EKONOMI

Sektori bankar, përballë kostove të mbirregullimit!

07:37 - 24.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bankat po përballen me një cikël të masave të reja rregullatore që kanë rritur ndjeshëm kostot e aktivitetit. Ato kërkojnë që rregullimi i tregut bankar të jetë më i balancuar, për të lejuar rritjen e shëndetshme të sektorit dhe mbështetjes së ekonomisë me financime




Ersuin Shehu

Sektori bankar, në vitet e fundit, po përballet me rritje të ndjeshme të kostove, të lidhura me kërkesat e reja ligjore dhe rregullatore.

Përveçse kontribuojnë prej më shumë se 20 vjetësh në skemën e sigurimit të depozitave, nga viti 2018, bankat janë të detyruara të paguajnë një kontribut vjetor edhe për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, apo Fondin e Shpëtimit.

Në vitin 2019 nisën të aplikoheshin edhe shtesat e reja makroprudenciale të kapitalit, që parashikojnë rritje graduale të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Këtë vit hyn në fuqi edhe rregullorja tjetër, “Për kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuar” (MREL).

Rregullorja është pjesë e kuadrit ligjor të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe kërkon që bankat të zotërojnë instrumente të kapitalit rregullator, apo detyrime të pranuara që të mundësojnë përthithjen e humbjeve dhe rivendosjen e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit.

Si rezultat i të gjitha shtesave të mësipërme, vlerësohet se raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për banka të veçanta mund të arrijë deri në 27%.

Masat e mësipërme janë të gjitha kosto shtesë, që e bëjnë aktivitetin bankar më të kushtueshëm. Ashtu si për çdo biznes tjetër, është e qartë se në një masë të madhe, këto kosto do t’i përcillen publikut shqiptar në çmimin e produkteve dhe shërbimeve bankare, por gjithashtu mund të kenë rol frenues në dinamizmin dhe konkurrencën e tregut, duke shtruar potencialisht efekte negative në kreditimin e ekonomisë.

Bankat argumentojnë se rregullimi i tregut nuk duhet të vijojë në frymën e shtrëngimeve të njëpasnjëshme, por duhet të ketë përqasje më të balancuar, që të lejojë hapësira për zgjerim të shëndetshëm të biznesit.

 

Bankat kërkojnë uljen e primit të sigurimit të depozitave

Bankat kanë sjellë në vëmendje të Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) çështjen e vlerës së primit që bankat paguajnë, sipas hapësirave që krijon ligji.

Për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.

Megjithatë, ligji “Për Sigurimin e Depozitave”, në nenin 35, pika 11, përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”.

Në fakt, fondi i ASD-së për sigurimin e depozitave bankare e ka arritur këtë nivel që prej vitit 2016, ndërsa ka vijuar të rritet edhe gjatë viteve në vazhdim. Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara.

Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi përkatës që administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave u rrit më tej vitin e kaluar. Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2021, raporti arriti në 6.66%, nga 6.46% një vit më parë.

Treguesi llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara. Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara.

Prej vitit 2014, ASD ka përdorur edhe linja krediti gatishmërie nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Marrëveshja u rinovua sërish në fillim të vitit 2021 dhe ka si qëllim të pasurit e një fondi të disponueshëm, në rast se paraqitet nevoja për të kompensuar depozituesit e siguruar. Ndërkohë, nëse marrim në konsideratë dhe linjën e kredisë prej 100 milionë eurosh që Agjencia ka përfituar nga BERZH, raporti arrin në pothuajse 8.2%.

Duke pasur parasysh se ligji e parashikon këtë mundësi, bankat tregtare kërkojnë nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave.

Bankat argumentojnë se në vitet e fundit po përballen me rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore. Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe po detyrohen të rrisin gradualisht edhe raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.

Në tërësinë e tyre, masat i bëjnë bankat më të sigurta përballë rrezikut të falimentimit dhe, rrjedhimisht, ulin edhe gjasat që publiku të pësojë humbje nga një ngjarje e tillë e mundshme. Edhe për këtë arsye, bankat kërkojnë që rritja e kërkesave për kapital të shoqërohet, së paku, me uljen e primit të sigurimit të depozitave, në përputhje me hapësirat që lejon ligji përkatës.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, shprehet se institucionet duhet të marrin në konsideratë uljen e primit, duke pasur parasysh se kushtet ligjore për ta bërë diçka të tillë tashmë janë përmbushur.

“Ne si Shoqatë kemi kërkuar pranë autoritetit përkatës rishikimin e madhësisë së primit që bankat paguajnë, duke qenë se është arritur niveli ligjor i parashikuar për rishikimin e këtij primi. Përgjigjja që kemi marrë është se ASD është në proces të analizimit situatës.

Po presim që ASD dhe institucionet e tjera të dalin në konkluzionet përkatëse dhe të shprehen rreth ndryshimeve që mund të bëhen në skemë. Kjo është një kosto që bankat e paguajnë dhe do të vazhdojnë ta paguajnë, por duke qenë se kushtet ligjore janë përmbushur, mendojmë se ka hapësirë që primi të rishikohet”, – thotë z. Brumbulli.

 

 

ASD: Vendimi duhet rënë dakord me Bankën e Shqipërisë dhe qeverinë

Në një prononcim për “Monitor”, Agjencia e Sigurimit të Depozitave shprehet se është në fazën e analizimit për ndryshime të mundshme që mund të kryhen në skemën e sigurimit të depozitave.

Megjithatë, ky institucion thekson se çdo vendim për të ndryshuar parametra të ndryshëm të skemës duhet të merret në dakordësi dhe koordinim me institucionet e tjera të përfshira, duke filluar nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.

“Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në zbatim të dispozitave në ligjin e saj organik (Ligji Nr. 53/2014 datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar), kryen funksionet e saj, duke siguruar mbrojtjen e interesave të depozituesve, duke kompensuar depozitat e tyre, në rast falimenti të institucionit të tyre financiar, dhe duke kontribuar në stabilitetin e sistemit bankar e financiar në Shqipëri.

Në përmbushje të këtij objektivi ligjor publik, ASD vlerëson, me shumë kujdes, të gjitha kërkesat ligjore në funksion të miradministrimit të skemës së sigurimit të depozitave. Vlerësimi, në të gjitha rastet kryhet në koordinim me autoritetet rregullatore dhe në bashkëpunim me partnerët strategjikë të ASD-së.

Në këtë kontekst, vitet e fundit, në bashkëpunim me Korporatën e Vullnetarëve të Shërbimeve Financiare financuar nga USAID dhe zyrën FINSAC të Bankës Botërore, kemi kryer disa projekte, me qëllim vlerësimin e përshtatshmërisë të treguesve të skemës së sigurimit të depozitave dhe përputhshmërinë e tyre me standardet ndërkombëtare.

Vlen të theksohet se të gjitha parametrat e skemës së sigurimit të depozitave siç janë, niveli maksimal i mbulimit, primi i sigurimit të depozitave dhe niveli i synuar i fondit të sigurimit të depozitave, etj., janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin, duke garantuar, në këtë mënyrë, qëndrueshmërinë e skemës së sigurimit të depozitave.

Duke marrë në konsideratë sa më sipër, çdo nismë që mund të ndërmerret në këtë drejtim kërkon domosdoshmërisht një analizë të thelluar dhe konsultim gjithëpërfshirës me autoritetet rregullatore, Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe grupet e tjera të interesit, duke synuar vendimmarrje të koordinuar dhe të dakordësuar nga të gjitha palët”, – thuhet në përgjigjen e ASD për “Monitor”.

Një nga argumentet shtesë të bankave në lidhje me nevojën për ta lehtësuar vlerën e primit është edhe fakti se tashmë, prej katër vitesh, ato po kontribuojnë edhe për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, një mekanizëm tjetër që rrit sigurinë e sektorit dhe, në mënyrë të tërthortë, mbrojtjen e depozituesve. Megjithatë, ASD shprehet se dy skemat kanë qëllime të ndryshme.

“Në lidhje me paralelizmin ndërmjet Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (FNJ) dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave (FSD) vlen të theksojmë se këto dy fonde u shërbejnë qëllimeve të ndryshme.

FNJ është krijuar për të mbështetur zbatimin e një ose më shumë instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat në vështirësi financiare, duke synuar të sigurojë vijueshmërinë e funksioneve kritike të bankës, ruajtjen e interesit publik dhe stabilitetit financiar dhe minizimin e kostos së taksapaguesve.

Ndërkohë që FSD kompenson depozituesit përkundrejt humbjes së depozitave bankare, nëse një bankë falimenton financiarisht, duke mos qenë në gjendje t’i paguajë ata dhe duke u shpallur në likuidim.

Në përfundim, dëshirojmë të ritheksojmë edhe një herë se si Fondi i Sigurimit të Depozitave, si dhe ai i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme janë dy mekanizma tepër efikasë dhe të domosdoshëm në drejtim të sigurisë dhe forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar dhe atij makroekonomik të vendit”, – thuhet në reagimin e ASD.

 

2021, bankat paguan 37 milionë euro për sigurimin e depozitave dhe fondin e shpëtimit

Në vitin 2021, bankat paguan prime të sigurimit të depozitave në vlerën e 3.76 miliardë lekëve, ose 29 milionë eurove. Këtyre iu shtohen edhe 664 milionë lekë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që e çojnë shpenzimin vjetor për të dy fondet në 4.4 miliardë lekë, ose gati 37 milionë euro.

Në fund të vitit të kaluar, vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka arriti në 52.8 miliardë lekë, në rritje me 10.2% krahasuar me një vit më parë. Burimi kryesor i të ardhurave për fondin janë kontributet e bankave anëtare dhe administrimi apo investimi i mjeteve financiare të grumbulluara.

 

Burimi: ASD

 

Burimi: ASD

 

Paralelisht, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, në fund të vitit 2021, arriti në 2.7 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë.

Për vitin 2022, kontributi për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arriti në pothuajse 735 milionë lekë, duke e çuar vlerën e fondit në rreth 3.45 miliardë lekë (pa llogaritur ndërkohë shtimin nga investimi i mjeteve financiare për periudhën janar-prill).

Ligji “Për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka” parashikon që brenda vitit 2027, ASD duhet të ketë krijuar një fond të ndërhyrjes së jashtëzakonshme sa 0.5% e detyrimeve të sektorit bankar.

Duke qenë se detyrimet dhe kryesisht depozitat kanë ardhur në rritje të shpejtë në vitet e fundit, rrjedhimisht, edhe kontributi vjetor i bankave është rritur.

 

Burimi: ASD

 

Kërkesat për kapital ndaj bankave do të rriten sërish vitin e ardhshëm

Vitin e ardhshëm, bankat tregtare do të përballen me një tjetër rritje të kërkesave rregullatore për kapital. Duke filluar nga data 1 janar 2023, bankat duhet të përmbushin nivelin e ri të shtesës konservuese të kapitalit, që do të arrijë në 2%, nga 1.5% aktualisht.

Shtesat makroprudenciale të kapitalit u shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”.

Nga 12% që është kufiri minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 1.5%, kufiri ka arritur në 13.5%, ndërsa prej 1 janarit 2023, do të arrijë në 14%. Shtesa konservuese do të vazhdojë të rritet me 0.5% çdo vit, deri në vitin 2024.

Por, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Këtu përfshihen pesë bankat më të mëdha në vend: Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen, Banka Intesa Sanpaolo dhe Banka OTP Albania.

Aktualisht, BKT ka një kërkesë shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 1.5% (në total 15%), Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera (në total 14.5%), ndërsa Intesa Sanpaolo dhe OTP, 0.5% më shumë se bankat e tjera (në total 14%).

Përtej detyrimit rregullator, në fakt, shumica e bankave janë edhe sot sipër kërkesave minimale rregullatore. Në fund të tremujorit të parë të 2022, raporti mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar ishte 17.95%.

Rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit u miratua që në mesin e vitit 2019 dhe ato do të aplikohen gradualisht deri në vitin 2024.

Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë, pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen.

Nga ana tjetër, këto kërkesa mund të kenë ndikim frenues në vendimmarrjen e bankave të veçanta, për të rritur kreditimin, duke i orientuar më shumë drejt instrumenteve me rrezik të ulët, që nuk i rëndojnë treguesit e kapitalizimit.

Përballë trysnisë për të rritur periodikisht kapitalizimin e tyre, bankat mund të priren të rrisin marzhet, për të siguruar përfitueshmëri më të lartë.

Brumbulli shprehet se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që adoptoi masat e reja të BE-së për bankat, të cilat pasuan vitin 2008. Sipas tij, reflektimi i këtyre rregullimeve mund të ishte bërë në mënyrë më graduale, pasi ato të ishin konsoliduar në vendet që i hartuan dhe i vunë në zbatim.

Bankat argumentojnë se Bashkimi Europian i aplikon shtesat makroprudenciale sipër një niveli bazë të Raportit të Mjaftueshmërisë së Kapitalit prej 8%, ndërsa Shqipëria ka një nivel bazë 50% më të lartë, në 12%.

Për të qenë në linjë me kërkesat e shtuara rregullatore, vitet e fundit, disa prej bankave po përdorin edhe instrumente të kapitalit rregullator shtesë, si obligacionet korporative me ofertë private.

“Masat e reja janë ndërmarrë natyrisht, nisur nga qëllimi i mirë për ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. Ndërhyrja e jashtëzakonshme, apo shtesat makroprudenciale, janë koncepte të reja, që lindën pas krizës së vitit 2008 dhe u implementuan për herë të parë në sektorin financiar pas kësaj krize.

Ne ju bashkuam menjëherë këtyre ideve të reja, edhe pse ende nuk ishin të konsoliduara. Ndoshta për këtë mund të diskutohet, nëse ne duhet t’i adoptonim kaq shpejt këto masa të reja, apo mbase duhet të prisnim që ato të konsolidoheshin në tregjet më të zhvilluara.

Megjithatë, u vendos që ato të zbatoheshin, si masa shtesë për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar”, – thotë z. Brumbulli.

Ai thekson se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ruajë një standard të dyfishtë në rregullimin e tregut bankar. Nga njëra anë, janë adoptuar menjëherë shtesat e reja të kapitalit, në linjë me standardet e reja të BE-së. Në anën tjetër, Banka e Shqipërisë vazhdon të ruajë një kërkesë bazë të mjaftueshmërisë së kapitalit, që është 50% më e lartë se në BE.

“Natyrisht që forcimi i kapitalizimit të sektorit në parim është pozitiv dhe i mirëpritur, por duhet konsideruar se në vendet e zhvilluara, masat makroprudenciale u vendosën mbi një nivel tjetër të kapitalit bazë, mbi nivelin 8% dhe jo 12%.

Madje, edhe disa vende të rajonit e kanë ndërmarrë këtë rregullim dhe e kanë ulur kërkesën bazë në 8%. Ndërkohë, ne vazhdojmë ta kemi nivelin bazë 12% dhe shtesat e tjera aplikohen mbi këtë nivel, jo mbi nivelin 8%, si në shumicën e vendeve të tjera.

Me këto masa, në teori, mund të arrihet deri në kërkesa kapitalizimi të nivelit 27-28%. Ajo që kërkojmë ne është që kërkesa bazë për mjaftueshmërinë e kapitalit të ulet nga 12% në 8%. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Vetëm ne, Kosova dhe Bosnja kemi mbetur pa e kryer këtë përshtatje. Kjo është një çështje e ngelur pezull, por ka shumë ndikim në tregun bankar, sepse po flasim për kapitalin. Çdo nevojë për kapital duhet mbuluar me para cash, që duhet të injektohet.

Por, aksionerët, jo gjithmonë kanë mundësinë të shtojnë kapital sa herë u kërkohet, ndërkohë që këtu po flasim për shtesa mbi një nivel që është mbi një nivel të shtuar, 50% më të lartë se në BE.

Një qasje e tillë nuk mund të vazhdojë, sepse duhet të vendosim: ose do të pranojmë standardet e rregullimit të BE-së siç janë, ose do të mbajmë standardet tona lokale, por nuk është e drejtë të aplikohen të dyja paralelisht”, – shprehet z. Brumbulli.

Në diskutimet mes palëve, Banka e Shqipërisë ka lënë të kuptohet se kërkesa bazë e mjaftueshmërisë së kapitalit mund të ulet në nivelet e BE-së, vetëm pasi të jetë certifikuar ekuivalenca e mbikëqyrjes.

Ekuivalenca e mbikëqyrjes duhet të certifikohet nga organizmi mbikëqyrës i BE-së, Autoriteti Bankar Europian (EBA), por procesi ende nuk ka një afat të përcaktuar. Ai mund të kërkojë ende kohë dhe për të nuk ka një datë të saktë.

Megjithatë, vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë kreu një vlerësim të pavarur të ekuivalencës së kuadrit mbikëqyrës dhe rregullativ, sipas metodologjisë së publikuar nga EBA, me asistencën teknike të Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim (EBRD) dhe PricewaterhouseCooper (PwC).

Analiza, e cila përfundoi në dhjetor të vitit 2021, doli në përfundimin se kuadri rregullativ e procedural, si dhe praktikat mbikëqyrëse, janë në një nivel të lartë ekuivalence (afërsisht në masën 80%) dhe të përafruara me standardet e aplikueshme në vendet e BE-së.

Përafrimi vlerësohet veçanërisht i lartë në drejtim të kërkesave për kapital, teknikave të zbutjes të aplikuara, ekspozimeve të mëdha, të likuiditetit, levës financiare, të mbikëqyrjes makroprudenciale, sekretit profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Certifikimi i ekuivalencës së mbikëqyrjes, në teori, mund ta bëjë më tërheqës tregun shqiptar për investime të reja nga grupet bankare të Eurozonës, por mund të ndikojë pozitivisht edhe në strategjitë e biznesit të grupeve bankare ekzistuese në treg.

 

Të ardhurat nga komisionet prekin nivelin më të lartë historik

Të ardhurat e bankave nga komisionet arritën vlerë rekord vitin e kaluar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e sektorit bankar nga zëri i komisioneve dhe gjobave arritën vlerën e pothuajse 13.4 miliardë lekëve, ose rreth 114 milionë eurove.

Vlera e të ardhurave nga komisionet është rritur me 22.8% krahasuar me një vit më parë dhe ka arritur, me shumë të ngjarë, nivelin më të lartë historik (statistikat ofrojnë të dhëna vetëm duke filluar nga viti 2010).

Rritja e të ardhurave nga komisionet mund të shpjegohet, në radhë të parë, me rritjen e vazhdueshme të përdorimit të produkteve dhe shërbimeve bankare nga publiku. Por, në vitet e fundit, një pjesë e zgjerimit të të ardhurave mund t’i atribuohet edhe rritjes së nivelit të komisioneve nga bankat tregtare.

Në vitet e fundit, ka pasur një tendencë për rritje të komisioneve fikse, kryesisht të atyre të lidhura me mirëmbajtjen e llogarive.

Rritja e komisioneve, ndër të tjera, mund të shpjegohet edhe me rritjen e kostove rregullatore, sidomos pas vitit 2019. Rritja e shpenzimeve të shqiptarëve për komisione mund të jetë një shembull i prekshëm i faturës, që po sjell shtrëngimi i vazhdueshëm i kuadrit rregullator të sektorit bankar.

 

Burimi: ASD

 

Kufiri ligjor i sigurimit të depozitave mund të rritet

Fondi i Sigurimit të Depozitave në banka është rritur me ritme të kënaqshme në vitet e fundit dhe e ka tejkaluar nivelin e 5% të vlerës së depozitave bankare të siguruara.

Niveli pranohet përgjithësisht nga institucionet e specializuara, si një shkallë minimale e nevojshme mbulimi që duhet të ofrojnë skemat e sigurimit të depozitave në banka.

Në këto kushte, bankat kanë kërkuar ulje të primit të sigurimit, si ç’parashikon ligji. ASD dhe Banka e Shqipërisë po e vlerësojnë një kërkesë të tillë, por paralelisht po shqyrtojnë edhe një alternativë tjetër.

Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se po analizohet edhe mundësia e rritjes së vlerës maksimale ligjore të sigurimit të depozitave bankare, e cila aktualisht është 2.5 milionë lekë.

Sipas ASD, çështja është ende në nivel analizash dhe ky institucion nuk ka shtruar ende propozime konkrete. ASD shprehet se çdo vendim për ndryshime në skemën e sigurimit të depozitave duhet të merret në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe institucionet e specializuara partnere.

Përfaqësues të sektorit bankar mendojnë se rritja e limitit ligjor të sigurimit të depozitave mund të jetë politikisht një alternativë më e preferuar për institucionet vendimmarrëse dhe besojnë se ka më shumë të ngjarë që ato të zgjedhin këtë alternativë, kundrejt uljes së primit për bankat.

Në këtë rast, rruga ligjore do të ishte më e gjatë, sepse rritja e kufirit të sigurimit të depozitave do të kërkonte ndryshim të ligjit “Për Sigurimin e Depozitave”./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.