LAJMI I FUNDIT

VIDEO/ Prestige “on fire”, vijon me goleadat në kampionatin 5×5 në minifutboll!

09:45 - 22.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vazhdon ecuria pozitive e Prestige në kampionatin “5×5” që organizon Federata Shqiptare e Futbollit, teksa ditën e djeshme shënoi sërish fitore të dyfishta me ekipet A dhe B.




Skuadra e parë, e cila bën pjesë në Grupin F të Zonës së Tiranës, triumfoi me rezultatin 5-0 ndaj Marquez Caffe. Ndonëse suksesi erdhi me goleadë, gjithçka u zgjidh në pjesën e dytë, me golin e Hysenbelliut që zhbllokoi takimin, të shoqëruar më pas me dopietat e Nuzës dhe Rapos.

NDESHJA

Që në fillim Prestige ishte kërkues në sulm, ndërsa Marquez Caffe u vendos menjëherë në mbrojtje, duke luftuar fort për çdo top. Edhe pse gjatë të gjithë kohës e zhvendosi lojën në gjysmëfushën kundërshtare, manovra sulmuese e Prestige nuk kishte shpejtësinë e duhur në pjesën e parë.

Gjithsesi, skuadra arriti të krijonte disa mundësi shënimi, por portieri kundërshtar Hoxha u bë protagonist duke e shpëtuar disa herë kuadratin, me fraksionin e parë të lojës që u mbyll pa gola.

Por në pjesën e dytë Prestige ndryshoi menjëherë marsh, duke e rritur ndjeshëm shpejtësinë e qarkullimit të topit, me lojtarët që ndërronin pozicionet pas çdo pasimi.

Një ritëm që kundërshtari e kishte të vështirë ta ndiqte, e për rrjedhojë nuk vonoi as goli.

Kështu Prestige gjeti avantazhin 2 minuta nga fillimi i fraksionit të dytë, falë një gjuajtje të saktë të Hysenbelliut.

Më tej kishim një seri shtyllash nga Prestige, fillimisht me Shimën, që mbyll një kombinim të bukur mes tij, Shetës dhe Hysenbelliut.

Më pas shtylla i mohoi golin e dytë Hysenbelliut, ndërsa Ademi nuk arriti që ta shtynte në rrjetë.

Më tej ishte Nuza që u ndal nga traversa, me topin e devijuar fillimisht nga portieri.

Por me një ritëm të tillë goli i dytë ishte vetëm çështje kohe.

Në të 13-ën e pjesës së dytë, Nuza u rrotullua bukur me top për të shënuar të dytin për Prestige nga një pozicion ballor me portën.

Një minutë më vonë Rapo i dërgoi shifrat në 3-0, pas një lëvizjeje të saktë të shoqëruar më një goditje potente.

Goli i katërt kishte përsëri për autor Rapon, i cili plotësoi dopietën personale, duke finalizuar saktë një asist filtrues në shtyllën e dytë të Hysenbelliut.

Ndërkohë në çastet e fundit Nuza me një gjuajtje spektakolare fluturimthi shkarkoi në rrjetë topin për golin e pestë të Prestige, duke vulosur fitoren 5- 0.

Kjo ishte fitorja e tretë për Prestige, që vijon ecurinë me pikë të plota në grup.

Fitore vazhdon të regjistrojë edhe Prestige B, që dje mundi me rezultatin dyshifror 14-2 ekipin e studentëve të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Një ndeshje e dominuar tërësisht nga Prestige B, për të cilën flet qartë vetë rezultati.

Protagonistët e golave ishin Branica (5), Xhika (3), Shini (2), Vasha, Cema, Hysko dhe një autogol. Kjo ishte fitorja e tretë në po kaq ndeshje të zhvilluar edhe për Prestige B në Grupin E.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.