AKTUALITET

SKANDALI/ Zgjerimi i segmentit Elbasan-Qafë Thanë, ARRSH ia jep tenderin Alb-Builing me 2.3 milionë euro më shumë se oferta më e mirë

08:06 - 12.11.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Skandal me tenderin 21,4 milionë euro të ARRSH-së për zgjerimin e 5 kilometrave të para të rrugës Elbasan-Qafë Thanë.




Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi nuk ka shpallur fituese ofertën më të mirë, prej 1,9 miliardë lekësh, ose 16,3 milionë euro dhënë nga bashkimi i operatorëve 4 “AM & G.P.G. COMPANY”, ndërkohë ia kaluar tenderin ofertës prej 2,1 miliardë lekësh ose 18,6 milionë euro të paraqitur nga kompania “Alb-Bulding”, ndërsa në garë kanë marrë pjesë edhe operatorë të tjerë, të cilët kanë pasur oferta më të larta.

Diferenca mes dy ofertave të para është plot 2,3 milionë euro, por një fakt i tillë nuk i ka bërë përshtypje Autoritetit Rrugor Shqiptar që me një të rënë të lapsit skualifikon ofertën më të mirë me justifikime nga më të ndryshmet. Vlen të theksohet se në punët publike çmimi më i mirë është kriteri kryesor për të shpallur fituesin.

Tenderi në fjalë i hapur në shtator pati ndezur polemika të shumta në publik për shkak të fondit të majmë prej 21,4 milionë euro të akorduar nga ARRSH-ja për zgjerimin e 5 kilometrave të parë të aksit Elbasan-Qafë Thanë. Shuma marramendëse për një projekt të tillë po shpenzohet në një kohë krize dhe kur financat publike janë nën presion nga frenimi i rritjes ekonomike.

Për t’u nënvizuar është se i gjithë aksi Elbasan-Qafë ka një gjatësi prej rreth 54 kilometrash dhe nëse vazhdohet me këto kosto marramendëse 4,3 milionë euro për km, zgjerimi i kësaj rruge mund t’i kushtojë qytetareve shqiptare mbi 230 milionë euro.

Përpara se të tenderi të dërgohej te kompania “Alb-Bulding”, për këtë projekt qeveria bëri një studim fizibiliteti që sugjeroi si zgjidhje zgjerimin e segmentit Elbasan-Qaf Thanë, 2 korsi + 1 shtesë. Aksi prej 5 km që është i përfshirë në këtë tender është aksi Mirakë-Xibrakë dhe do jetë pjesërisht i ri pasi do përdoret edhe rruga e vjetër.

ABUZIMET E ARRSH

Ky nuk është shembulli apo tenderi i parë që fitohet nga një kompani, e cila paraqet ofertën më të lartë. Pak muaj më parë, plasi skandali i ARRSH-së me tenderin 1,18 miliardë lekë ose 9,7 milionë euro për rikonstruksionin e aksit 19 kilometër të gjatë MaliqLozhan i Ristrelcë, ku fituese është shpallur kompania “Gjikuria” me një ofertë sa 98,4% e fondit limit.

Ishin 4 kompani që bënë ofertën më të mirë duke ofruar më pak para për ta bërë këtë rrugë, por ARRSH-ja e Evis Berberit i skualifikoi, duke përdorur një sërë justifikimesh.

Gjithashtu, jo më larg se në fund të muajit maj, për mirëmbajtjen e rrugëve të Korçës është shpallur fituese kompania e vetme e paraqitur “2T” sh.p.k, në pronësi të Dritan Troskit dhe Artan Dakos dhe me një vlerë prej hiç më pak se 99.9% e fondit limit. Haptas, ky tender futet në kategorinë e tenderëve me flamur të kuq.

E dyshimtë është se si për një kontratë të tillë prej miliona eurosh, nuk ka pasur konkurrentë të tjerë në garë, edhe pse në Shqipëri ka me dhjetëra kompani të kapaciteteve të tilla. Ngjashëm ka ndodhur edhe me lotin 8 të “Kardhiq-Delvinë”, ku është shpallur fituese kompania “GENER 2”, me 99.7% të fondit limit, në vlerën e 12 milionë eurove.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.