EKONOMI

Turizmi dhe ndërtimi “i japin një dorë” ekonomisë, shkon në 4 për qind rritja

08:51 - 24.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Turizmi dhe ndërtimi i kanë dhënë hov trajektores së rritjes ekonomike.




Sipas raportit të publikuar një ditë më parë nga Instat, për periudhën korrikshtator të këtij viti, Produkti i Brendshëm Bruto vlerësohet me rritje prej 4,02 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2021.

Sakaq, në tremujorin e parë të këtij viti rritja ekonomike ishte 6.37 për qind, por me fillimin e luftës në Ukrainë në muajin mars, ekonomia nisi të tkurret. Kështu për periudhën prill-qershor rritja e regjistruar ishte vetëm 2.6 për qind.

Ky tremujor i tretë duket të jetë më optimist. Çfarë ka ndikuar përveç turizmit, është edhe ndërtimi.

Raporti

Në terma konkretë, kontribut pozitiv kanë dhënë degët: tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me +1,94 pikë përqindje, ndërtimi me 0,99 pikë përqindje, aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,81 pikë përqindje, arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,65 pikë përqindje, informacioni dhe komunikacioni me +0,19 pikë përqindje, aktivitete financiare dhe të sigurimit me +0,18 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,05 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,03 pikë përqindje.

Negativisht kontribuuan aktivitetet: Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,38 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,20 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan negativisht me – 0,22 pikë përqindje. Por në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe i Peshkimit pati një rritje me 0,22 %.

Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 1,38 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10,66 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 9,94 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 6,54%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7,93 %.

Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 13,84 %. Nga ana tjetër, grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rënie prej 3,33 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 37,50 %.

Taksat Neto mbi produktet u ulën me 1,85 %. Ndërsa në krahasim me 3-mujorin e dytë të vitit, pra, me periudhën prillqershor, aktiviteti i Industrisë, i Energjisë dhe i Ujit shënoi rënie prej 10,2 %. Aktiviteti i Ndërtimit shënoi një rritje me 5,57 %.

Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor shënoi një rritje prej 2,51%. Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pati një rritje me 1,18 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati një rritje prej 1,90 %.

Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi një rritje me 2,48% etj. Qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike prej 3.7 për qind këtë vit, por me gjasë kjo rritje do të jetë më e lartë. Kjo për shkak jo vetëm të përmirësimit të nivelit në kaskadën e Drinit, por edhe për rënien e lehtë që kanë pësuar çmimet e karburanteve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.