Kryesore

“FBI më ka autorizuar për të punuar me Ramën”- Nga marrëdhënia me kryeministrin, tek hetimi ndaj rivalit të tij politik, NYT: McGonigal të martën në gjyq

13:51 - 14.08.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prestigjiozja amerikane, New York Times, i ka kushtuar një artikull ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili pritet të dalë të martën para gjykatës.




“Një nga agjentët e rangut më të lartë të FBI-së që mund të dënohet për një krim”, shkruan media amerikane, duke shtuar se: “Ai është planifikuar të dalë të martën në gjykatë në New York ku pritet të pranojë fajësinë në lidhje me akuzat se ka punuar për oligarkun rus të saksionuar nga SHBA, Oleg Deripaska.”

Sipas NYT, rasti ka ngritur pyetje shqetësuese në lidhje me aftësinë e FBI-së për të zbuluar korrupsionin brenda radhëve të saj.

Sipas prokurorëve McGonigal udhëtoi shumë, gjatë kohës që ishte në zyrë, duke u takuar me zyrtarë të huaj dhe biznesmenë, të cilët, në pamje të parë, nuk kishin asnjë lidhje me punën e tij.

Agjentëve u kërkohet të raportojnë kontakte të tilla dhe transaksione të caktuara financiare dhe të bëjnë teste të zbulimit të gënjeshtrës, por byroja mbështetet shumë në integritetin e njerëzve që ka vendosur në pozicione të besuara.

Për më shumë se tre vjet, hetimi nuk ka prodhuar deri më tani asnjë provë se McGonigal u ka dhënë sekrete të sigurisë kombëtare rusëve ose dikujt tjetër, sipas zyrtarëve amerikanë që kërkuan të ishin anonimë.

Drejtori i FBI-së, Christopher A. Wray, tha se akuzat demonstruan “gatishmërinë e FBI për të hedhur dritë mbi sjellje krejtësisht e papranueshme, përfshirë edhe kur është një prej njerëzve tanë.”

Midis dy aktakuzave, McGonigal akuzohet për fshehje të detajeve të financave dhe aktiviteteve të tij jashtë shtetit, shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe pastrim parash.

Disa akuza mbartin dënime të mundshme me burg deri në 20 vjet.

Gjithashtu shkruhet se McGonigal kishte pranuar para nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, Agron Neza dhe kishte filluar të punonte me Deripaskën.

Ai u njoh me biznesmenin shqiptar gjatë një darke në Manhattan në 2017. Agron Neza jeton në Leonia, N.J., dhe njihet si “Personi A” në aktakuzën e Uashingtonit.

Neza kishte punuar në Shërbimin Informativ Shtetëror Shqiptar përpara se të transferohej në Shtetet e Bashkuara.

Në gusht 2017, sipas prokurorëve, McGonigal u propozoi atyre të bënin marrëveshjen e tyre, në të cilën Neza do t’i jepte hua 225.000 dollarë kesh.

Prokurorët nuk kanë treguar pse McGonigal i duheshin ato para ose çfarë mund të ketë rënë dakord të bënte në këmbim.

Ndërkohë në artikullin e New York Times përmenden edhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.

“Ai u miqësua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe e përdori pozicionin për të mbështetur bizneset e huaja të bashkëpunëtorëve të tij, sipas aktakuzës së ngritur kundërt tij në Washington”, raporton NYT.

Ndërsa artikulli vazhdon: “Në një rast, McGonigal hapi një hetim në FBI për një lobim të rivalit kryesor politik të kryeministrit shqiptar, thanë prokurorët. Nga ana tjetër, prokurorët shtuan, se ai ndihmoi në sigurimin e një licence për shpime nafte për të përfituar Agron Neza dhe të tjerë.”

Ka pasur disa tregues se FBI ishte në dijeni të marrëdhënieve të tij me shqiptarët.

Sipas dy personave që folën me të, McGonigal tha se “FBI më ka autorizuar t’u drejtohem kontraktorëve amerikanë për të punuar me Ramën për të ndihmuar në reformimin e qeverisë shqiptare, e cila ishte rrënuar prej kohësh nga korrupsioni dhe joefikasiteti”.

Në janar 2021, agjentët e FBI-së arrestuan McGonigal në aeroportin Kennedy teksa kthehej nga një udhëtim pune në Sri Lanka.

“Ai u bë një personazh i famshëm në Shqipëri, ku kundërshtarët e Ramës dhe mediat e quajtën atë “çështja McGonigal”,”- shkruan Neë York Times.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.