AKTUALITET

Amnistia Fiskale/ Rama sfidon ndërkombëtarët: Do e bëjmë me çdo kusht, nuk kemi nevojë ta mbështesin

12:37 - 18.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama ka sfiduar komunitetin ndërkombëtar që është investuar për të dhënë rekomandimet dhe kritikat lidhur me Amnistinë Fiskale, duke deklaruar se ajo do të bëhet me çdo kusht, dhe se qeveria sipas tij nuk ka nevojë për mbështetje. 




“Unë dua t’i siguroj të gjithë ata që janë në emigracion dhe që sot vuajnë për të sjellë në Shqipëri edhe ato remitanca që sjellin, një pjesë të madhe të të cilave i sjellin në rrugë informale, që të jemi realistë që ne do ta bëjmë amnistinë fiskale, me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që kemi për ta bërë dhe kam shumë besim se edhe bashkësia ndërkombëtare edhe sidomos Bashkimi Europian do ta kuptojë dhe ne nuk kemi nevojë që ta mbështesë sepse është e pakuptimtë dhe ta kërkosh që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë dhe do të pranojë principin e të drejtës, duke shfrytëzuar nga ana e vetë, të drejtën për ta monitoruar këtë proces”.

Kjo ishte deklarata që bëri kryeministri Rama të dielën në takimin me Këshillin Koordinues të Diasporës për amnistinë fiskale.

Pavarësisht se përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri, BE si dhe Dhoma Amerikane kanë dalë kundër nismës për shkak të rreziqeve që sjell, Rama ka theksuar se do ta bëjë amnistinë fiskale me çdo kusht.

“…është një padrejtësi shumë e madhe dhe është edhe e papranueshme që në këtë lloj debati ne të përballemi me këdo qoftë që nuk e kupton që nuk mund të na paragjykojë si një vend që edhe pse e ka në të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të domosdoshme ta bëjë, edhe pse sot qartësisht kjo është një masë që mbështetet masivisht nga qytetarët e vendit, nuk e paska të drejtën ta bëjë, madje u dashka frenuar me lloj-lloj formash, nga ato format e papranueshme në emër të, nuk e di, të gjitha vlerave dhe parimeve që recitohen bukur, por që në fakt ndonjëherë përdoren për të fshehur ca të vërteta shumë të thjeshta duke na vendosur para një pamundësie të palogjikshme”, tha Rama.

Ky projektligj i qeverisë shqiptare është kundërshtuar fuqishëm nga aleatët kryesorë të Shqipërisë, SHBA dhe BE, Rama këmbëngul të çojë përpara këtë nismë, aq shumë të kritikuar pavarësisht paralajmërimit se mund të rrezikojë dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, para nisjes së dialogut strategjik mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare tha se kjo e fundit duhet ta përshtatë sipas kërkesave të BE-së amnistinë fiskale.

Ai u shpreh për Zërin e Amerikës se SHBA-ja ka shqetësime në lidhje me këtë nismë, të cilat i ka diskutuar me qeverinë shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.