BOTA

Bota është në një ‘polikrizë’ dhe këto vende duan t’i japin fund kësaj, duke shkuar përtej PBB-së

14:57 - 27.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për një numër të vogël vendesh, i cili në fakt është duke u rritur, matësi standard i shëndetit ekonomik të botës nuk është më i përshtatshëm për këtë qëllim.




Si shtete që drejtohen kryesisht nga gratë, Finlanda, Islanda, Skocia, Uellsi dhe Zelanda e Re janë vende anëtare të partneritetit të Qeverive të Ekonomisë së Mirëqenies. Ky koalicion, i cili pritet të zgjerohet në muajt në vazhdim, synon të transformojë ekonomitë në mbarë botën duke ofruar mirëqenie të përbashkët për njerëzit dhe planetin deri në vitin 2040.

Kjo do të thotë që duhet braktisur ideja se ndryshimi në përqindje i produktit të brendshëm bruto është një tregues i mirë i progresit dhe, në vend të kësaj, të riformulohen politikat ekonomike për të ofruar cilësi të mirë të jetesës për të gjithë njerëzit, duke u kujdesur njëkohësisht edhe për mjedisin.

“Nevoja për një model të ri ekonomik nuk ka qenë kurrë më e qartë”, tha për CNBC ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon. “Kjo është arsyeja pse ne shohim një interes kaq të shtuar për qasjen e ekonomisë së mirëqenies, si këtu në Skoci ashtu edhe në mbarë botën.”

Duke inkurajuar politikëbërësit e tjerë që të konsiderojnë një qasje ekonomike të fokusuar te mirëqenia, Sturgeon tha se krizat e shumta globale, të tilla si emergjenca klimatike, humbja e biodiversitetit dhe kriza e kostos së jetesës, “ngrenë pyetje themelore lidhur me atë që ne vlerësojmë dhe atë për të cilën ekzistojnë ekonomitë tona.”

“Krijimi i ekonomisë së mirëqenies është një sfidë e madhe për çdo vend, në çdo kohë, dhe krizat aktuale me të cilat po përballemi e bëjnë akoma më të vështirë këtë gjë. Por, ato gjithashtu nënvizojnë arsyet pse ne duhet ta trajtojmë këtë transformim si një çështje urgjente,” tha Sturgeon. “Ne kemi arritur progres gjatë pesë viteve të fundit, por kemi ende shumë punë për të bërë.”

Vetëm në muajt e fundit, Zelanda e Re publikoi raportin e saj të parë kombëtar të mirëqenies; Bashkimi Europian pranoi nevojën për të kaluar te një ekonomi e mirëqenies; dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë filloi një iniciativë e cila kërkon që mirëqenia të jetë në qendër të rimëkëmbjes ekonomike.

Australia, Kanadaja dhe Kosta Rika janë disa nga vendet që kanë punuar ngushtë me partneritetin e Qeverive të Ekonomisë së Mirëqenies në muajt e fundit. Mbrojtësit e kësaj nisme besojnë se është vetëm çështje kohe përpara se më shumë vende të përqafojnë këtë lëvizje të mirëqenies. Një shoqëri e zhvilluar është ajo që i reziston kërkesave për rritje të vazhdueshme ekonomike./Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.