LAJMI I FUNDIT

Diagnoza që rrit rrezikun e depresionit – Të afërmit janë gjithashtu të prekshëm

21:31 - 16.04.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pacientët e diagnostikuar me HIV duket se janë në një rrezik dukshëm më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve mendore, sipas një studimi të ri ndërkombëtar të paraqitur në Kongresin Evropian të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive të këtij viti në Danimarkë. Në veçanti, shkencëtarët argumentojnë se një diagnozë e HIV-it rrit rrezikun e simptomave depresive, prirjeve për vetëvrasje dhe rrit shanset për të përdorur ilaçet kundër depresionit dhe për t’iu nënshtruar terapisë elektrokonvulsive. Me interes të veçantë është një tjetër gjetje e këtij studimi, sipas të cilit kërcënimi i shtuar nuk vlen vetëm për vetë pacientët, por edhe për mjedisin e tyre të ngushtë, konkretisht për vëllezërit e motrat e tyre.




Për të nxjerrë përfundime të qarta, studiuesit përdorën të dhënat mjekësore kombëtare të Danimarkës, duke kërkuar raste të depresionit të diagnostikuar në 5,943 pacientë me HIV midis viteve 1995 dhe 2021. Nga këta, 25% ishin gra, ndërsa mosha mesatare e pacientëve ishte 38 vjeç. Ata krahasuan shkallët e depresionit në pacientët me HIV me ato në 59,430 njerëz në popullatën e përgjithshme, me karakteristika të ngjashme gjinore dhe moshës. Në të njëjtën kohë, ata ekzaminuan rrezikun për vëllezërit e motrat e pacientëve (5,807 persona), krahasuar me vëllezërit e motrat e pjesëmarrësve në popullatën e përgjithshme (82,411 persona).

Pas kontrollit për faktorë të tjerë që mund të kishin ndikuar në rezultatet, studiuesit zbuluan se pacientët me HIV kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa të përjetonin simptoma depresive dhe të merrnin terapi elektrokonvulsive, 1.5 herë më shumë gjasa të përdornin ilaqet kundër depresionit dhe 3.5 herë më shumë gjasa të vrisnin veten. Ky rrezik, në fakt, u tregua veçanërisht i lartë gjatë dy viteve të para pas diagnozës.

Me interes, vëllezërit e motrat e pacientëve me HIV ishin gjithashtu në rrezik të shtuar për t’u diagnostikuar me depresion, duke përdorur ilaçet kundër depresionit dhe për të kryer vetëvrasje, krahasuar me vëllezërit e motrat e pjesëmarrësve në popullatën e përgjithshme. Megjithatë, ky rrezik në rritje mbeti më i ulët për vëllezërit e motrat sesa për vetë pacientët.

“Rritja e rrezikut për shëndetin mendor të pacientëve dhe të afërmve të tyre është një tregues që shkakton shqetësim të madh dhe duhet të shikojmë më thellë për të kuptuar shkaqet. Një shpjegim i mundshëm për vëllezërit e motrat mund të jetë stresi dhe stigma e lidhur me diagnozën e një të dashur me një sëmundje kronike. Është gjithashtu e mundur që faktorët e rrezikut për depresion dhe infeksion me virus të mbivendosen”, shpjegoi Dr. Lars Omland nga Universiteti i Kopenhagës.

“Rreziku është shumë më i lartë nga sa mendoja në fillim. Gjetjet tona theksojnë qartë seriozitetin e ndërlikimeve të mundshme të shëndetit mendor me të cilat mund të përballen personat e diagnostikuar me HIV, si dhe imperativin për t’iu nënshtruar testeve përkatëse që do të nxjerrin në pah problemin. Kujdesi për të sëmurët me HIV zakonisht fokusohet te shëndeti fizik, por kuptohet se sa e rëndësishme është të kthejmë një pjesë të vëmendjes te shëndeti mendor”, përfundoi ai.

Gazeta Shqiptare 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.