EKONOMI

Kreditimi, “indiferent” ndaj inflacionit dhe rritjes së shpejtë të interesave: gushti me vlerën më të lartë në të paktën shtatë vjet!

07:42 - 30.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit në tregjet financiare nuk po e ndikojnë ende kreditimin e ekonomisë, madje ajo vazhdon të rritet me ritme rekord. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin gusht dhe për të gjithë 8-mujorin kredia e re ka regjistruar nivelet më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit.




Vetëm për muajin gusht, sektori bankar disbursoi kredia të reja në vlerën e 27.4 miliardë lekëve ose rreth 234 milionë eurove. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kredia e re për ekonominë është rritur me 38.3%.

Për të gjithë 8-mujorin kredia e re arriti vlerën e 188 miliardë lekëve ose rreth 1.6 miliardë eurove. Në raport me 8-mujorin 2021, kredia e re është rritur me 22.4%.

Këtë vit, është biznesi që po shfaq ritmet më të larta të rritjes së kredisë. Për tetë muaj, kredia e re për ndërmarrjet private arriti në afërsisht 125 miliardë lekë, në rritje vjetore me 25.5%. Kredia për biznesin po rritet si në lekë, ashtu edhe në euro ndërsa rritja paraqitet e ekuilibruar edhe sipas qëllimit të përdorimit. Bizneset këtë vt po rrisin huamarrjen si për kapital punues, ashtue dhe për investime të reja në makineri, pajisje dhe pasuri të paluajtshme.

Kredia vazhdon të shfaqë rritje pozitive edhe në segmentin e individëve, por me ritme disi më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Kredia e re për individët në tetë muaj kishte vlerën e 58.3 miliardë lekëve, në rritje me 16.1% krahasuar me një vit më parë. Po të shohim strukturën e kredisë së re, ajo që vërehet është një vijimësi e rritjes së shpejtë të kredisë për shtëpi në euro, por një ngadalësim i rritjes së kredisë konsumatore dhe hipotekare në lekë.

Nivelet e larta të inflacionit kanë dhënë disa shenja të ngadalësimit të konsumit të sektorit privat të ekonomisë, megjithëse gjatë sezonit veror ky efekt mund të jetë amortizuar ndjeshëm nga sezoni i mirë turistik. Sidoqoftë, studimet e tendencave historike të kredisë konsumatore nga Banka e Shqipërisë kanë treguar se ajo tenton të ndjekë ciklin e ekonomisë. Një ngadalësim i kredisë konsumatore mund të interpetohet si sinjal i parë i frenimit të konsumit të familjeve.

Në vazhdim, konsumi i familjeve mund të goditet më tej nga shtrenjtimi interesave të kredive dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 Kë. Efektet në konsum do të shtrihen edhe në të ardhurat e bizneseve, duke i theksuar më tej efektet negative të inflacionit të lartë edhe në bilancet e sipërmarrjes.

Sidoqoftë, deri tani ecuria pozitive e kredisë së re po reflektohet me ritme të qëndrueshme të rritjes së portofolit të kredisë për ekonominë. Në fund të gushtit, vlera e portofolit arriti në 711 miliardë lekë, në rritje vjetore me 12.6%. Vetëm gjatë muajit gusht, vlera totale e portofolit u rrit me pothuajse shtatë miliardë lekë./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.