AKTUALITET

“Ata mund të eliminojnë dëshmitarët”/ Dhoma e Specializuar e Kosovës vendos që Thaçi dhe Veseli të jenë në masa paraburgimi

14:24 - 18.10.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë vendosur që të vazhdojë masa e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.




Lajmi është bërë përmes një komunikate për media dërguar nga DhSK-ja.

Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se “është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia”.

“Paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast”.

Sipas këtyre vendimeve, më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.

Mbrojtja e Thaçit thuhet se ia kishte dorëzuar përgjigjet e tyre për këtë parashtresë më 29 shtator 2023, ndërsa ajo e Veselit më 5 tetor 2023.

Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.