DOSSIER

Dëshmia tronditëse e ish-të burgosurit politik: Nga torturat e xhelatëve kam një sy dhe një vesh mangët, sepse nuk më mjekuan

07:56 - 21.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një përshkrim i detajuar i kryengritjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në burgjet komuniste të Shqipërisë, “një ballafaqim me shtetin: ku në një anë fliste krimi, në anën tjetër mbrohej liria”. Shkëlqim Abazi tregon për pesë vitet e tij të dënimit, nga 16 në 21 vjeç, që i kaloi në Reps dhe në Spaç, ku u bë dëshmitar i revoltës së vitit 1973. Revolta e Spaçit, përfundoi me pushkatimin e katër të dënuarve dhe dënimin e dhjetërave të tjerëve, disa prej të cilëve nuk kishin pasur rol në shpërthimin e saj. Për t’i thyer shpirtërisht të dënuarit, u ekzekutua edhe miku i tyre më i dashur, Tartarin Dëshmia e plotë e Shkëlqim Abazit, ish i burgosur politik në vitin 1968, i cili ka vuajtur dënimin deri në në 1973-in, në kampet e Repsit dhe Spaçit.




Z. Abazi, kur jeni arrestuar?

Në 11 gusht të 1968-ës, në moshën 16 vjeç e 8 muaj. Unë mendoj që s’kam bërë asnjë faj. Mendoj unë, mbase për ata isha fajtor se linda nga prindër që s’duhet të kisha lindur, duhet të kisha zgjedhur prindërit para se të lindja, por unë s’e kisha këtë shans se mendoj që nuk e ka asnjëri këtë shans: të zgjedhë prindërit. Pra, unë linda nga prindër të gabuar për atë regjim. Gjenetikisht, atje e kisha vendin. Si mijëra të tjerë, jo vetëm unë.

Për çfarë ju akuzuan?

Kur pyetet për faj, njeriu duhet të ndiej që ka bërë një veprim të kundra ligjshëm. Unë nuk kam bërë asnjë veprim të kundra ligjshëm. Unë kam qenë me një shokun tim në plazh, duke bërë plazh në Spile të Himarës. Atje, erdhën, na arrestuan. Tani, çfarë mund të kem bërë unë? Nuk e di, nuk është e ndaluar, as në atë kohë s’ka qenë e ndaluar, sot jo e jo: të bëje plazh në Spile të Himarës, nuk ishte e ndaluar, nuk duhej as leje nga policia, as leje nga Dega e Brendshme.

Duhej që të vije në Butrint, mundej, por jo në Himarë. Dhe ky është një realitet. Pasi mbarova shkollën, mora atë lejen e provimeve të shkollës. Nuk e shfrytëzova për provime, e shfrytëzova për plazh. Kjo është e gjitha. Atje na arrestuan. Mua dhe atë shokun tim. Edhe na akuzuan pastaj: “tentativë arratisjeje”. Se mund të arratiset ndonjë nga Himara, në Korfuz, me not, unë nuk besoj…! Vetëm ndonjë kampion bote. As unë dhe as ai miku im, s’kemi qenë kampion bote kurrë. Kjo ka qenë…!

Ku nisët ta vuanit dënimin?

Fillimisht, na çuan në burgun e Vlorës. Ditën e pare në birucat e Vlorës. Të nesërmen, na morën që aty dhe na çuan në birucat e Durrësit dhe të pasnesërmen, na çuan në birucat e Shkodrës. Atje, vazhdoi hetuesia për rreth 4 muaj me krye hetuesin e Shkodrës, Llambi Gegeni, por s’u mor vetëm ai, ai pati detyrën kryesore, se për shembull sakatllëkun që kam unë sot, nuk ma shkaktoi vetëm Llambi. Ma ka shkaktuar Shyqyri Çoku, me një dru nga pas kurrizit.

Madje, episodi ka qenë kështu: Ka qenë data 23 shtator i 1968-ës. Atë ditë, na thërritën në hetuesi të dyve, mua dhe atë shokun, por natyrisht veç e veç. Unë nuk e dija se çfarë kishte thënë shoku im, se s’kisha nga ta dija, ama një gjë e kuptova: që diçka nuk po shkonte atë ditë, por që në fillim një gjë ma bënë ta qartë ata: “Sot, e kemi ditën e fundit. Do mbyllim aktet për të të çuar në gjyq, se ta kemi prerë kostumin”. Këto fjalë m’i tha Thoma Tutulani.

“O patriot,- më tha mua,- ta kemi prerë kostumin. Një dhjetëshe me yll, por vëre një çikë atë firmën, se është procedurë”. I thashë: Çfarë të firmos, kur unë nuk kam bërë gjë? “Po pse kaq budallenj na di ti ne,- tha,- sa të linim ne ty të bëje ti, pastaj të fusnim brenda? Po ne e dimë çfarë mendjeje ke ti, se çfarë bluan ti në atë rradaken tënde armike, edhe t’i presim urat pa rënë zjarr. Të fusim një dhjetëshe kësaj radhe dhe pastaj, shohim e bëjmë, por do ma hedhësh kodosh se je nën 18 vjeç ti, kështu që 5 do të zërë kësaj radhe, por radhës tjetër ta fusim tamam”.

“Ore, po unë s’kam bërë gjë këtë radhë, ju prisni radhën tjetër. Çfarë është kjo?” “Hë, po ne e dimë sa të dalësh ti nga ai vendi atje, ti me atë punë do merresh. E dimë ne çfarë mendje ka armiku”. E nejse. Kjo qe pak a shumë hyrja. Mirëpo Llambi më thotë: “Pa hidhe, atë çiçkë firmë këtu, ti”. Se ishte korçar ai. “Se s’duam të humbim kohë me ty ne, kemi të tjera punë”. Mirëpo unë, me atë mendimin tim djaloshar, natyrisht shumë i ri për ta kuptuar, mendoja që po s’vure firmë, edhe të kesh vrarë njeri, nuk të dënon njeri. Jo më unë, unë s’vrisja dot një mizë. Edhe me atë mendje, thashë: Jo. Mirëpo çfarë bënë ata tani?

Njëri më mbante dorën, stilolapsin në dorë, tjetri më mbante dorën këtej: Firmos! Dhe sot, gishti im lëviz kështu. Ja shikojeni si lëviz. Domethënë ma thyen gishtin. Unë e dëgjova që ia bëri gishti krap, por në ato momente, isha shumë i tensionuar dhe nuk i vura shumë rëndësi, po më dhembi. Më vonë e pashë që lëvizte gishti kështu dhe s’u bë më gishti. Mirëpo, në atë kohë futet Shyqyri Çoku. Ai sa hyn në derë, thotë: “Po ky hajni çfarë ka vjedhur”? I thotë Llambi: “A të ishte hajn, bjere këtu! Se me hajnat e kemi kollaj, janë tanët. Po çfarë t’i bëjmë që ky nuk është hajn, është armik. Ky ka dashur të shkojë në Gjermani, në Gjermaninë Federale”.

“Çfarë?-tha ai.-Bo, me e pas djalin tim, kisha me e mbyt me këto duar, edhe kisha me e hedh në Bunë, ta hanin peshqit. Paska dash’ me tradhtu Partinë, ky kodosh”, tha. Edhe në këtë kohë, unë nuk e pashë, por diçka lëvizi prapa edhe ai na kishte marrë një bisht karrigeje, por katërkëmbësh ishte se, e pashë kur erdha në vete, edhe më qëllon nga prapa, këtu, në ballë. Ja ku është shenja, edhe sot. Për momentin, nuk kam ndier gjë, vetëm ndjeva një dhimbje të fuqishme, të tmerrshme në kokë, edhe rashë nga stoli.

Mbaj mend kur kam ardhur në vete, ai prokurori, i thoshte: “Ore ma vrave patriotin fare”. “Hajd’, tha ai, një armik më pak”. “Po ta nxjerrim një herë në gjyq, po pastaj plumbin jepini se ky qen bir qeni, është. I ati i këtij, ka qenë një ballist i tmerrshëm. Po ju s’e njihni se s’keni nga ta njihni, por unë që e kam nga ana ime,- tha.- Po ta nxjerrim një herë në gjyq, të trembim të tjerët”.

Ç’pasoja patët nga goditja?

Ja pasojat që kam dhe sot: unë kam një sy mangët dhe një vesh mangët, sepse nuk më mjekuan. Më lanë pa mjekuar, që veçse më çanë, më sakatuan që duket dhe sot, ja tek është, sot unë kam një sy mangët dhe një vesh mangët, plus edhe gishtin siç e shihni, por edhe të gjitha brinjët që nuk zinte sqetulla, të thyera. Jam i bindur për këtë sepse mbi një muaj, nuk mbushesha dot me frymë. Edhe pse u thashë: “Më mjekoni”, askush nuk më mjekoi, përveç policit të brendshëm, që vajti mori një pako të ndihmës së shpejtë dhe ai e bëri nga keqardhja se ishte beratas.

Madje, rast i çuditshëm, një farë Jonuz Sharavolli, ishte polic në Shkodër. Polici më i egër që kam parë ndonjëherë në birucat e Shkodrës. Mirëpo ndoshta nga mosha, që ishte shumë plak, ishte në prag pensioni, ndoshta dhe nga keqardhja, ose për të ndihmuar një patrioti në vend tjetër, nuk e di sesi ta shpjegoj, i vinte keq dhe më mjekoi. Natyrisht, me aq sa mund të mjekonte një polic. Ma lidhi kokën me fasho dhe ashtu kam ngelur rreth dy javë.

Në cilin burg e nisët dënimin?

Atëherë, ne na kanë marrë në datën 23 nëntor…! Tani për datën 23…sikur është një providencë kjo për mua. Unë kam lindur në 23. Më kanë çarë kokën në 23. Më kanë çuar nga birucat në kampin e Repsit, në 23. Më kanë çuar, në 23 prapë, natyrisht jo të një muaji këto, po data gjithmonë kjo, nga Repsi në Spaç. Përsëri në 23, janë pushkatuar katër shokët e mi. Në 23…, kjo providenca 23, ka vazhduar deri katër-pesë vjet para, kur erdhi në pushtet Partia Socialiste: Më hoqën edhe nga puna dhe më kanë zëvendësuar me Operativin e burgut të Burrelit.

Mua, të burgosurin politik, më hoqën nga puna, me urdhër, numrin unë tani s’e mbaj mend, e kam në shtëpi, por të datës 23 dhe më zëvendësuan me Operativin e burgut të Burrelit, me shokun Qenan Trega, që vazhdon të jetë edhe sot. Domethënë ish-operativi i burgut të Burrelit, zëvendësoi një ish-të burgosur politik. Pra, na çuan në 23 nëntor të 1968-ës, na çuan në kampin e Repsit. Ishim 6 vetë. Na hipën në një auto-burg. Na lidhën duart. Përveç hekurave që ishim lidhur dy e nga dy, na lidhën dhe me një zinxhir tej e tej.

Mirëpo auto-burgu, e di vetëm ai që ka hipur në auto-burg sepse, askush tjetër nuk mund ta imagjinoj se çfarë është auto-burgu! Auto-burgu është një makinë e zakonshme, një “ZIS”, mbi karrocerinë e së cilës, kishin vënë një kabinë metalike me një derë nga pas, me shula hekuri sigurisht dhe një skarë po themi 20 me 25 cm., me ca hekura të salduar, tip skare, sa nyjet e duarve të trasha, ku futej ajër, por nuk shikoje asgjë. Pra, me këtë, na transportuan nga burgu i Shkodrës, në Reps të Mirditës.

Ku do na çojnë tani? Njëri thoshte: “në Spaç”, tjetri: “në Reps”, askush nuk e imagjinonte ku. Po jemi larg? – thashë unë. “Ore,- tha njëri nga ata, se nuk shikonim fytyrat ne, vetëm dinim që ishim të lidhur dhe kaq.- Po më tregove ti ku jena tash, po të them unë edhe sa duam të vemi atje”. Mirëpo mendo tani, rruga në auto-burg ishte shumë e rëndë. Përfundimisht, kemi mbërritur në Reps, rreth pasdites. Por ditë dimri, ditë e shkurtër.

Sa vajtëm ne, filloi po errësohej, na futën brenda një porte të rrethuar me tela, dyfish tela. Zbrisni! Po nuk po zbrisnim dot se na ishin mpirë këmbët nga udhëtimi. Ca ishte shumë ftohtë. Na rrahu ajo era menjëherë, edhe ca dhe nga udhëtimi, s’po zbrisnim dot. Një të hipur sipër ata që na shoqëruan, na hodhën siç ishim, me gjithë rroba. Këta thoshin: Zbrisni se na latë këtu. Këta që na prisnin, thoshin: Kadal’ e burrë, a e dini ku keni ardh tash? Pra, njëri hidhte, tjetri priste, e gjetëm veten nën shkopinjtë e gomës, pa hyrë fare në kamp. Nja dy-tre shkopinj i hëngra dhe unë në kurriz. Pa hyrë fare në kamp. Po pasi kishim kaluar nja 4 muaj në biruca, ne e dinim tani se çfarë na priste.

Po vetëm një gjë nuk e dinim: se do na prisnin me shkopinj që në fillim, jo. E nejse. Bënë një proces-verbal shpejt e shpejt këta që na shoqëruan. Vunë firmën ata, vunë firmën këta edhe na përshëndetën ne: “Këtu i lënçit eshtrat, mos e nxirrshit ma kry’n prej burgut!”. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë mallkim më të egër, që të mallkosh njeriun këtu i lënç eshtrat dhe mos e nxjerrsh më kokën, ja vetëm ata e bënë. Ikën ata. Na morën këta të tjerët. Na futën në një që e quanin zyrë ata, por vetëm me zyrë nuk ngjasonte.

Ajo ishte një kthinë, nja dy metër e gjatë, dy metër e gjerë, me një tavolinë me 3 këmbë, një këmbë e kishte të thyer, se unë pa dashje vura dorën, desh më ra tavolina. Më futën dhe nja dy pëllëmba aty ata se u rrëzova tavolinën, u prisha tavolinën. Ishte dhe një fuçi karbiti të ndezur si sobë, mirëpo ajo era e karbitit ishte shumë e rëndë. Ne vinim nga birucat, kishim katër muaj që s’kishim parë jo zjarr, po as nxehtësi, madje, as nuk ishim larë ndonjëherë: katër muaj pa larë trupin, pa bërë banjë.

Na ra ajo nxehtësia, mua sa s’më ka rënë të fikët. “Zhvishuni lakuriq! Zhvishuni!” Mirëpo shikoja ata shokët tani, çfarë do zhvisheshim ne? “Teshat përtokë”, tha ai. Teshat përtokë ishin, ato që kishim ne. “Jo, jo,- tha ai,- teshat e trupit”. Pashë ata shokët që u zhveshën, u zhvesha dhe unë. “Jo, jo dhe këtë”,- tha. Mender brekët. Po më vinte zor. Një polic nga prapa, pyp, m’i hoqi. Çfarë do bënim ne? Demek na bënë dhe një kontroll, sikur s’na kishin kontrolluar shokët e tyre, edhe hapën derën: Futuni brenda tani.

Ama para se të hapnin derën, na këshilluan: “A ke ken’ ndonjëherë në burg?”- Jo. “Po ti a ke ken’?” – Jo. “Po ti or çun? – më tha njëri mua. – Tash po e sheh çfarë të pret aty brenda”, gëlldap, çoi duart më kapi prej fyti. Sa do unë, i lodhur nga biruca, po t’i kthehesha atij e bëja copa se, ai 1 m. e 50 ishte, mirëpo ishte polic. “Tash po e shihni, po kur të futeni brenda, se mos afroheni shumë me ata të burgosurit e vjetër, se po vumë re që të afroheni shumë me ata, do t’ju kalbim në birucë se ata janë armiq të rrezikshëm”.

D.m.th., ne sikur na kishin prurë për miq, ata. Nejse. Atëherë krijova një ide që brenda qenkan armiqtë e tyre, me mendjen time. Kur u përballa për sekondat e para me ata, të gjithë të veshura me një uniformë, kokat e qethura, me ca kapele të bardha në kokë, me mustaqe të mëdhaja, tamam si komitët e Turqisë. Faktikisht, u çua njëri të më jepte rrobat dhe i kapi ato rrobat e mia, shtresat, mbulesat.

Unë kur u çua ai, mora një pozicion mbrojtës se kujtova mos po më sulmonte mua. Kaq i egër ishte nga fytyra. Mirëpo kur u afrua, mori një tjetër mimikë, me një buzëqeshje, me ca mustaqe të verdha, i kishte deri te veshët. I them: Ku m’i çon rrobat? “Atje në kapanon, ndiqmë mua, prapa”. Përfundimisht, vajti në një kapanon dhe shok krahu, mua më bie: një dibran plak dhe një plak tjetër nga Korça.

Dibranin e quanin Esheref Zaimi, kurse këtij i thoshin Atë Raqka. Kishte qenë prift. Prift ortodoks. Më vunë atje. Hipa lart me një palë shkallë druri. Dhe këtu filloi jeta e kampit, që zgjati pesë vjet. Zgjati pesë vjet jeta në kamp, sepse në burg jam dhe sot, unë. Fatkeqësisht deri në ’90-ën qenë në burg gjithë shqiptarët edhe pas burgut, ishte më keq nga burgu, por unë mendoj që dhe sot, ne të burgosurit jemi në një burg moral, tani më tepër.

Në ç’moshë filluat punë në minierë?

Mua më dënuan, ose më arrestuan, 16 vjeç e 8 muaj. Pa mbushur 17 vjeç, më çuan në kamp. Pikërisht pas një muaji, në datën 23 dhjetor më kanë bërë një surprizë shokët e burgut. Po them shokët, por ata nuk ishin shokët e mi. Ata ishin gjyshërit e mi, jo baballarët. Edhe baballarë të mitë nuk ishin nga mosha sepse më i riu i atyre, ishte 70 vjeç dhe këta ishin: këta pleqtë që kisha krahëve, një Daut Runa nga Nivica.

Daut Runa ishte miku i gjyshit tim, Sulo Gorica nga Berati, ishte shok i babait tim, Muharrem Duli dhe Riza Duli, përsëri nga Berati, ishin miq të babait tim, Dervish Gumeni dhe Izet Gumeni, nga fshatrat e Tepelenës, ishin po miq dhe këta në datën 23 dhjetor, sapo u ktheva, unë, nga puna, më thotë një nga këta pleqtë që kisha fqinj: hajde merr lugën në brez dhe do vemi te xha Dauti se na ka ftuar xha Dauti.

Mendova se i ka ardhur familja në takim xha Dautit, edhe “hajd po vete”, se ishte bërë si zakon kur të vinte familja në takim, bëhej një vakt bukë me më të afërmit. Mirëpo unë kur e gjeta veten në mes tyre, u ndjeva shumë i vlerësuar sepse, ishte vlerësim shumë i madh të të ftonte njëri për një vakt bukë. Një vakt bukë atje, ishte barabartë me një ditë jetë. Kur vete atje gjeta 4-5 të tjerë që po prisnin, me një tenxhere fasule me nja dy feta pastërma, po ishte luks i madh ky. Të kishe kaq në burg ishte luks, sepse asnjëherë nuk e ngopëm barkun.

Duke qenë se isha shumë i uritur më vinte t’i futesha me tenxhere, jo me lugë, por më vinte turp se po prisja të tjerët. Kur u mata t’i thosha: “Si i kishe nga familja?”, duket plaku e kuptoi që po përtypesha unë dhe më tha: “Gëzuar o çun dhe në dasmë dhe Zoti ta bëftë të lehtë, dalç sa më parë edhe të vesh edhe 100 të tjera”!

Atëherë ngela, se s’e prisja kurën e kurës të kujtohej njëri në burg, për mua, për të festuar ditëlindjen, sepse as mua s’më ra ndër mend që kisha ditëlindjen. Mirëpo për ditëlindjen ishte kujtuar shoku im, që ishte dënuar me mua, Vladimir Shena. Që nga procesi gjyqësor, i ishte fiksuar që unë në 23 dhjetor mbush 17 vjeç; ua kishte thënë këtyre dhe këta më bënë këtë surprizë. Gjë shumë e veçantë!

Që të mendosh të bësh ditëlindjen në burg, ja mua më bënë! Po unë kam bërë ditëlindje dhe më pas. Ama ai 17-vjetor i festuar nga ata njerëz që s’kishin ç’të më jepnin tjetër, vetëm të më jepnin zemrën, është shumë e shumë e veçantë. Dhe atë menu që ishte fasule dhe dy fije, me numër, pastërma, unë nuk e kam hasur as në restorantet më të mira të botës që kam bredhur tani pas ’90-ës.

S’do ta krahasoja as me një menu restoranti, aq mbresa më ka lënë. Natyrisht, ata pleqtë sot nuk jetojnë asnjëri, nga ata, por unë i kam falenderuar një milion herë dhe vazhdoj t’i falenderoj edhe sot, shpirtrat e tyre, atje ku janë. Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes: unë burgun e kam filluar pa mbushur 17 vjeç dhe punën në burg, pa mbushur 17 vjeç.

Deri kur qëndruat në Reps?

Na kanë mbajtur në Reps deri në 23 shtator të 1970-ës, kur ishte gati në përfundim uzina e Repsit. Mirëpo ata nuk mund të na linin ne, të gëzonim pushime sepse ata i kishin bazuar planet 5-vjeçare dhe direktivat në krahët e skllevërve. Atëherë na hoqën. Mbushën dy makina dhe na nisën në Spaç. Përsëri del data 23.

Kështu që në 23 shtator, unë kam përfunduar në Spaç, bashkë me shumë të tjerë, rreth 60 veta. Nuk pata shans ndonjëherë të dilja jashtë miniere, madje edhe dy herë që kam pësuar aksident në minierë: një herë më ka rënë një gur në shpatull dhe një herë tjetër, më zuri miniera e piritit dhe më nxorën shokët e mi dhe pësova disa thyerje, përsëri sapo hiqja allçinë, drejt e në minierë!

Ç’punë bënit në minierë?

Në minierë, dy punë ishin: o do ngarkoje vagon, o do bëje birat. Mirëpo meqë unë isha pak i dobët fizikisht, më lanë të ngarkoja vagonët. Katër herë më kanë lidhur me tela bari, për mosrealizim norme. Sepse ata e kishin të prerë: o do bëje normën, o do vdisje.

Pse e kishit të vështirë të realizonit normën?

Shiko tani, që të jemi realistë, rebelizmin e kishim brenda në shpirt: askush nuk donte që të punonte me dëshirë dhe askush nuk donte të kontribuonte për socializmin. Meqë jemi në këtë temë…! Një miku im, që haja bukë unë, është një i burgosur emblematik në Shqipëri, Tomorr Allajbeu nga Peshtani i Beratit, i nipi i Abaz Ermenjit, vendosi të mos punonte dhe nuk punoi, me idenë që: nuk punoj unë të hajë Nexhmija, por i shtonte prapa dhe një prapashtesë që, e dinë gjithë të burgosurit që kanë qenë në atë kohë.

Shqip fare: të hajë Nexhmije, ku*va, s’punoj unë. Dhe ndoshta është ndër të vetmit të burgosur politikë që, bëri 4 vjet birucë, dilte një ditë, hynte një muaj. Pas revoltës së Spaçit, u bë burgu i burgut. U burgos vetë burgu, askush nuk shpresonte që do lirohej. Një ditë para, më ka thërritur kartelisti i kampit dhe më thotë: Shiko, nesër lirohesh, bëhu gati. Mirëpo, unë gjatë atij muaji kisha fituar 1.70 ditë, kështu që i binte të lirohesha dy ditë para dhe më thotë kartelisti: bëhu gati nesër se mund të lirohesh.

U thashë shokëve. “Po shyqyr”, thanë. Po me çfarë do dilja, çfarë të vishja? Atyre s’u vinte mirë që unë të dilja me rrobat e burgut se do thoshin: “ja, njeri i braktisur”, atëherë çfarë bënë? U çuan shokët, njëri pruri një këmishë, njëri një palë pantallona, se ishte mesi i korrikut, mirëpo unë u thashë: ore jam kail të dalë zbathur, vetëm të dal prej kësaj dere.

Marrë nga kujto.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.