Kryesore

“Shkuam në Europian pa Brojën”, analiza e Duros: Më e bukur se në 2016 pasi atëherë diskutonim nën zë që ishte fat, De Biazi mban përgjegjësi që…

19:06 - 13.10.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Trajneri i njohur Shpëtim Duro, mendon se tashmë Shqipëria duhet të fillojë të mendojë për EURO 2024, pasi fitorja ndaj Çekisë jo vetëm i ka siguruar pjesëmarrjen në atë turne, por edhe ka shtuar besimin që mund të jetë protagoniste atje.




Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ai ka theksuar se gjithçka është meritë e Silvinjos, i cili ka ndërtuar grupin e duhur, me shumë alternativa cilësore e lojës që të kënaq.

“Tani është realitet, një moment pa fjalë për çdo shqiptar që të përshkruajë këtë gëzim, është realitet. Janë rezultate fantastike për vazhdimësi dhe fitorja e djeshme i ka vënë kapakun kësaj ecurie të jashtëzakonshme të ekipit kombëtar këta muaj. Jo që ka vlerë tre pikësh, ndaj një kundërshtari shumë potent si Çekia por edhe do jetë e paharrueshme gjatë gjithë historisë së futbollit shqiptar se na çon në Europian.

Unë jam vetë trajner, i kam kaluar këto emocione. Ishte goli në momentin e duhur i Asanit që i dha jashtëzakonisht impuls dhe vazhdimësi kësaj loje. Por të jem realist, mendoja që edhe barazimi do të ishte një rezultat super ndaj një skuadre që nuk kishte provuar asnjë humbje deri në këto momente. Me kartonin e kuq u qetësova jashtë mase dhe miqtë e mi që ishin aty mendonin që kjo është ndeshje e përfunduar, duke pasur parasysh nivelin e skuadrës tonë, vendosjen në fushë dhe e parashikova që në pjesën e dytë nëpërmjet lojtarëve cilësorë do i godasim se kemi lojtarë të jashtëzakonshëm në kundërsulm dhe në mesfushë. Ashtu ndodhi, pjesa e dytë ishte vetëm gëzim.

Edhe para të kuqit ishim në avantazh me meritë, por patjetër e lehtësoi kartoni punën në vazhdimësi duke pasur parasysh që ishim në avantazh në superioritet numerik. Patjetër që është lehtësi e madhe gjatë 90 minutave.

Ndoshta rezultatet janë rezultate, se çdo trajner matet me rezultate. Por është puna e mirë e ndërtimit të skuadrës që me ardhjen e trajnerit Silvinjo dhe stafit. Se Asanin unë e njoh që herët, kur ishte me Vardarin, ishte supertalent, aty ishte, luajti disa vite me Partizanin por asnjë nuk e afroi me ekipin kombëtar. Këtu është merita e Silvinjos. Unë do ta vazhdoj edhe për momente të tjera që ka meritë. Mos harrojmë që në kohën e Rejas, Bajrami me Asllanin nuk aktivizoheshin rregullisht, ky i dha besimin e duhur. Mos harrojmë që Mitaj 20 vjeç i dha besimin në krahun e majtë, është meritë e Silvinjos. Të gjithë janë dëshmitarë që me Rejan, Hysaj nuk ishte ne nivelin e paraqitjes me Napolin e Lacion. Ai është transformuar totalisht si futbollist dhe ishte ndër më të mirët. Unë e kam uruar Ramadanin pas ndeshjes me Poloninë. Mos kujtoni se ka ndryshuar, e njoh që 16 vjeç. Ai ka qenë, që vrapon e punon, që ai ka qenë që te Partizani. Kjo është çështje seleksionimi dhe ka merita në ndërtimin e skuadrës dhe po e ndërtove mirë, patjetër do të vijnë edhe rezultatet.

Si Asani nuk kishim, Roshi nuk ka cilësitë e tij, është tip tjetër. Asani luan më mirë teknikisht, në të djathtën me këmbën e majtë, të gjithë golat i ka bërë duke u futur nga brenda, ka bërë gola të tillë edhe me Partizanin. Ai është Jasir Asani, një futbollist që në kampionatin shqiptar që e shoh, në nivelin e  Asanit është Florent Hasanit i Tiranës, një nga më të mirët. Unë nuk e di është situata e tij, por është lojtar i nivelit të lartë, është fotokopja e Asanit. Asani aty ka qenë, por është meritë e Silvinjos që e zgjodhi.

Edhe Seferi ka qenë 18-vjeçar me Rabotniçkin, ai ka luajtur në krah, vrapon shumë, punon shumë dhe është shënues. Lojtarë të tillë që vrapojnë, janë shumë të rëndësishëm për kombëtaren. Mos harrojmë që kemi konkurrencë në sulm. Kemi Muçin, eksperiencën e Çikalleshit, mos harrojmë që na mungon lojtari i dekadës, Broja. E kuptoni çfarë skuadre kemi në aspektin sulmues? Kemi mesfushorë si Bajrami, i veçantë në mënyrën e interpretimit të lojës në mënyrën e mesfushës dhe sulmit. Kemi edhe Ramdanin apo Laçin që është ndër më të mirët në Çeki. Kemi në qendër të mbrojtjes Gjimshitin e Ismajlin, por Ajeti dje bëri një lojë fantastike dhe e zëvendësoi. Jo sepse arritëm rezultate, por kemi një grup jashtëzakonisht cilësor, ka edhe shumë futbollistë që unë i kam në mendje por koha do i tregojë.

Berisha me notën më të lartë ndaj Çekisë? Etriti nuk kishte shumë punë në ndeshje, i gatshëm dhe vigjilent e nuk gaboi, por nuk ishte Berisha numri 1. Të gjithë e kanë justifikuar veten, por qendra e mbrojtjes, Gjimshiti i dhe Ajeti, ishin super sepse kishin punë  të madhe dje se e dimë që Çekia luan me topa të lartë dhe kanë qenë efikas. Shihni Ramadanin sa ka vrapuar gjatë ndeshjes, ishte motori i skuadrës, janë treshe që plotësojnë mirë njëri-tjetrin në mesfushë. Këta ishin edhe më parë, por Reja nuk i ka dhënë vlerësimin e duhur.

Skuadra ka ekuilibër të jashtëzakonshëm, në të gjithë këto ndeshje, nuk ka më humbje me katër gola si në eliminatore të tjera. Kjo është skuadër me ekuilibër në fazën mbrojtëse e sulmuese dhe e tregon golavarazhi. Po të zgjedhësh futbollistë sulmues që janë të shpejtë, por edhe teknikisht e godasin portën si janë këto që kemi, gjithmonë janë rrezik për kundërshtarët. Kur ke mesfushorë të tillë që shënojnë në kampionatin italian apo Asllanin që godet, sesbën vjen goli. Është një përzgjedhje që patjetër pritet goli jo vetëm nga një sulmues. Kjo është meritë e trajnerit që ka bërë kombëtare unike në këtë moment.

Nga vjen rritja? Nga konkurrenca, kur zgjedh të duhurit, ka konkurrencë. Ne në Europian po shkojmë pa Brojën, forcë reale për ekipin tonë. Pa Kumbullën, erdhi Ajeti e bëri ndeshje të shkëlqyeshme kur mungoi Ismajli që ishte dyshe fantastike me Gjimshitin. Mos harrojmë që janë lojtarë të mirë në stol, të gjithë e kuptojnë që nuk e kanë vendin të sigurt, ka konkurrencë e rivalitet. Nuk themi më mungon ky apo ky, kjo është merita e ndërtimit të skuadrës. Prit se ka të tjerë që do afrohen nga U21. Kjo është dhimbje koke për trajnerin dhe për të e rëndësishme është të japë rezultat. Unë them do bëjnë surprizë edhe në Kampionatin Europian.

Gjimshiti? Tregon që është djalë i jashtëzakonshëm dhe ashtu siç është në lojë që e shohim javë për javë me Atalantën, lojtar stabël dhe nuk është e vogël. E meriton totalisht shiritin e kapitenit, por ai fitoi me atë deklaratë që dha edhe admirimin e opinionit, shumë modest, që për mua ka qenë një gabim jashtëzakonisht i madh në 2016 që e pranoi edhe Duka. Ne kemi bërë gabim edhe me Rrahmanin, edhe me Rashicën, të tre këto lojtarë. Këto gabime i ka bërë De Biazi, ai ka përgjegjësi.

Kualifikimi i sigurt? Si trajner ekziston gjithmonë frika por me këtë ekipi kombëtar, me situatën dhe shortin që kemi, unë them që jemi 100% në Europian. Tani të mendojmë për Europianin besoj.

Si do ishte vendi i parë? Historik. Nëse herën e parë u kualifikuam me De Biazin, por ky kualifikim është… Ne nën zë e diskutojmë që ishte çështje fati që morëm tre pikë në tavolinë me Serbinë që e meritonim, kjo është meritë shumë më e madhe që po shkojmë me forcat tona, me lojën tonë. Ky është kualifikim shumë, shumë më i bukur se i 2016.

E thashë që do bëjmë surprizë në Europian, kemi kombëtare fantastike. Kanë forcuar besimin, e patë deklaratën e Asanit që tha ju ftojmë se do të fitojmë ndeshjen. Këto gjëra forcojnë besimin te të gjithë futbollistët e lojtarët. Deri në verë do të ketë ardhje të tjera. Do ndihmojnë skuadrën dhe jam i bindur që do të shohim një kombëtare fantastike në Europian”, tha Duro ndër të tjera në fjalët e tij.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.