AKTUALITET

Industria detare, kushtet për subjektet që duan stacione sezonale ankorimi!

07:40 - 14.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë subjektet që duan që të vendosin një stacion sezonal ankorimi apo bregëzimi në përgjatë vijës bregdetare në vend duhet të plotësojë një sërë kushtesh e dokumentacionesh që duhet të dorëzohet tashmë në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.




Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bëri të ditur se janë ta paktën katër lloj dokumentacionesh që duhet të plotësohen duke nisur nga ai administrativo-ligjor tek ai teknik e financiar e deri tek ndikimi në mjedis.

Ashtu sikurse po veprohet me ndarjen e plazheve duket se edhe për stacionet e ankorimit këtë vit po veprohet në mënyrë më të shpejtë për të qenë gati para sezonin veror 2023.

Rritja e numrit të mjeteve detare ka qenë e vazhdueshme nga viti në vit e bashkë me të dhe nevoja për të kontrolluar ankorimet apo bregëzimet e paautorizuara që mund të kenë pasoja negative.

Sipas të dhënave të Drejtorisë Detare dhënë për “Monitor” në muajin gusht në vend figurojnë të regjistruara 3864 mjete të vogla lundruese (nën 15 metra linearë).

“Janë 202 Anije/mjete lundruese mbi 15 ml, të cilat janë aktive (bazuar në dokumentacionin e ri me të cilin janë pajisur – Certifikatë Regjistrimi e lëshuar në vend të dokumentacionit Dëshmi pronësie-Dëshmi Flamuri). Në këtë numër përfshihen 6 anije tregtare për transport ngarkesash; 7 anije që transportojnë pasagjerë + automjete në linjë ndërkombëtare Sarandë-Korfuz; 142 anije peshkimi; 16 anije shërbimesh portuale; 11 anije turistike të përfshira në lundrim kombëtar. Mbi 30 anije peshkimi dhe 20 anije shërbimesh portuale priten të zbatojnë detyrimin e zëvendësimit të dokumentacionit. Për aktivitet turistik, në lundrim kombëtar detar dhe liqenor, anije/mjete lundruese pasagjerë (që transportojnë mbi 12 pasagjerë) janë 54 copë”, thuhej në këto të dhëna.

Dokumentacioni i nevojshëm

Rritja e fluksit të mjeteve kërkon edhe rritjen e numrit të stacioneve që përmbushin parametrat ligjorë por edhe që janë të sigurt diçka që bazohet në respektimin e kërkesave teknike.

Por cili është dokumentacioni i nevojshëm për të aplikuar për vendosjen e stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit dorëzohet pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit?

Dokumentacioni administrativo-ligjor:

a) kërkesë për zhvillimin e veprimtarisë në hapësirën detare dhe pronën e paluajtshme shtetërore, në funksion të zhvillimit dhe funksionimit të stacionit sezonal të ankorimit/bregëzimit;

b) vërtetim që subjekti nuk është në proces falimentimi dhe kapitalet e tij nuk janë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit;

c) vërtetim që aplikuesi nuk është subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe nuk ka një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose të mos ketë një marrëveshje me kreditorët apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;

d) dokument që vërteton se aplikanti nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale, si person fizik ose juridik, ortak apo aksionar i shoqërisë;

e) vërtetim përkatës nga administrata tatimore se subjekti ka përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve, detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.

Dokumentacioni teknik:

a) projektidenë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 5, të Vendimit nr. 285, datë 29.4.2022 “Për kriteret e vendosjes dhe të funksionimit të stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit”;

b) projektin inxhinierik për vendosjen e stacionit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 5 të Vendimit nr. 285;

c) planin e zbatimit, grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit.

Dokumentacioni financiar:

a) planbiznesi, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 5, të VKM nr. 285;

b) shpenzimet kapitale për kryerjen e investimit;

c) shpenzimet për kostot operacionale dhe të ardhurat.

Dokumentacioni në lidhje me ndikimin mjedisor:

a) impakti mjedisor i zhvillimit të investimit dhe përmirësimet e propozuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.

Kriteret e përcaktuara në pikën 5, të Vendimit nr. 285, datë 29.4.2022 “Për kriteret e vendosjes dhe të funksionimit të stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit” janë si më poshtë:

– të përballojë në kushte sigurie, përveç peshës së tij dhe ngarkesa të tjera të përhershme,

veprimet e transmetuara nga lëvizja e valëve, nga rrymat detare, nga tërheqjet gjatë ankorimit, nga erërat, nga çdo lëkundje eventuale sizmike, nga mbingarkesa vertikale të ndryshueshme dhe veprime horizontale, kushtet lokale të motit, ndryshimet në nivelin e detit, karakteristikat e mjeteve lundruese dhe mënyra e ankorimit;

– të sigurojë dhe të marrë të gjitha masat për mbrojtjen maksimale të mjedisit detar;

– të ketë lartësinë minimale mbi nivelin e detit 0.5 m;

– të ketë shërbimet higjienike të vendosura në raport 1 njësi higjienike (përbëhet nga të

paktën tualete të dedikuara për femra dhe meshkuj, lavamanë dhe dush) për 25 mjete lundruese, si dhe të respektojë kriteret e parashikuara në legjislacionin në fuqi për personat me aftësi të kufizuara;

– të sigurojë një sistem për grumbullimin e ujërave të zeza që do të gjenerohen gjatë sezonit turistik dhe të bëhet trajtimi i tyre me impiante depurimi sipas legjislacionit në fuqi;

– të realizojë furnizimin me energji elektrike nëpërmjet një sistemi me materiale rezistente

ndaj korrozionit dhe në përputhje me rregulloret aktuale të sigurisë teknike;

– të realizojë ndriçimin e zonës së ankorimit të mjeteve lundruese me minimumi 5-7 lux,

ndërkohë ndriçimi i zonës së parkimit të mjeteve dhe karelave të realizohet minimumi me 7-10 lux;

– të sigurojë furnizimin me ujë në kushtet e mungesës së rrjetit të ujit të pijshëm, nëpërmjet

vendosjes së depozitave për ujë të pijshëm dhe ujë industrial në raport me kapacitetin e stacionit (200 m3 ujë industrial për 200 mjete lundruese dhe 40 m3 ujë të pijshëm për 200 mjete lundruese);

– të vendosë mjetet e sigurisë në det (kamerdare dhe litari i nevojshëm) në çdo 25 metra;

– të instalojë sinjalistikën detare (fenerë, bova sinjalizuese, litarë lundrues kufizues, fare etj.) në përputhje me dispozitat e Kodit Detar dhe aktet ligjore në zbatim të tij dhe me standardet specifike kombëtare dhe ndërkombëtare;

– të realizojë trajtimin e mbetjeve, nëpërmjet vendosjes së kontejnerëve, me një kapacitet 1.5 m3 për çdo 50 mjete lundruese. Tërheqja e mbetjeve të ngurta dhe vajore nga mjetet lundruese dhe nga kontejnerët të bëhet nga shoqëri të licencuara në zbatim të legjislacionit në fuqi;

– të sigurojë ndihmën e parë nëpërmjet njoftimit të mjekut të dedikuar (kontraktuar) dhe përdorimit të kasetës së emergjencës, pajisur me mjetet dhe produktet më të rëndësishme të ndihmës së parë./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.