EKONOMI

Bankat kanë fshirë 75 miliardë lekë kredi që prej vitit 2015!

07:50 - 10.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bankat kanë nxjerrë jashtë bilanceve edhe 3.3 miliardë lekë kredi të humbura në gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet e sektorit bankar arriti në 75 miliardë lekë që prej fillimit të vitit 2015. Pjesa më e madhe e kredive të fshira në gjashtëmujorin e parë të vitit ishin kredi në monedhën euro të mbajtura nga sektori i biznesit.




Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi në përmasa të mëdha në vitin 2015, kur hyri në fuqi detyrimi i vendosur nga Banka e Shqipërisë për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen graduale të raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%.

Nxjerrja e kredive jashtë bilancit është një operacion që bëhet me qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, ajo nuk ka ndonjë ndikim në performancën e tyre financiare. Kreditë e klasifikuara si të humbura duhet detyrimisht të provigjionohen në masën 100%, çka nënkupton njohjen e plotë të humbjeve prej tyre në bilanc qysh para fshirjes. Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit gjithashtu nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rekuperimit të saj.

Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i kredive me probleme u zvogëlua me rreth 1 miliardë lekë nga fillimi i vitit dhe në fund të qershorit 2022 shënonte rreth 37 miliardë lekë, duke shfaqur edhe nivelin më të ulët të regjistruar gjatë trembëdhjetë viteve të fundit. Në krahasim me një vit më parë, stoku i kredive me probleme ka rënë me 7.3 mld lekë

Raporti i kredive me probleme në të njëjtën periudhë ishte në nivelin 5.32%, ndërsa më tej gjatë muajit korrik shënoi një tjetër rënie të lehtë në 5.27%. Bankat në gjysmën e parë të vitit kanë raportuar përmirësim të cilësisë së kredisë kryesisht për kredinë me maturitet afatgjatë, kredinë për bizneset dhe kredinë në valutë. Ndërkohë, segmenti i individëve vazhdon të shfaqë raporte më të ulëta të kredive me probleme, veçanërisht në kredinë për blerjen e banesave. Në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme për këtë produkt ra më tej në nivelin 2.7%.

Megjithatë, këtë vit përmirësimi i cilësisë së kredisë ishte i përqendruar në tremujorin e parë, ndërsa në tremujorin e dytë të vitit cilësia e kredisë shënoi një rënie të lehtë. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky proces mund të lidhet me zhvillimet që pasuan nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë. Në fakt, zhvillimet ndërkombëtare dhe ecuria e situatës energjetike mund ta vendosin ekonominë përballë një panorame sfiduese. Mundësia që për shkak të kostove të larta të energjisë, ekonomia të ngadalësohet dhe të ardhurat e bizneseve e të familjeve të bien, duket reale.

Kjo mund të sjellë një ndikim negativ mbi cilësinë e portofolit të kredisë së bankave, ndaj Banka e Shqipërisë sugjeron se është i nevojshëm një administrim sa më i kujdesshëm i procesit të dhënies, monitorimit dhe njohjes së këtij rreziku në veprimtarinë e kreditimit, veçanërisht për ato veprimtari dhe huamarrës që kanë një përdorim të lartë të energjisë./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.