EKONOMI

Kuvendi rrëzon propozimet e qeverisë, bankat dhe BSH fitojnë “betejën” për njohjen e kredive të humbura si shpenzime të zbritshme

07:26 - 03.04.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar propozimet e qeverisë në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” në nenin që lidhej me njohjen e kredive të humbura të bankave si shpenzime fiskale të zbritshme, duke pranuar kërkesën këmbëngulëse të Bankës së Shqipërisë dhe sektorit bankar.




Ligji aktual “Për tatimin mbi të ardhurat”, në nenin 24 parashikon disa dispozita në veçanta për njohjen si shpenzime të zbritshme të kredive të humbura të institucioneve financiare. Në rastin e bankave dhe subjekteve financiare jobanka, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq, lidhur me procesin e kredidhënies, njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e afatit 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme dhe 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme. Në rast se pasuria e luajtshme ose e paluajtshme që siguron kredinë, ekzekutohet para afateve të mësipërme, provigjionet e mëparshme bankare, të njohura si shpenzime të zbritshme, vazhdojnë të njihen si të tilla.

Në projektligjin e propozuar nga Qeveria në Kuvendin e Shqipërisë, këto dispozita specifika ishin hequr nga përmbajtja. Neni 31 i projektligjit shprehej se “zbritja e plotë e borxhit të keq lejohet nëse kushtet e mëposhtme përmbushen në të njëjtën kohë: borxhi i keq hiqet nga kontabiliteti i entitetit; janë ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të mbledhur borxhin dhe provigjionet e krijuara neni duhet t’i shtohen fitimit të tatueshëm”.

Por, me kërkesë këmbëngulëse të Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, Komisioni Kuvendor i Ekonomisë e ka ndryshuar nenin 31 të projektligjit, duke rikthyer parashikimet e posaçme për bankat dhe institucionet që parashikohen në ligjin aktual, të cituara më sipër.

Sipas Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, ndryshimet e propozuara nga qeveria rrezikonin të krijonin premisa për rritjen e kreidve me probleme, sepse mosnjohja e kredive të fshira si shpenzime nga organet tatimore do të bënte që këto kredi të mbaheshinn në bilancet e bankave dhe të rrisnin stokun e kredive të këqija.

Një tjetër çështje ku sektori bankar ka fituar “betejën” në Kuvend ishte mënyra e njohjes së provigjioneve apo rezervave teknike për humbjet nga kreditë me probleme.

Projektligji i propozuar në Kuvend nga Qeveria shqiptare përcaktonte se “në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të institucioneve financiare, të rregulluara nga autoritetet rregullatore, lejohet zbritje për shumat që do të vendosen dhe/ose do të rrisin provigjionet e detyrueshme për bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare jobanka dhe shoqëritë e kursim-kreditit të krijuara sipas rregullave mbikëqyrëse të nxjerra nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim”. Kjo nënkupton se me ligjin e ri, në formën e propozuar, shpenzimet për provigjione nuk do të njihen më sipas IFRS-ve, por sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë. Kjo e rikthente njohjen e shpenzimeve për provigjione në situatën e para vitit 2013. Por, me kërkesën e bankave, Komisioni i Ekonomisë i ka rrëzuar edhe këto ndryshime, duke vendosur vendosur formulimin e ngjashëm me ligjin në fuqi se “në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të institucioneve financiare, të rregulluara nga autoritetet rregullatore, lejohet zbritje për shumat që do të vendosen dhe / ose do të rrisin…provigjionet e detyrueshme për bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare jobanka dhe shoqëritë e kursim-kreditit të krijuara në përputhje me standartet e hartuara nga Bordi i Standarteve Kontabël Ndërkombëtare dhe të certifikuara pa vërejtje nga auditues të jashtëm”.

Në thelb, kjo nënkupton se bankave dhe institucioneve financiare do të vazhdojnë tu njihen si shpenzime të zbritshme fiskale provigjionet e krijuara sipas standardeve ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS)./ Monitor.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.