AKTUALITET

Arrestimi i 2 zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë në Kosovë, Kurti: Nuk ka korrupsion dhe as shpërdorim të fondeve në rezervat e shtetit

21:48 - 18.08.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 97% e vlerës së blerë vitin e kaluar të rezervave shtetërore kanë arritur në Kosovë.




Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Kurti foli për arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një afaristi, të dyshuar për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren [e Industrisë] Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se rezervat shtetërore ishin 300.000 euro kur ai mori mandatin dy vjet më parë dhe tani, sipas tij, janë 25 milionë euro.

Më herët gjatë 18 gushtit, autoritetet gjyqësore kryen bastisje në MINT dhe tre të arrestuarve u caktuan masën e ndalimit prej 48 orësh.

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT vjen pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Sipas MINT, janë arrestuar dhe kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

Sipas raportimeve të mediave lokale në Kosovë, i arrestuari i tretë është Ridvan Muharremi.

Kurti po ashtu tha se qeverisja e tij “përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20-vjeçare të Kosovës”.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit”, tha Kurti.

“Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe kanë kritikuar Qeverinë Kurti për situatën e krijuar në MINT.

Ministrja Hajdari gjatë një konference për media të mbajtur pasditen e 18 gushtit tha se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që janë ndaluar sot, përderisa shtoi se nuk sheh asnjë arsye që të japë dorëheqje.

Sipas ligjit, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.

Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit strategjik afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë. Rezervat shtetërore konsiderohen sekret shtetëror./REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.