Kryesore

“Peshku qelbet nga koka”, ish-Presidenti Moisiu: Të çohen në burg Kryeministri e ministrat, jo infermieri

07:33 - 06.01.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, e drejton gishtin te politika kur bëhet fjalë për kapjen e drejtësisë, pasi sipas tij është pikërisht politika, e cila e ka prishur drejtësinë për interesat e veta, me qëllim që abuzimet të mos dalin sheshit.




Në një intervistë për “Euronews Albania”, ish-kreu i shtetit shqiptar thotë se në burg çohen policë e mjekë, ndërsa zyrtarë të lartë, si Kryeministri, ministrat apo deputetët nuk preken. “Ne duhet të bëjmë një revolucion në drejtësi dhe ajo që u bë ishte revolucion. Politika duhet të jetë sa më larg, sepse ajo e prishi drejtësinë, pse e prishi? Sepse i duhesh që abuzimet mos dalin sheshit. Çon në burg, policin, infermierin, mjekun një sekretar etj., por ministri, Kryeministri, deputeti, ata janë të paprekshëm. Kështu nuk bëhet. Populli thotë ‘peshku qelbet nga koka’. E pra, duhet të pastrohet koka. Reforma në drejtësi këtë qëllim kishte”, u shpreh Mosiu.

Ai tha ndër të tjera se politika është mision dhe ai që futet në politikë duhet t’i shërbejë vendit dhe jo të punojë për interesat e veta. “Unë kam propozuar që politika duhet të bëjë një pakt. Të vendosë nivelin e ndryshimit. Ndryshimi i pushtetit nuk mund të jetë ndryshimi i shtetit. Politika është mision, nëse hyn duhet ti shërbesh vendit. Është njësoj si ne që u futëm në luftë. Shokët e mi janë vrarë, por nuk u vranë për tu bërë ministra, u vranë për atdheun. Duhet vërtetë që të kemi një idealizëm”, tha Moisiu.

KORRUPSIONI

Ish-Presidenti Moisiu u shpreh se korrupsioni në vend është në nivelet më të larta. Kjo, sipas tij, edhe për faktin se politika nuk është ulur asnjëherë të mësojë shkaqet e saj dhe të gjejë zgjidhjen. Për ish-kreun e shtetit, duhet një ligj i rreptë që të veprojë mbi të gjithë. “Politikani duhet të jetë idealist, idealist ndaj vendit tënd. Korrupsioni është gangrena më e rrezikshme e një shteti, një kombi. Ne në Shqipëri e kemi në nivelet më të larta. Pse? Unë kam përshtypjen që politikanët nuk janë ulur ndonjëherë për të parë se përse vidhet, pse abuzohet. Duhet të ulen, të gjendet shkaku. Po ju tregoj historinë e Napoleon Bonapartit, që i rriti tri herë rrogat administratës për shkak të korrupsionit dhe më pas tha që atyre që kanë mbetur të korruptuar rritja rrogën sa të duash, ata nuk heqin dorë, ata do çohen në gijotinë. Prandaj këtu duhet të vihet një ligj i rreptë”, tha Moisiu.

I pyetur nëse duhet një ligji i rreptë apo gijotinën përmes votës ta bëjnë qytetarët, Moisiu u shpreh se: “Puna është të mos arrijmë deri aty. Sepse tani ne jemi vend i NATO-s, synojmë të anëtarësohemi në BE dhe as që diskutohet që njerëzit të bëjnë gijotinën. Ajo është zgjidhja më e gabuar, as duhet të na shkojë në mendje. Me votë po. Por puna është se ne akoma nuk dimë ta vlerësojmë votën. Shitet vota për 5 mijë lekë ose për një thes miell”. Po ashtu, ish-Presidenti pati edhe një mesazh për të rinjtë që përfundojnë studimet dhe duan që të marrin menjëherë poste të larta. Sipas Moisiut, ata duhet ta duan Shqipërinë me vepra dhe se kushdo duhet ta marrë një detyrë me seriozitet. “Sot mbaron një i ri studimet në universitet dhe tani do një punë o drejtor, o zv.ministër, mbase dhe më lart. Çfarë është ky mentalitet. Ne shkollë kemi bërë të gjithë po s’na shkonte mendja për këto. Njeriu duhet ta marrë detyrën seriozisht. Bota kështu e ka. Ndërron pushteti, niveli i prekshëm është deri në një nivel të caktuar. Tani ai rri 6 muaj dhe thotë do iki, ngelem rrugëve dhe kjo e shtyn atë të bëjë gjëra të paqena dhe panevojshme”, tha Alfred Moisiu për “Euronews Albania”.

“Kalova 7 porta për të shkuar te Thaçi, më erdhi rëndë kur e pashë atje”

Ish-Presidenti Alfred Moisiu tha se mbajtja e ish-komandantëve të UÇK-së në burg është një padrejtësi që po u bëhet shqiptarëve. I ftuar në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, ai theksoi se kur një person vihet para përgjegjësisë njihet me aktakuzën, por kjo gjë nuk ka ndodhur me ishkomandantët e UÇK-së, të cilët prej dy vitesh ndodhen në burg në Hagë. Ndërsa e krahasoi me kohën e diktaturës në Shqipëri, Moisiu tha se edhe në atë kohë bëhej akuza ndërsa e cilësoi të gjithë procesin ndaj tyre si një tentativë që siç e cilësoi ai për të bërë qengjin ujk dhe ujkun qengj duke ironizuar faktin se kush i ka shkaktuar krimet e luftës dhe kush po i paguan ato tani.

“Kjo nuk është vetëm e dhimbshme por është një padrejtësi që na bëhet ne shqiptarëve. Arrestimi dhe mbajtja ne burg e udhëheqësve të UÇK-së është diçka e padëgjuar. U bënë dy vjet që janë aty dhe ende nuk kanë një aktakuzë. Unë nuk jam jurist, por di që gjëja e parë që bëhet kur tjetri vihet para përgjegjësisë është që i jepet aktakuza. Edhe në kohën e Enverit që ishte diktaturë, aktakuza bëhej. Por dhe ti mbash brenda për të grumbulluar materiale? Kjo është një tentativë për ta bërin qengjin ujk dhe ujkun qengj. Kush ka bërë krimet dhe kush po paguan”, tha ai. Ish-Presidenti ka komentuar takimin me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në burg në Hagë. Ai tha se burgu ku rrinte Thaçi ishte me 7 porta, ndërsa shtoi se i erdhi rëndë kur pa një ish-President të mbyllur atje. Ish-kreu i shtetit thotë se tani as nuk ka më besim tek drejtësia, pasi sipas tij e gjitha është për t’u bërë qejfin serbëve pasi ish-komandantët e UÇK lanë familjet dhe dolën për të luftuar për lirinë e vendit të tyre.

“Ai ishte një burg me 7 porta me çelës të ndryshëm, njëri i mbyllte e tjetri i hapte. Pra, një burg me siguri të jashtëzakonshme. Më erdhi shumë rëndë kur pashë një ishPresident të mbyllur atje. Të shikoje këta njerëz që sakrifikuan jetën dhe familjen e tyre, gjithçka që kishin, vunë kokën në rrezik. Ata mbaheshin mirë, me kurajë, kishin besim te drejtësia, por unë për veten time nuk kam shumë besim. Kjo është për t’u bërë qejfin serbëve. Në periudhën e luftës, në shkollë bënim mbledhje klandestine dhe gjithmonë na thuhej çdo bëhet me Kosovën sepse armiku është i përbashkët. Në shkollat shqiptare në vitet ‘36-‘37, ne këndonim për Kosovë e Çamëri, ja vdekje, ja liri. Pra, ishim edukuar për të kërkuar llogari se perse këta njerëz janë atje dhe jo këtu me ne”, tha ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.