AKTUALITET

Do përdorej për ngjarje kriminale? Sekuestrohet makina e vjedhur në Elbasan, ja çfarë u gjet brenda “Alfa Romeo”-s

10:02 - 17.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Policia e Elbasanit ka bastisur një servis në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan në kërkim të një personi me inicialet F.Ç, që dyshohej se po përgatitej për një atentat.




Në këtë servis, që është pronë e babait të të shumëkërkuarit, policia ka gjetur sende pa leje, me stemën e policisë, që sigurojnë kushte për kryerjen e një vrasje thanë burimet.

Mësohet se blutë kanë shpallur në kërkim dhe pronarin e servisit, babai i të shumëkërkuarit që mbajnë të dy të njëjtat iniciale, F.Ç.

Babai i F.Ç do akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Policia thotë se kontrolli u krye në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë, me prova ligjore të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe SPAK, vijon puna për dokumentimin e veprave penale të grupeve kriminale.

Nuk ka të dhëna ende se për cilën ngjarje kriminale të ndodhur bëhet fjalë, që policia ka “lëvizur” nuk dihet çfarë informacionesh ka pasur që kreu kontrolle në servisin në lagjen “Emin Matraxhiu”.

NJOFTIMI I POLICISE

Vijon puna nga strukturat hetimore të DVP Elbasan, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë, me prova ligjore të atyre të ndodhura më parë.

Sekuestrohen një automjet i vjedhur, 2 targa të vjedhura, fishekë luftarakë dhe një kapele si e Policisë.

Shpallet në kërkim pronari i servisit ku u gjetën automjeti, targat e vjedhura dhe fishekët luftarakë.

Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e dokumentimin e atyre të ndodhura më parë, dokumentimin e veprimtarisë së grupeve kriminale dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale, specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Elbasan ushtruan kontroll në lagjen Emin Matraxhiu, në servisin në pronësi të shtetasit F. Ç, 64 vjeç, me qëllim kapjen e personit të kërkuar F. Ç. (djali i 64-vjeçarit)

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e babait të shtetasit të kërkuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një automjet tip “Alfa Romeo”, pa targa, i cili rezulton i vjedhur në Kavajë, më datë 18.04.2019. Në vijim të kontrollit, në brendësi të automjetit u gjetën 2 targa, të cilat gjithashtu rezultojnë të vjedhura në Elbasan, më datë 29.06.2020, fishekë luftarakë dhe 1 aparat celular.

Ndërsa në ambientet e servisit, shërbimet e Policisë gjetën një kapele me stemën e Policisë, si dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit.

Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të servisit, shtetasit F. Ç., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e 64-vjeçarit.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe SPAK, vijon puna për dokumentimin e veprave penale të grupeve kriminale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.