Speciale

Zgjedhja e drejtorit të ri të AMF-së, katër kandidatë në garë

18:40 - 04.10.23 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kandidati Redi Lleshi, shkollim specifik në “Central Insurance School” në SHBA

Në fund të muajit shtator, Kryeministria mbylli fazën e aplikimeve për zgjedhjen e kandidatit që do t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.




Ky pozicion ngeli i lirë muajin e kaluar, pasi Ervin Mete u lirua nga detyra për t’u emëruar në vijim si ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Kryeministria nuk ka publikuar ende një listë zyrtare të kandidatëve që kanë aplikuar. Megjithatë, sipas burimeve nga tregu, në proces kanë aplikuar të paktën katër kandidatë: Redi Lleshi, Armand Reveli, Pajtim Melani dhe Petrit Perhati.

Kandidati Redi Lleshi ka një eksperiencë të gjatë pune në administratën shtetërore dhe vjen pas një shkollimi të shkëlqyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktualisht ai jep kontributin e tij në kabinetin e kryeministrit Edi Rama ku mban detyrën e këshilltarit të Kryenegociatorit për Integrimin në Bashkimin Europian. Më herët, Redi Lleshi ka mbajtur pozicione drejtuese në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në Ministrinë e Integrimit Europian.

Përveç punës së gjatë në administratën shtetërore në menaxhimin e projekteve të përbashkëta me institucione të huaja si Bashkimi Europian, Redi Lleshi ka një eksperiencë jo të vogël në kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri si “Bankers”, etj.

Ai ka një Master në Financë dhe Kontabilitet nga Universiteti i Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, ajo që e bën të përshtatshëm për postin e drejtuesit të AMF është shkollimi i tij specifik në “Central Insurance School” në Florida, të SHBA. Dihet që në fokus të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare janë kryesisht tregjet e sigurimeve dhe më pak, ato bankare.

Kandidati tjetër, Armand Reveli, deri vitin e kaluar, ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ndërsa më herët ka qenë Drejtor i Auditit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pajtim Melani ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mes viteve 2015 dhe 2019, ndërsa në vitin 2020 ka kandiduar edhe për postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Përveç detyrës si anëtar joekzekutiv i Bordit të AMF, Melani ka mbajtur pozicione drejtuese edhe në Autoritetin e Konkurrencës dhe në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Ai mban titullin shkencor “Doktor” nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

Aplikanti tjetër, Petrit Perhati, vjen nga sektori privat dhe nuk rezulton të ketë pasur detyra të mëparshme drejtuese në sektorin publik.

Një emër tjetër që ka qarkulluar në javët e fundi ka qenë ai i zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero. Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, ajo nuk rezulton në listën e kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozicion pranë Kryeministrisë.

Sipas ligjit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në rast të lirimit nga detyra të ndonjërit prej anëtarëve të Bordit përpara afatit, anëtari tjetër emërohet me të njëjtën procedurë, siç është emëruar anëtari që lirohet, për periudhën deri në përfundim të mandatit të anëtarit që lirohet.

Bazuar mbi këtë përcaktim ligjor, anëtari i Bordit që do të marrë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv nuk do të ketë një mandat të plotë 5-vjeçar, por një mandat të pjesshëm, deri në vitin 2025, kur mbyllej mandati i drejtorit të mëparshëm. Për shkak se mandati do të jetë i pjesshëm, afërsisht një vit e gjysëm, interesi i kandidatëve të mundshëm në këtë proces mund të jetë i kufizuar.

“Monitor” shkruan se sipas ligjit, anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse.

Ligji kërkon që kandidati për Anëtar i Bordit të AMF-së të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në fushat ekonomike, juridike ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën 5 vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.