EKONOMI

Borxhi doganor/ Gati 5 mijë subjekte kanë akumuluar një detyrim 380 milionë euro!

07:15 - 02.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Borxhi doganor në vitin 2021 u rrit vetëm me një për qind në raport me fillimin e vitit çka përbën 5.5 milionë euro por vlera totale e akumuluar e këtij detyrimi ndër vite kap shifrën 380 milionë euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë detajet mbi këtë detyrim në një auditim të fundit të zhvilluar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.




“Nga auditimi i dokumentacionit dhe të dhënave të vëna në dispozicion nga Sektori i Monitorimit të Borxhit Doganor në 31.12.2021, gjendja e borxhit doganor rezulton në shumën 45,7 miliardë lekë, e përfaqësuar nga 4,688 raste. Borxhi i trashëguar përgjatë viteve rezulton gjithmonë në rritje, ku për vitin 2021 ka pësuar një rritje prej 658 milionë lekë ose me 1 % shtesë” thuhet në auditimin e KLSH.

Duke marrë në analizë faktorët që kanë ndikuar situatën e borxhit doganor audituesit nënvizojnë nga ana e Drejtoria e Planifikimit dhe Analizës së të Ardhurave, Sektori i Borxhit, përgjithësisht është mjaftuar vetëm në evidentimin e borxhit doganor të raportuar nga degët doganore.

“Nisur nga situata e vështirë e stokut të borxhit, analizimi i gjendjes, ecurisë në vite, vlerësimi i risqeve aktuale dhe atyre eventuale, nuk janë ndërmarrë aktivitete kontrolli shtesë për minimizimin e risqeve të cilat kanë ndikuar negativisht në rikuperimin e borxhit doganor.

Transferimi i përgjegjësive për vjeljen e detyrimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave drejt Degëve Doganore, ku në pjesën më të madhe të Degëve Doganore ka vetëm 1 (një) punonjës përgjegjës për arkëtimin e detyrimeve, pra pa e shoqëruar transferimin e kësaj përgjegjësie me burime njerëzore të nevojshme për ndjekjen e procedurave të evidentimit, njoftimit, monitorimit të debitorëve, duke shtuar edhe trendin në rritje të detyrimeve (raste dhe vlerë) ka sjellë mos efektivitet dhe mungesë rezultatesh të kësaj strukture në Degët Doganore, ku veçojmë 3 (tre) Degët Doganore përkatësisht Tiranë, Durrës dhe Fier, në të cilat stoku i borxhit është në vlerën 39,631,082,585 lekë ose në masën 86,7% e totalit” thuhet në dokumentin e KLSH.

I njëjti thekson se  nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se nga ana e Autoriteteve Doganore, për urdhrat e ekzekutimit të cilat janë dërguar pranë zyrave të përmbarimit (shtetërore ose private), rezultatet e arritura janë të papërfillshme, për rrjedhojë nuk kanë një efektivitet në rikuperimin e borxhit.

Nga ana e tyre, sipas audituesve të KLSH,  raportohet se shumica e subjekteve debitorë nuk kanë gjendje në llogaritë bankare apo nuk kanë pasuri të luajtshme ose të paluajtshme të regjistruara në emrin e tyre.

“Nga ana e DPD-së dhe Degëve Doganore është mjaftuar që urdhrat e ekzekutimit dhe rikuperimin me forcë të detyrimeve të papaguara (sekuestros konservative) të kryhen vetëm përmes zyrave të përmbarimit, të cilat aktualisht nuk rezultojnë të kenë qenë efektive, referuar rezultateve të arritura” thuhet në auditimin e Kontollit të Lartë të Shtetit./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.