të bëhej si Ronaldo, ndaj qysh të vogël e rregjistroi në Akademinë e Futbollit.
Bashkim Gërlica do të mbetet i paharuar në mendjet dhe zemrat tona! Falenderime, mirënjohje dhe nderim pa fund për gjithçka të mirë bëri me jetën e tij të shkurtër, por shumë të gjatë e të pasur me mirësi dhe bujari!
Të qoftë dheu i lehtë, patrioti dhe miku ynë i paharuar!