AKTUALITET

Sulmi ndaj “Prestige Resort”/ Jehona në mediat botërore: Hakmarrje e Ramës, pas denoncimit të skandaleve nga ‘News 24’ e ‘Panorama’!

07:57 - 05.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Skandali i IKMT-së është pasqyruar në mediat ndërkombëtare, ndërsa turistët e huaj shprehen se nuk do të rikthehen më në Shqipëri për shkak të tmerrit që i është dashur të përjetojnë. Aksioni i paligjshëm i IKMT-së në ambientet e “Prestige Resort” në Golem ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të njohura greke.




“ERT News” në një artikull të saj shkruan se “shembja e një hoteli në Shqipëri ka bërë bujë të madhe”, duke shtuar se kjo është “hakmarrje e Edi Ramës”. Kompleksi “Prestige Resort” në bregdetin e Adriatikut pranë Durrësit i përket grupit më të fortë mediatik në vend, me president Irfan Hysenbelliu.

“Grupi i tij mediatik ndjek një linjë të ashpër kritike ndaj qeverisë Rama. Kompleksi turistik në fjalë është me pesë yje dhe me famë ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e medias greke. Më tej në shkrim theksohet se Policia nisi punën për shembje që në orët e para të mëngjesit (2 shtator), duke shkaktuar panik te qindra turistë të huaj që po qëndronin aty.

“Pronarët e grupit mediatik ‘Hysenbelliu Group’ këmbëngulin se kjo është një hakmarrje personale e Kryeministrit të vendit, Edi Rama, i cili, sipas zëvendëspresidentes së grupit, Fabiola Hysenbelliu, ka tentuar vazhdimisht të negociojë një ndryshim në politikën editoriale të mediave”, thuhet në shkrim. Po ashtu, media e njohur greke shkruan se “është fakt se grupi ‘Hysenbelliu’, me disa kanale televizive dhe gazeta, është protagonist në vend në zbardhjen e skandaleve të mëdha qeveritare të korrupsionit dhe paligjshmërisë, të tilla që së bashku me luftën e opozitës shkaktojnë dhimbje koke dhe dridhje në Qeveri”.

“Ashtu siç pritej, ngjarja shkaktoi një reagim të fortë nga opozita dhe bota gazetareske në vend. Ata ia atribuojnë këtë aksion personalisht Kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë se po përpiqet të kontrollojë të gjitha pushtetet në vend, duke goditur lirinë e medias. Opozita e drejtuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ngritur tonet për një vjeshtë të nxehtë politike në vend dhe për nevojën e dorëheqjes së qeverisë Rama”, mbyll artikullin media greke.

ert-news

Turistja daneze në “Prestige Resort”: Sjellje primitive, nuk kthehemi më

Aksioni i paligjshëm ndaj “Prestige Resort” ka shkaktuar frikë dhe panik te turistët vendas dhe të huaj, të cilët kanë zgjedhur hotelin në Golem për të kaluar pushimet e tyre. Një pushuese daneze ishte mes qindrave të tjerë që kanë përjetuar situatën e pazakontë në “Prestige Resort”. Nën praninë e dy fëmijëve të vegjël ajo deklaroi për kamerën e “News 24” se u zgjuan mes qindra policëve duke pasur frikë. Ajo shton se veprime të tilla janë sjellje primitive, jo të civilizuara, si dhe shton se nuk do të kthehet më në Shqipëri.

“Jemi nga Danimarka. Kemi 6 ditë, që kemi ardhur. U habitëm shumë në mëngjes kur u zgjuam me policë gjithandej, për atë çfarë po ndodhte. Diçka mes qeverisë dhe pronarit të këtij hoteli. Është shumë e pazakontë që në një vend të civilizuar të sillen kështu me ty nëse je me opozitën. Nuk e di se çfarë po ndodh mes qeverisë dhe pronarit të resortit. Nëse Shqipëria do të jetë pjesë e BEsë, bën mirë që të fillojë të sillet ndryshe. Nuk do të ndodhte kurrë në vendin tonë, kjo është sjellje primitive.

Shpresoj që qeveria si njerëz të rritur të sillen me civilizim, duket shumë e çuditshme. Jam kurioze për situatën. Fëmijë kishin frikë, dy fëmijët më të mëdhenj nuk duan të dalin sepse nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh. Kjo është hera e parë në Shqipëri dhe fëmijët thanë se nuk duam të kthehemi më në këtë vend. Kjo është shumë keq sepse jam e sigurt se Shqipëria është një vend i bukur me kulturë, pavarësisht se çfarë po ndodh. Kjo që po ndodh është shumë primitive”, tha turistja daneze. Kurse një çift turistësh, gruaja shqiptare dhe bashkëshorti italian deklaruan se nuk do të kthehen më, pasi pushimet e tyre u shkatërruan.

“Na shkatërruan pushimet. Nuk vij më. Nuk do të kthehem. Jam i hidhëruar, i zhgënjyer. Për mua është një ngjarje e papranueshme”, tha turisti italian. “Nuk donte të vinte unë i mbusha mendjen, por tani do ikim. Më vjen keq për ju që jetoni këtu. E kishim planifikuar të qëndronim dhe disa ditë, por do ikim. Sot nuk hëngrëm dot as mëngjesin. Dolëm të hanim jashtë, për shkak të zhurmës u futëm brenda, por sërish dëgjohej. Dje u zgjova e frikësuar, mendova se do na shembnin dhe hotelin. Si mund të ndodhë kjo në vitin 2022”, tha gruaja.

MEDIA POLAKE: KAOS NË HOTEL

Media polake “TVN 24” shkruan se në “Prestige Resort” ku ndërhyri IKMT-ja ka edhe turistë nga Polonia, që u tronditën nga ajo që panë mëngjesin e së premtes. “Zbritëm në mëngjes dhe të gjithë u habitëm. Pajisjet e rënda hynë në ambientet e hotelit dhe filloi prishja e dy nga tri pishinat. Sot, ka mbërritur një grup i madh turistësh nga Polonia. Nuk e di nëse mund të qëndrojmë këtu.

Nuk kemi asnjë informacion se duhet të ndryshojmë vendndodhjen tonë. Disa thonë se i gjithë hoteli do të prishet, tha zoti Robert, një turist polak që qëndron në hotelin ‘Prestige Resort’ pranë Durrësit, Shqipëri”, cituar nga media “Kontakt 24”. “Herët në mëngjes të së premtes, kaos ka shpërthyer në hotelin ‘Prestige Resort’ në Shqipëri”, raporton “alftonbladet.se”.

“SUEDEZËT NUK DO TË RIKTHEHEN PËR TURIZËM. JEMI TË FRIKËSUAR!”

Turistët e huaj, të cilët kishin zgjedhur “Prestige Resort” për të kaluar pushimet e verës, janë përballur me ndërhyrjen e IKMT-së. Turistët shprehen të indinjuar me atë që po ndodh. Një turist nga Suedia deklaroi se mediat e vendit të tij kanë shkruar për atë që po ndodh dhe faktin që turistët suedezë janë shumë të frikësuar dhe se nuk do të zgjedhin më vendin tonë për të kaluar pushimet me frikën se kjo do të përsëritet edhe gjetkë.

“Mediat suedeze treguan për këtë problem, shkruan se turistët suedezë janë shumë të frikësuar dhe se nuk do të rikthehen më këtu pasi frikësohen se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në hotele të tjera. Do të fluturoj për në Suedi, por kjo situatë është bërë e padurueshme”, shprehet turisti suedez. Kjo është një reklamë e keqe për turizmin shqiptar, duke pasur parasysh se turistë nga këto vende zgjedhin shpesh vendin tonë për të pushuar.

Të shumë janë turistët që nuk do ta zgjidhnin më Shqipërinë, duke i bërë reklamë negative vendit tonë. Ndërkohë, disa turistë nga Polonia kanë deklaruar se do të donin të kishin një ambient të qetë që të mund të pushonin, por se kjo duke e pamundur ndërkohë që fadromat vijojnë punën. “Situata është dramatike, ne duam qetësi sepse jemi me pushime, por kjo është e pamundur. Është bërë një ambient tejet i zhurmshëm”, u shpreh një nga pushueset.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.