AKTUALITET

INTERVISTA/ Eksperti flet për skandalin e inceneratorëve: Skema s’mund të ndalojë, bie Qeveria! Ekonomia, asnjë përfitim nga kanabisi mjekësor

14:03 - 19.10.22 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VALENTINA MADANI/ Projektligji “Për Amnistinë Fiskale dhe Penale për Subjektet që bëjnë Deklarim Vullnetar të Pasurive”, ka të gjithë kundër përfshirë dhe institucionet ndërkombëtare si FMN, KE, BE dhe SHBA-ja, të cilët kërkojnë rishikim të draftit.




Për analistin e njohur të ekonomisë, Artan Hoxha, problemi më kardinal i projektit të qeverisë është ai lidhur me aspektin penal të amnistisë dhe ligjërimi i pasurisë së ardhur apo krijuar nga veprimtaria kriminale. Hoxha thotë për gazetën “Panorama” se kjo amnisti merr përsipër të legalizojë pasuri të shtuara abuzivisht me evazion fiskal në vende të tjera përmes veprimtarive kriminale. Ai vë në dukje se merren me pjesën fiskale të ligjit dhe nuk merren me pjesën kriminale të ligjit. Artan Hoxha flet edhe për nismat e tjera të debatueshme të qeverisë si “pasaportat e arta”, kanabisi mjekësor dhe bumi i ndërtimeve.

Hoxha, në një situatë krize ekonomike, cilat janë pritshmëritë e nismave të qeverisë…? Besoni se më e keqja nuk ka ardhur akoma…?

Ekonomia botërore, ajo e eurozonës gjithashtu, janë në fazën e ngadalësimit. Nga “lufta me virusin” dhe ndalesat e ekonomisë për shkak të distancimit dhe izolimit, kaluam te “lufta me rusin” që ka sjellë edhe rritjen e çmimeve të burimeve energjetike edhe frikën për mungesën e tyre edhe alokimin e fondeve për luftën e furnizimet për të, edhe frikën për luftëra të tjera të mundshme, të gjitha së bashku rritjen e interesave, vijimin e rritjes së borxheve publike të shteteve por edhe shtrenjtimin e shërbimit t borxhit.

Shqipëria pëson të gjitha këto pasoja të ekonomisë globale, europiane dhe të eurozonës, kombinuar me problemet tona të brendshme dhe origjinale – ekonomi kryesisht tregtare, shërbimi e ndërtimi, me vlerë të shtuar të vogël dhe inovacion të dobët, me zvoglim të fortë e të shpejtë të popullsisë dhe plakje të saj, si dhe të shterimit të masave të mundshme qeveritare dhe efektivitetit në dobësim të manovrave fiskale të saj, të keqpërdorura në kohë të tjera. Ndaj, po, besoj se me më shumë gjasa do shohim edhe me keq.

Ndër këto nisma të debatueshme janë amnistia fiskale dhe dhënia e “pasaportave të arta”, por a rrezikojnë luftën kundër pastrimit të parave? Në këtë rast, qeveria ka kundër FMN-në dhe BE-në, të cilat i kërkojnë rishikim të draftit. Pse po këmbëngul qeveria për projektin e amnistisë fiskale, ndërkohë që partnerët ndërkombëtarë janë shprehur kritikë ndaj saj?

Amnistitë në përgjithësi, ato fiskale gjithashtu, nuk janë masa kaq të jashtëzakonshme. Ato janë bërë nga shumë vende në kohë të ndryshme e në përmasa të ndryshme e do vijojnë të bëhen. Çështja në rastin e tanishëm është se qeveria jonë propozon një amnisti që del nga konturet e një amnistie standard fiskale.

Veçantia e së ashtuquajturës “amnisti fiskale” e qeverisë sonë dallohet në dy aspekte. Së pari, që kjo nuk është vetëm e pastërtisht amnisti fiskale (penale dhe administrative), por është edhe legalizim i produkteve pasurore të ardhura nga veprimtari kriminale, një mori të këtillash si vjedhje, mashtrime, falsifikime e kontrabandime, vepra penale, këto që mund t’i kenë sjellë pasurim shkelësit hipotetik e këto pasuri nuk përjashtohen shprehimisht nga legalizimi siç bën me të drejtë projektligji me pasuri që mund të kenë ardhur nga disa vepra të tjera penale, krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizimi etj.

Aq më shumë që në zbatim, dera e hapur për te pasuritë e krijuara nga krimet e llojit të parë mund të përdoret më me lehtësi për pasuritë e krijuara nga të llojit të dytë. Së dyti, kjo amnisti merr përsipër të legalizojë pasuri të shtuara abuzivisht me evazion fiskal në vende të tjera, por si pasojë e veçantisë së parë, edhe të krijuara me veprimtari kriminale kryer në këto vende. Veçantia e parë sjell paradoksin që një ditë të bukur, pas amnistisë, mund të shohësh që sendin që ta kanë vjedhur e posedon ligjërisht ai që ta ka vjedhur.

Veçantia e dytë na vë në konflikt deri absurd me vendet e tjera kur inkurajojmë që pasuritë e vëna me evazion apo krim në ato vende i legalizojmë në Shqipëri, a thua se jemi Tortuga, ishulli famëkeq i pirateve. Amnistia fiskale është e nevojshme pasi shumë persona e subjekte kanë qenë të detyruar të evadojnë për shkak të vetë mënyrës së funksionimit të sistemit ekonomik e ligjor. Kalimi në një sistem fiskal më të rreptë e më të zbatueshëm në të ardhmen kërkon çlirimin nga peshat e mëkateve fiskale të së shkuarës. Vetëm një amnisti pastërtisht fiskale, e thjeshtë në zbatim dhe vetëm për evazion kryer në Shqipëri, mund të prodhojë dobi e të bëhet e pranueshme edhe për vendet e treta.

Këto para mund të jenë vënë në mënyrë të jashtëligjshme, por mund të vijnë në formë vetdeklarimi siç parashikon ligji…?

Tjetër punë është se çfarë mund të bëjnë njerëzit, kjo i përket aspektit të zbatimit të ligjit, por jemi në fazën e formulimit ligjor dhe formulimi ligjor duhet të jetë i qartë. Nëse flasim për amnisti fiskale çdo nen i ligjit duhet të jetë pastërtisht i lidhur vetëm me amnistinë fiskale. Pra, me faljen e mëkatit fiskal dhe legalizimin e pasurisë e cila është krijuar duke mos paguar disa taksa. Kur themi për amnistinë fiskale, por të lexosh ligjin, ajo nuk është amnisti fiskale vetëm, por ajo ka një legalizim të produkteve që mund të kenë rrjedhur nga një numër i madh krimesh penale. Kur themi amnisti fiskale apo kapitale kuptojmë para, pasuri, asete pra të krijuara me aktivitete jo kriminale dhe mëkati i vetëm i kryer është shmangia e pagesës së taksave.

Kjo është amnistia e pastër fiskale. Ndërsa ligji i ri i qeverisë i diskutuar edhe në vitin 2000, edhe gjatë këtij viti është pasojë e formulimit që pasuritë e krijuara për shembull nga vjedhja, të krijuara nga mashtrimi, nga falsifikimi dhe nga afro 100 nene të Kodit Penal sipas këtij drafti-ligji edhe ai i vitit 2000 dhe ky i tanishmi mund të legalizohen. Falet edhe ana penale, legalizohet edhe produkti i krimit. Në ligj ka një nen që thotë që përjashtohet nga përfitimi nga ky ligj pasuritë që kanë rrjedhur nga krimi, të tipit mafioz, terrorizmi, korrupsioni etj. Janë krime që quhen të rënda dhe janë kompetencë e SPAK-ut. Tani këto lloj shkeljesh penale të rënda edhe nëse ka prodhuar pasuri, kjo pasuri nuk legalizohet nga ky ligj amnistie.

Çfarë do të ndodhë nëse ligji miratohet kështu siç është shkruar…?

Në qoftë se dikush ka vjedhur diçka, ia ka vjedhur dikujt tjetër. Këtë pasuri në bazë të atij formulimi mund ta legalizojë. Ti e sheh nesër atje dhe thua kjo është e imja. Po ai hajduti të thotë: e kam legalizuar unë… Pra, hyhet në absurd. Pra, është i padrejtë dhe krijon absurd. Produkti që i është marrë dikujt tjetër nuk mund t’i mbetet hajdutit. Pra, jo vetëm që është i gabuar, por është edhe absurd në vetvete se si është formuar.

Prandaj unë besoj se ai ligj sa kohë nuk ndreq këtë aspekt të legalizimit të produkteve që rrjedhin nga një seri krimesh që nuk përjashtohen nga neni specifik, pra këta duhet të përjashtohen njësoj si krimet e rënda, që janë të përmendura me numra si referencë e Kodit Penal, duhet të përjashtohen si të tjerat dhe të mbeten vetëm ato 7 apo 8 nene të qarta të Kodit Penal që kanë të bëjnë vetëm me shmangien e taksave.

Lidhur pastaj me amnistinë e pastërtisë fiskale jam dakord, sepse jemi një ekonomi që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi nivel të lartë informaliteti ku njerëzit shmangin detyrimin fiskal edhe për shkak të rrethanave dhe fuqisë së konkurrencës së tregut edhe se ti ma dikton në transaksionin tënd këtë gjë, por përfshirë dhe një kulturë ende të paformuara mirë me disiplinën fiskale. Atëherë them se është e mira që të kryhen dy hapa, një hap është se sistemi fiskal bëhet i rreptë në zbatim, por edhe i drejtë dhe paraprin dhe nga një paketë fiskale. Pra, siç falim veprat penale nga llojet më të ndryshme, pse nuk falim pse të mos i falim ato 7- 8 vepra penale që kanë të bëjnë me shmangien e pagesës së taksave dhe asgjë tjetër. Natyrisht, duke i falur ato do të kesh dhe një lloj legalizimi administrativ të pasojave që kanë ardhur.

Po sa i përket pasaportave të arta…?

Edhe për të ashtuquajturat “pasaporta të arta” duket se nisma vuan nga të njëjtat sëmundje. Dhënia e shtetësisë të huajve është proces normal në çdo vend. Mjafton të kujtojmë këtu që janë me qindra mijëra shqiptarë që kanë marrë shtetësinë në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Francë, Austri, Belgjikë, Holandë, US e gjetkë, ndërsa shtetësinë shqiptare e kanë marrë plot të huaj gjithashtu në këto vite të demokracisë. Në të gjitha rastet dhënia e shtetësisë është një proces kompleks që rreket të sigurojë që shtetësia i është dhënë një individi që jo vetëm ka arritur të mbijetojë normalisht e të kontribuojë në atë vend, por edhe që ky individ do jetë besnik dhe patriot ndaj atdheut të ri, siç supozohet se janë shtetasit e lindur, të rritur e të edukuar në atë vend.

“Pasaportat e arta” duket se janë veçse “një pazar aty për aty, i një privilegji për ca para”, ku privilegji që mund të krijojë shtetësia dhe pasaporta shqiptare (dikujt që ka plot para) merret me mend se kujt tipi mund t’i hyjë në punë dhe pra edhe origjina e atyre parave vetëkuptohet për rrjedhojë. Ndaj dhe është një akt problematik që kundërshtohet nga Bashkimi Europian, veçanërisht në këto kohëra luftërash. Ndaj edhe këmbëngulja e qeverisë për të ruajtur thelbin e propozimeve të veta për amnistinë dhe “pasaportat e arta” ekspozon qëllimet e vërteta të qeverisë, komplet të ndryshme nga ato që propagandon zyrtarisht.

Qeveria rihodhi për konsultim publik draftin për legalizimin e kanabisit mjekësor. Pse ky nxitim…? Çfarë ndikimi do të ketë te qytetarët kjo nismë e qeverisë?

Kanabisi mjekësor s’ka pse mos të kultivohet edhe në Shqipëri. Shteti shqiptar, nëse do, i ka të gjitha kapacitetet për të penguar që kultivimi i kanabisit mjekësor, apo i kanabisit të hallit, të mos bëhet rrezik i qenësishëm e i pakontrollueshëm për kamuflimin e kultivimit të kanabisit të qejfit. Aq më shumë që interesi i krimit të organizuar ka kaluar te kokaina dhe drogat e tjera të forta. Nëse qeveria do ama, se në 2015 dhe 2016 kanabizimi nuk shpjegohet dot veçse me një politikë qeveritare, të vërtetë ndonëse të mohuar, e po kështu dekanabizimi që ndodhi pas atij viti. Gjithsesi, nga kultivimi i kanabisit mjekësor nuk pres se do ndodhë çudia e që ekonomia jonë do ketë përfitime kushedi se çfarë. Do mund të jemi konkurrentë në tregun global të kanabisit mjekësor po aq sa ç’jemi për domate e kastravecë.

Tirana pritet të përjetojë një bum të lartë ndërtimesh, një pjesë e madhe e të cilave në zonën qendrore të saj. Dhjetëra kulla polifunksionale kanë hapur kantieret e ndërtimit përgjatë rrugëve dhe shesheve kryesore të kryeqytetit. Pse kaq e lehtë gjetja e investitorëve? Si po bëhet Shqipëria, që zyrtarisht është vendi që ka të ardhurat për frymë më të ulëta në rajon, me kryeqytetin më të shtrenjtë sa u përket çmimeve rezidenciale në qendër të saj? Nga po financohet bumi i ndërtimit?

Përtej nevojës reale për shtesë vjetore në stokun e ndërtesave, si nevojë për banim apo për aktivitete biznesi, pjesa tjetër e stokut, pjesa më e madhe e tij, ndërtohet me shpresën se do të shitet ose për spekulim, në kuptimin e investimit (me natyrë jo aq të komplikuar, çdokujt i vjen në mend e çdokush mund ta bëjë një investim të këtillë përmes blerjes) me shpresën që vlera e ndërtesës do rritet në të ardhmen, kjo edhe kundrejt mundësive të pakta që të njëjta para të përdoren për investime të llojeve të tjera, prodhuese, eksportuese, inovative, teknologji e lartë etj., lloje këto që kërkojnë më shumë mund e mend, ose shitje për riciklimin e parave me origjine ilegale e kriminale që, duke blerë ndërtesa tenton të pastrohen e të legalizohen.

Duket që përmasat e spekulimit arrijnë deri në çmenduri, ndërsa ato të pisllëkut të parasë deri në poshtërsi. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet që ndonëse oferta në volume ndërtimore të stokut të ri ka rritje shumë të lartë nga viti ne vit edhe çmimet rriten gjithashtu fuqishëm, ndërsa popullsia zvogëlohet dhe rritja ekonomike vjetore është e ulët.

Pse nuk ndalojnë pagesat për inceneratorët apo rilindjen urbane? Ku po shkojnë paratë e shqiptarëve?

Pagesat nuk kanë se si të ndalojnë. Skema nuk mund të ndalojë. Nëse ndalon shkërmoqet e merr me vete të gjithë autorët. Pikërisht nga ky fatalitet vijimësie djegësit ndoshta plehra nuk do djegin, por para e njerëz, po.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka sjellë shumë pakënaqësi te qytetarët. Si mund t’i përballojnë shpenzimet me pagesën e tyre mujore, ndërkohë që Enti Rregullator i Energjisë vendosi për shtyrjen e fashës 800 kë/h në nëntor?. Janë 70 mijë familje që pritet të kenë një dimër më të kushtueshëm këtë vit sesa të tjerët…

Për disa arsye Shqipëria është e detyruar të importojë energji elektrike, krahas naftës dhe gazit, dhe kjo, në mënyrë të pashmangshme rrit koston e energjisë. Falë politikës nxitëse të qeverisë demokrate për hidrocentralet private, ato tashmë janë një kontributor shumë i rëndësishëm i prodhimit hidroenergjetik vendas. Pa këto hidrocentrale importi i energjisë do ishte edhe më i shumtë e kosto e energjisë edhe më e lartë. Qeveria rilindëse nuk arriti të mundësojë në këto 9 vite as edhe një impiant të ri diellor apo eolit, ndërsa dekurajoi rritjen e mëtejshme të sektorit privat të hidrocentraleve e kjo na ka hequr mundësinë e rritjes se prodhimit vendas dhe vijimin e varësisë së tij thuajse tërësisht nga reshjet, mungesë dhe pasiguri që e kompensojmë me import të rritur ndërsa vijojmë të jemi të detyruar të eksportojmë energji me çmim të lirë e ta blejmë me çmim të lartë, pa llogaritur këtu edhe efektet e abuzimeve.

E vetmja arritje për t’u shënuar rilindëse është rënia e humbjeve jo-teknike në shpërndarje, arritje që u mbështet gjithsesi në masa të ashpra jo-proporcionale dhe u krye me mënyra jo kompaktibël me sistemin demokratik e ligjor, me pasojë dhjetëra, mijëra ditë burgim, gjoba e deri vetëvrasje nga dëshpërimi. Në këto rrethana, dhe në pritje të rritjes së konsumit në dimër, duket se është e pashmangshme rritja e çmimit të energjisë, pasi pa këtë rritje, nevoja për subvencione nga buxheti i shtetit do të tejkalonte mundësitë e këtij buxheti.

Niveli 800 Këh duket se tejkalon konsumin mujor të familjes se mesme dhe pra, numri i pritshëm që do preket mund të tejkalojë 10% të familjeve ndërsa çmimi mbi këtë nivel rritet menjëherë me 5 herë. Veçse 160 Këh më shumë në muaj e dyfishojnë vlerën e faturës prej 800 Këh. Do të ishte e udhës që qeveria të konsideronte ose një nivel me të lartë të fashës, p.sh. 1000 Këh dhe/ ose një rritje çmim me përshkallëzim progresiv, 2,3,4, herë me disa fasha dhe jo kërcim kaq të fortë, direkt me 5 herë fill e mbi nivelin e fashës, ose një kombinim i dy metodave.

Panorama.al

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.