EKONOMI

‘Inteligjenca artificiale do sfidojë fuqinë punëtore, nuk do kërkohen programues’/ Ja çfarë pritet nga hovi i Teknologjisë

07:18 - 28.01.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Si bizneset e Teknologjisë së Informacionit po përgjigjen dhe po ndërtojnë strategjitë e tyre, për të përballuar sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë që shfaqen. Teknologjia e Informacionit është një fushë që po evoluon vazhdimisht dhe po zhvillohet, duke sjellë ndryshime dhe zhvillime të reja dhe duke ndikuar në mënyra të ndryshme në jetën tonë. Sektorin i IT në Shqipëri, si tendencë globale, pritet të ketë ecurinë më të mirë në vitet e ardhshme. Ndikimi për këtë ka ardhur nga dixhitalizimi në masë të gjerë, si dhe ndryshimet e strukturës së punësimit, si nomadët dixhitalë, smart working, rritja e sigurisë kibernetike etj.




Tomi Kallanxhi, drejtues i “Big Media Expert”, thotë se 2023 pritet që t’i japë më shumë hov dixhitalizimit.

“Nëse do të doja të bëja një parashikim për Teknologjinë e Informacionit, do të duhej të merrja parasysh disa faktorë, si tregjet dhe tendencat e tanishme, zhvillimet e fundit teknologjike dhe sfidat që do të duhet të përballen industria dhe shoqëria në të ardhmen. Për shembull, çështjet e mbrojtjes së privatësisë dhe të sigurisë së informacionit do të vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe do të duhet të përballen me zhvillimet e reja teknologjike. Pritet që Teknologjia e Informacionit të ndikojë në mënyra të ndryshme në tregjet e punës dhe në mënyra të tjera në ekonominë e një vendi, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të së ardhmes”,- thotë z. Kallanxhi.

Sipas tij, këtë vit do të ketë vëmendje të madhe te siguria kibernetike dhe kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për bizneset e fushës që të kenë fitime, duke qenë se kompanitë po rrisin investimin në këtë drejtim, duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e fundit, sidomos në fushën bankare. Sfidat do të jenë fuqia punëtore dhe edukimi i të rinjve. “Krahas emigrimit, duhet thënë se shkollat shqiptare janë të prapambetura për teknologjinë. Ne bizneset e fushës kemi krijuar akademi, ofrojmë shpesh trajnime, por kjo nuk mjafton. Një parashikim që mund të bëjmë për këtë vit e në vijim do të ishte se tregu i zhvilluesve është drejt zbehjes.

Kudo në botë, por edhe në Shqipëri, nuk do të kërkohen programuesit aq shumë. Zhvillimi që po arrin Inteligjenca Artificiale po e zbeh edhe këtë profesion kaq të kërkuar”,  thotë ai.

Aneida Bajraktari, drejtuese e “Balkans Capital”, thotë se viti 2023 mendohet se do të sjellë shumë sfida.

“Pritet që Teknologjia e Informacionit të vazhdojë të ndikojë në mënyra të ndryshme në bizneset dhe në tregjet e punës në Shqipëri. Për shembull, pritet që teknologjitë e Inteligjencës Artificiale dhe të mësimit automatik të vazhdojnë të zhvillojnë dhe të përdoren në mënyra të ndryshme, për të automatizuar procese dhe për të zgjidhur probleme te bizneset në Shqipëri. Pritet që teknologjia e blockchain të vijojë të zhvillohet dhe të përdoret në mënyra të reja, për të dhënë siguri dhe transparencë në transaksionet online”, pohon znj. Bajraktari.

Sipas Gerion Treskës, mentor në fushën e startup për të rinj, inovacioni ka nevojë të theksohet nëpërmjet vullnetit politik dhe së paku, të mos pengohen aktorët që dëshirojnë të çojnë Shqipërinë në atë drejtim. Nga ana tjetër, sipas tij, duhet vullnet dhe mendësi e përbashkët që Shqipëria të orientohet drejt inovacionit.

“Që të nxisim inovacionin, nuk mundet që të reklamojmë vendin tonë kryesisht për pagat e ulëta, kjo strategji nuk na çon larg, të rinjtë me ide kanë nevojë për mbështetje brenda vendit”.

Sa i përket një parashikimi mbi të ardhmen e zhvillimit të startup në vendin tonë, ai shprehet se ka shumë faktorë që mund të ndihmojnë në suksesin e një startup, duke përfshirë cilësinë e produktit ose shërbimit që ofrohet, fuqinë e modelit të biznesit, udhëheqjen dhe menaxhimin e kompanisë dhe kushtet e përgjithshme të tregut.

“Është e rëndësishme që startup-et të kenë një plan biznesi solid dhe të jenë të përgatitur mirë për të zgjidhur çdo sfidë që mund të lindë. Mund të jetë gjithashtu e dobishme për startup-et që të kërkojnë mentorë dhe këshilltarë, që mund të ofrojnë udhëzime dhe mbështetje”, – thotë ai.

Potenciali

Këtë vit do të ketë vëmendje të madhe te siguria kibernetike dhe kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për bizneset e fushës që të kenë fitime, duke qenë se kompanitë po rrisin investimin në këtë drejtim, duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e fundit, sidomos në fushën bankare.

“Sfidë, të investohet në burime njerëzore”

Flet Gjergji Robo, CEO i Smartwork

ICT ishte një ndër sektorët me zhvillim më të shpejtë, i nxitur nga përshpejtimi i dixhitalizimit dhe automatizimit industrial, shprehet Gjergji Robo, ekspert i fushës.

Si ka qenë ecuria e sektorit në vitin 2022? (ICT dhe Smartwork)

Gjatë vitit 2022, ICT ishte një ndër sektorët me zhvillim më të shpejtë, i nxitur nga përshpejtimi i dixhitalizimit dhe automatizimit industrial. Në realitet kemi tejkaluar pritshmëritë tona. Bazuar në projektet ambicioze me të cilat kemi filluar të punojmë, me bindje them se kemi krijuar një bazë të fortë. Në këtë mënyrë po sigurojmë rritje për të ardhmen, jo vetëm për shoqërinë tonë, por për të gjithë komunitetin teknologjik në Shqipëri. Smartworking ka qenë dhe do të jetë gjithmonë pjesë e kulturës sonë të punës. Secili prej nesh është i pavarur të zgjedhë mënyrën se si punon. Rëndësi ka rezultati, pasi puna e mirë është ajo që vlerësojmë dhe promovojmë.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha? Cilat do të ishin zgjidhjet?

Vështirësia më e madhe ka qenë motivimi i kolegëve për të qëndruar në Shqipëri. Përvoja e fituar në Smartwork në anën profesionale, njohja e tregut të huaj dhe kultura ndërkombëtare e biznesit, sjell që shoqëritë e huaja të tregojnë interes ndaj të rinjve dhe t’u bëjnë oferta punësimi. Këtë situatë nuk e hasim vetëm në kolegët aktualë, por edhe tek ata që dëshirojmë të na bashkohen. Shoqëria jonë ka zgjedhur të investojë në burime njerëzore, pavarësisht vështirësive dhe kostove. Një zgjidhje do të ishte ofrimi i mbështetjes financiare nga institucionet shtetërore, duke qenë se kemi një qëllim të përbashkët.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat në vitin 2023?

Smartwork do të vijojë të shërbejë si një shkollë për shumë të rinj, të cilët duan të fitojnë përvojë, të profilizohen e më pas të pozicionohen si ekspertë të fushës, duke marrë shkas nga mungesa e fuqisë punëtore që po përfshin shumë sektorë./monitor

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.